Safeti

Nga Arben Bejko

Mbrëmë pashë të postuar në faqen e Kastriot Dervishit një foto klishe të propagandës së kohës së komunizmit.
-Ou, Safeti- thashë më vehte.
Safeti ishte polici i lagjes, ose si i quanin në atë kohë, “i plotfuqishmi”, term i frikshëm. Ishte jo më shumë se një metër e gjysmë i gjatë, lëvizte nëpër lagje me një biçikletë MIFA 24-she, (ishin biçikleta gjermanolindore një model midis biçikletave të fëmijëve dhe atyre të grave), me çantën prej lëkure krahëqafë të mbyllur me dryn. Janë detaje të pakuptueshme për brezin e ri, por ata që e kanë jetuar atë kohë, e dinë fare mirë që ato çanta të fusnin tmerrin.
Mund të kem qenë diku 12 vjeç në atë kohë, ishin pushimet e verës. Po luanim futboll para pallatit. Portat ishin hyrjet e shkalleve. Mua më vjen një top dhe e gjuaj me gjithë fuqinë, dhe në vend që të shënoja gol, theva xhamin e dritares së fqinjit që kishim përballë. Doli ne dritare nënë Urania një plakë shumë e mirë, ndjesë pastë. I kërkova falje dhe më tha s’ka gjë. Urania ishte vërtet një plakë e urtë që pinin kafe dhe bënin muhabet me gjyshen time përditë tek njëra tjetra si dy plaka përmetare të urta.
Që të mos e zgjas, mata xhamin tek dritarja e banjës sime, i mora lekë gjyshes dhe me vrap siç ishim te gjithë kalamajtë, shkuam te Rruga e Kavajës, afër Bogdanëve, bleva xhamin, u ktheva në shtëpi, mora çekiçin dhe thumbat dhe e vendosa xhamin.
Pasdite erdhën prindërit nga puna, gjyshja si e mirë që ishte nuk u tha gjë dhe sapo kishin mbaruar drekën bie zilja e derës. Shkova e hapa dhe shtanga ne vend. Safeti. Nuk ishte më i gjatë se unë që isha 12 vjeç, por emërtimi “i plotfuqishmi” e bënte të dukej mbi dy metra i gjatë.
-Aty i ke prindërit?
-Po
Hyri drejt e brenda. Kuptohet se si mbetën prindërit. Kush e ka pasur “xanxën” në biografi e di situatën. U ul në tavolinë nxori çelësin nga xhepi, hapi drynin e çantës, nxori një fije letër dhe stilolapsin dhe i vuri në tavolinë.
-Cili është Arbeni? – pyeti
Prindërit që mezi po kapërdiheshin treguan nga unë.
-Ka bërë një dëm sot, ka thyer një xham dritareje te komshiut.
Pashë që prindërit kthyen sytë me qortim nga gjyshja.
– Po thashë të hanit drekën një herë, pastaj do t’ua thosha – gënjeu e shkreta.
– Po une e bleva xhamin dhe e vendosa -ndërhyra unë me gjysëm zëri
– Që do ta vendosje, do ta vendosje si Çeçua, por na trego pse e theve? – ma preu rreptë “i plotfuqishmi”
– Po luanim dhe pa dashje i rashë me top.
– Do ta shohim – tha ndërsa po shkruante dreqi e di se çfarë në letër.
Po ky ku e mori vesh, pyesja veten.
-Mirë – tha me ton solemn duke u drejtuar nga prindërit – këtë radhë po e mbyll vetëm me një këshillim – pastaj m’u drejtua mua – ti do të vish me mua të kërkosh falje nëqoftëse është e vërtetë që e ke thyer pa dashje.
Dolëm dhe trokitëm tek dera përballë.
-Arbeni ka ardhur të kërkojë falje – i tha komshiut
-Për çfarë? – pyeti ai. Nuk ja kishte idenë se çfarë po thuhej, sepse edhe atij nënë Urania nuk i kishte thënë gjë akoma, siç e kanë të gjitha gjyshet.
-Që të theva xhamin e banjës- ndërhyra unë
-Po fëmijë janë, luajnë dhe bëjnë ndonjë zarar, na merr të keqen një copë xham – tha Urania duke u afruar tek dera.
-Aaaa, jo nëne -ja preu “i plotfuqishmi” – sot bëjnë një gabim, nesër një faj, pasnesër një krim, po vazhduat ju plakat duke i fshehur, këta përfundojnë në burg, apo këtë doni ju?
-Po jo mor djalë, ç’janë këto muhabete, pse ti kur ke qënë i vogël nuk ke bërë ndonjëherë prapësi?
-Ishte kohe tjetër ajo, ishte regjim tjetër – i tha Safeti i zënë ngushtë – Nejse, po e mbyllim këtu. Ti – më drejtoi gishtin mua – mos e përsërit më, se pastaj do të kemi të tjera muhabete bashkë.
-Po – ju përgjigja.
Kuptohet “gjyqi” që mu be mua dhe gjyshes si bashkëpuntore e imja, jo për një xham që kisha thyer, por që kisha sjellë policinë në shtëpi.
Kanë kaluar plot 50 vjet nga kjo ngjarje, dhe i kam të gjitha detajet para syve sikur ka ndodhur sot. Pyetjes sime të atëhërshme se ku e mori vesh “i plotfuqishmi”, ma dha përgjigjen fotoja e postuar nga Kastriot Dervishi.