Sekretari amerikan i Mbrojtjes drejt Evropës Lindore dhe NATO-s javën e ardhshme

 

Sekretari amerikan i Mbrojtjes do të vizitojë Evropën javën e ardhshme për të biseduar me aleatët rreth shqetësimeve për Rusinë, si dhe se ku duhet të përqëndrohet NATO pas përfundimkt të tërheqjes nga Afganistani. Njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carla Babb.

Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin do të shkojë në Evropë javën e ardhshme për të forcuar marrëdhëniet me aleatët.

“Do të vizitojë Gjeorgjinë, Ukrainën dhe Rumaninë dhe do ta përfundojë vizitën e rëndësishme me aleatët dhe partnerët në Bruksel, në ministerialin e NATO-s për mbrojtjen”, tha John Kirby, sekretar shtypi i Pentagonit.

Gjeorgjia, Ukraina dhe Rumania kanë vijë kufitare me Detin e Zi që shërben si pikë kalimi për Rusinë drejt rrugëve të rëndësishme tregtare në Mesdhe. Rumania është vend anëtar i NATO-s, ndërsa Ukraina dhe Gjeorgjia janë vende aspirante. Të dyja këto vende janë pjesërisht të pushtuara nga Rusia ose forca të mbështetura prej saj…

…Ukraina dhe Gjeorgjia gjenden kështu në krye të frontit kundër agresionit të Moskës.

“Është e rëndësishme që drejtues të lartë amerikanë të shkojnë në Gjeorgji dhe Ukrainë për t’i thënë popujve të lirë të këtyre dy vendeve që përballen me agresionin rus, se nuk ju kemi harruar dhe se duam t’ju mbështesim; se kur një vend autoritar pushton një vend fqinj demokratik, Amerika nuk qëndron neutrale”, thotë Bradley Bowman, nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive.

Pentagoni është përpjekur prej vitesh ta zhvendosë vëmendjen drejt kundërshtarëve të mundshëm si Rusia dhe Kina, dhe zoti Bowman thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të sigurohen që së bashku me aleatët ushtarakë të kenë kapacitetet e duhura në rast se vendet agresore kërkojnë të fillojnë konfliktin.

“Kina dhe Rusia kanë bashkërendimin më të madh që nga vitet 1950. Pra nuk është e paimagjinueshme që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët të përballen me agresion të njëkohshëm nga Kina dhe Rusia”, thotë ai.

Roli udhëheqës i Amerikës është kritikuar pas mënyrës se si u mbyll në gusht lufta në Afganistan. Talebanët, armiq të forcave afgane dhe ndërkombëtare prej dy dekadash, janë rikthyer në pushtet dhe shumë përparime të shoqërisë afgane po humbasin.

Zyrtarët e mbrojtjes i thanë Zërit të Amerikës se Sekretari Austin dhe aleatët e NATO-s do të diskutojnë javën e ardhshme se ku do të përqëndrohen ushtarakisht, tashmë që forcat e NATO-s janë larguar nga Afganistani.