Sesilia dhe Deda!

nga Agim Popoci
Edi Rama në gijotinë! E kërkoj regjisorja shqiptare midis Parisit dhe Montpeljesë, Sisilia Plasari, dhe shqiptarët u ekzaltuan. U ekzaltuan frikshëm, u bënë pa dashje pjesë e luftës brenda llojit edhe kur një njeri e duan në gijotinë sepse ai nuk i do më, ose më saktë ka heqë dorë nga ata se nuk i duhen më.
Po, po, ky është Edi Rama me kundërshtarët më të zëshëm, miqtë e tij, ata që e sollën në fronin e Kryeministrit, gazetarë, pronarë mediash, artistë e injorantë, të gjithë së bashku me ata që heshtën dhe sot e akuzojnë madje edhe pse i mësoi ç’është urrejtja. Dhe, sot e duan në gijotinë!
E çuditshme! Në gijotinë sepse ai nuk i përfill më, nuk ka kurrfarë konsiderate ndaj tyre dhe rebelimi i tyre i theksuar në emër të Teatrit Kombëtar, shfaqë atë që të përndjekurit politik të regjimit të Enver Hoxhës e thoshin me zë që nga dita kur Edi Rama shkeli në Bashkinë e Tiranës. Ky është i biri i një artisti që nuk denjoi të shpëtoi një jetë shkrimtari as me një të rënë të lapsit, dhe nuk ka se si të jetë ndryshe.
I dhanë votën dhe ky iu përgjigj me të gjitha të mirat që i ofroi posti i kryetarit të bashkisë më të madhe shqiptare, dhe i ledhatuari i pushtetarëve kriminal.
Por as atëherë nuk i gjykoi njeri pse i dhanë votën dhe po korrnin nga kjo mbështetje sepse për dallim nga Edi Rama dhe miqtë e tij, kundërshtarët e Enver Hoxhës janë të fisëm. Kjo ishte dhe arsyeja e vetme e urrejtjes dhe përndjekjes nga komunistët. Pra, antikomunistët nuk kërkuan kurrë gijotinë për Enver Hoxhën dhe ata që mbante në prehër deri sa Havzi Nela u var në litar; As për kryetarin e ri të bashkisë i cili filloi shkatërrimin e Tiranës nën mbrojtjen e medias, artistëve dhe kriminelëve komunistë, por drejtësi, para Zotit dhe para Ligjit!
Sot, pas 19 vjet krimi dhe shkatërrimi të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, zbatimit të një luftë të ashpër të klasave si në krye të bashkisë ashtu edhe në krye të qeverisë, Edi Rama përballet me bashkulësit në prehrin e Enver Hoxhës!
Sot kur Edi Rama shkatërroi gjithë qytetin dhe në radhë është Teatri Kombëtar, ata që e sollën në pushtet dhe i dhanë çelësin e Tiranës, kërkojnë atë që nuk zgjidhi asgjë as në Francën e demokracisë, që lindi nga gijotina dhe vazhdon ta kërkoj zgjidhjen me gijotinë edhe sot nga jelekverdhët që i këndojnë me aq zell në çdo protestë: “Guillotine permanente”!
Franz Kafka thotë se besimi është si një gijotinë, po aq e vështirë, po aq e lehtë!
Sot shqiptarët duhet të kenë besim më shumë se kurrë edhe pas drejtësisë së munguar me rënien e komunizmit, për të gjithë ata që u ulën në prehrin e Enver Hoxhës dhe vazhdojnë të sundojnë në Shqipëri, se Edi Ramës po i vjen fundi dhe ai nuk duhet të përfundoj në gijotinë, por, para Ligjit.
Ky duhet të jetë dhe premtimi i parë i liderit të opozitës, Lulzim Basha, me ardhjen në pushtet; Dhe, me patjetër që ai të përfundoj në një burg të krimit dhe korrupsionit së bashku me bandën e tij, në një burg i cili do të pagëzohej “Edvin Kristaq Rama”.
Pas këtij zotimi, Lulzim Basha e ka të thjeshtë ta zgjidhë çështjen e Teatrit Kombëtar pavarësisht se çfarë i jep truri Edi Ramës gjatë këtyre ditëve. Për ata që nuk e kanë vizituar Muzeun e Berlinit, shkruan qartë: Artem non odit nisi ignarus! /Lexo shqip: Vetëm injoranti e urren artin!/ Sot, nesër ose pasnesër ai edhe mund ta shembë Teatrin por Lulzim Basha duhet t’ia bëjë të qartë si këtij që e shkatërron ashtu edhe atij që merr guximin ta ndërtoj mbi themelet e këtij Teatri, se Teatri sërish do të ndërtohet. Dhe, këtë shqiptarët kishin mundësi ta shohin edhe në vepër me kishat dhe xhamitë që i shkatërroi paraardhësi i Edi Ramës.
Vetëm besimi ktheu kishat, xhamitë dhe teqetë, po aty ku ishin para 40 viteve, dhe pa gijotinë! Monsinjor Dom Damjani, tashmë i ndjerë, rrëfente se pak para rënies së diktaturës, si I Dërguari i Vatikanit ishte futur në Shqipëri në mënyrë klandestine me 11 priftërinj të tjerë ndërsa po pritej rënia e komunizmit, për të analizuar gjendjen e fesë në vend. Ky bari i palodhur rrëfente se ndonëse kishte dhjetëra vite që feja ishte e ndaluar dhe nuk kishte kisha, ajo praktikohej dhe besimi në Zot ishte prezent më shumë se sa që ishte menduar!
Për skeptikët, duhet theksuar se besimin në Zot dhe Ligj e kanë vetëm njerëzit e fisëm. Djali i Gjon Marka Gjonit, Deda, ishte në burg 46 vjet. Historia e tij e trishtë ishte krimi i Tuk Jakovës. Pas pushtimit komunist të Shqipërisë, Deda minoren e kishte takuar Tukun dhe e kishte pyetur nëse mund të shkoj me familje në shtëpi meqë babai i tij po përndiqej nga partizanët. Tuku i kishte dhënë garanci se mund të shkoj pa merak në kullën e tij në Shkodër, por sapo shkeli aty, erdhën partizanët dhe e arrestuan. Për ironi, pas ca vjetësh, ata ishin në një burg duke vuajtur dënimin.
Kur komunizmi zyrtarisht kishte rënë, kur komunistët nuk ishin në pushtet por drejtësia ishte e munguar dhe unë po bisedoja me Zotin Dedë, e pyeta nëse i kishte thënë gjë Tuk Jakovës kur e takoi në burg. Dedë Gjon Marka Gjoni me fisnikërinë e tij ishte i prerë:
Çka ti them, marangoz i shkreti!
Sot, miqtë dhe bashkulësit në prehrin e Enver Hoxhës të Edi Ramës, mund ta urrejnë Ramën dhe të shohin ëndrra me gijotinë, por ata as sot nuk janë të fisëm që të reflektojnë, dhe nuk janë ata që duhet të kërkojnë përgjegjësi nga Edi Rama. Atë mund ta gjejnë në pasqyrë!
Shqiptarët normal, ndonëse e përjetuan çastin më të rëndësishëm historik të rënies së komunizmit dhe e panë se asnjëri nuk u dënua, duhet të kenë besim se Edi Rama do të përgjigjet para drejtësisë, edhe pse pas gjithë këtij krimi, korrupsioni dhe shkatërrimi të vendit nuk qëndron asgjë më shumë se, një:
Piktor i dështuar, i shkreti!