SEECP, Kryeministri i Bullgarisë kundër Shefit të diplomacisë së BE, i mbyll gojën Daçiçit!

Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borisov, i tha Shefit të ri të diplomacisë evropiane, Josep Borell, në Samitin e SEECP, që karshi Kosovës të paraqes qëndrimin e Bashkimit Evropian, dhe jo atë të Spanjës; Dhe pas avokatisë që Daçiç i bëri Borellit, Borisov tha se nuk e kupton se çfarë ka të paqartë ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç.
Duke vazhduar polemikën me të, Kryeministri i Bullgarisë deklaroi se për Kosovën e ka thënë atë që e mendon dhe se në këtë pikë nuk ka asgjë të paqartë.
Në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore që po zhvillohet në Sarajevë të Bosnje dhe Hercegovinës, Borisov tha se duhet diskutuar për gjërat rreth të cilave nuk pajtohemi.
“Unë nuk e di se çfarë është e paqartë për qëndrimin tim rreth Kosovës. Unë thash atë që mendoj dhe normalisht që duhet të ulemi dhe të diskutojmë në mënyrë që të harmonizojmë atë për të cilat nuk pajtohemi. Edhe ne kemi çështje të hapura me Turqinë, e jo vetëm Beogradi dhe Prishtina, por ne ulemi, takohemi, flasim dhe krijojmë iniciativë dhe aktivitete të ndryshme që çojnë drejtë përparimit”, tha Borisov.
Ai gjithashtu tha se në vend që të diskutohet se çfarë kontributi do të ketë për rajonin ky organizim, po flitet për çështjen se pse përfaqësuesit e Prishtinës nuk po marrin pjesë në këtë Samit në Jahorina të Sarajevës.
Borisov theksoi se taksa 100% duhet larguar, pasi që sipas tij masa të tilla pengojnë gjithë rajonin.
“Ju mund të interpretoni fjalët e mia, por ne duhet të kuptojmë se është e nevojshëm të punojmë së bashku në rrugën drejt BE-së. Duhet të pranojmë kritika, të miratojmë këshilla dhe të shkojmë të gjithë së bashku drejt BE-së, përndryshe nuk mund të miratojmë vetëm disa përfundime nga takime të tilla”, tha ai.
Ndryshe debatin me Ivica Daçiç e ka nxitur një deklaratë e Borisov, i cili kërkoi nga Përfaqësuesi i ri i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri pranë BE, Josep Borell, që karshi Kosovës të paraqes qëndrimin e Bashkimit Evropian, dhe jo atë të Spanjës.
Borisov tha se pavarësisht a e njeh Spanja apo vendet e tjera pavarësinë e Kosovës, Borell duhet të përfaqësojë BE-në.
Por kjo deklaratë nuk i pëlqeu ministrit serb, Daçiç i cili tha se Borisov nuk duhet t’i japë leksione BE-së, por sipas tij duhet të respektojë vendimin e mos-njohjes së Kosovës. Madje ai shprehu keqardhje që Bullgaria e njohu pavarësinë e Kosovës.