Serbët nga Kosova shkojnë në Serbi për të votuar

Autobusët në Mitrovicë të Veriut që po transportojnë serbët për në Serbi, për të votuar në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale serbe.
Autobusët në Mitrovicë të Veriut që po transportojnë serbët për në Serbi, për të votuar në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale serbe.
Shpërndaje
Print

Qytetarët serbë nga Kosova po shkojnë në Serbi për të votuar për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare serbe, të cilat po mbahen më 3 prill. Kjo pasi, Qeveria e Kosovës për herë të parë nuk lejoi mbajtjen e zgjedhjeve serbe brenda territorit të Kosovës.

Më shumë se 25 autobusë u panë në stacionin e autobusëve në Mitrovicë të Veriut, për të transportuar serbët për të votuar në Rashkë.

Transport iu është mundësuar edhe serbëve në Graçanicë. Në orët e para të mëngjesit të së dielës, serbët, kryesisht punonjës të institucioneve serbe në Kosovë, u dërguan me autobus në vendvotimet e tyre, në qytetin kufitar të Serbisë, Kurshumli.

Transporti i qytetarëve për në Serbi është bërë nën organizimin e komunave serbe, si ato që funksionojnë së sistemin e Kosovës, po ashtu ato në sistemin e Serbisë.

Komisioni Republikan i Zgjedhjeve të Serbisë ka thënë se rreth 100,000 serbë nga Kosova do të mund të votojnë në vendvotimet e tjera që gjenden në komunat në kufi me Kosovës siç janë Tutini, Rashka dhe Vranja.

Serbët në Graçanicë duke shkuar me autobus në Serbi për të votuar për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale.
Serbët në Graçanicë duke shkuar me autobus në Serbi për të votuar për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale.
Policia e Kosovës tha se për shkak të qarkullimit të shtuar të qytetarëve serbë që po shkojnë në Serbi për të votuar, janë krijuar kolona dhe pritje në dy pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën me Serbinë.

Ndërkaq, sa i përket aspektit të sigurisë lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë, Policia e Kosovës tha se situata është e qetë dhe stabile.

“Policia e Kosovës në këtë fushëveprim ka paraparë masat dhe veprimet e Policisë së Kosovës në funksion të ruajtjes së rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, garantimit të sigurisë së përgjithshme, si dhe shtimit të kapaciteteve të personelit policorë në pikat kufitare me qëllim të mundësimit të lëvizjes së lirë dhe qarkullimit kufitar”, u tha në njoftimin e Policisë.