Rusia dhe taktikat e frikësimit ndaj gazetarëve

 

Akuzat e kohëve të fundit se një oligark me lidhje të ngushta personale me presidentin rus Vladimir Putin qëndron pas disa sulmeve dhe të paktën një vrasjeje, ka detyruar disa gazetarë dhe avokatë të lirë për të mbajtur qëndrim kundër taktikave të frikësimit në Rusi.

Një artikull i 22 tetorit në gazetën Novaya shkruar nga Denis Korotkov, të cilit vetëm disa ditë para publikimit i erdhi në shtëpi një kurorë funerale me një kërcënim anonim, dhe një shportë me kokën e prerë të një dhije jashtë redaksisë së tij, thotë se biznesmeni miliarder Yevgeny Prigozhin ka drejtuar atentate klandestine në disa kontinente.

Yevgeny Prigozhin, i njohur si “Kuzhinieri i Putinit” për përgatitjen e banketeve presidenciale dhe ndonjëherë personalisht në pritjen e mysafirëve të rëndësishëm, është akuzuar nga hetuesit amerikanë se është përpjekur të ndërhyjë në zgjedhjet e vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara.

Në shkrimin investigativ mbi Yevgeny Prigozhin, titulluar “Kuzhinieri pëlqen atë me aromë”, Valery Alemchenko, një ish-i dënuar, i cili ka punuar për zotin Prigozhin, jep hollësi rreth sulmeve fizike të Yevgeny Prigozhinit ndaj kundërshtarëve, si dhe vrasjen e një blogeri opozitar në Rusinë veriperëndimore, të gjitha në urdhërin e “të madhit”.

Valeri Alemchenko gjithashtu tregon se disa punonjës të Yevgeny Prigozhinit shkuan në Siri vitin e kaluar për të testuar një helm të panjohur mbi sirianët të cilët kishin refuzuar të luftonin për qeverinë e Presidentit Bashar al-Assad, një pohim që gazeta Novaya e ka konfirmuar nga dy burime të tjera.

Valeri Alemchenko u zhduk menjëherë pas këtij rrëfimi dhe tani është në listën e policisë ruse të personave të zhdukur.

Rreziku i mosveprimit

Për gazetarin Boris Vishnevsky, kërcënimet dhe zhdukjet e fundit i kanë mësuar atij një gjë, se kërcënimi më i madh për kolegët dhe burimet e tyre është mosveprimi.

“Unë besoj se informacioni i botuar nga ‘Novaya Gazeta’ nuk mund të qëndrojë vetëm brenda rrethit të lexuesve të saj,” tha gazetari Vishnevsky për Shërbimin rus të Zërit të Amerikës, duke shpjeguar pse ai i ka bërë thirrje prokurorit të përgjithshëm të Rusisë dhe ligjvënësve federalë për të kryer një hetim mbi akuzat e fundit rreth Prigozhin, dhe kërcënimeve kundër atyre që i raportuan ato.

FILE – Evgeny Prigozhin (L) assists then-Russian Prime Minister Vladimir Putin during a dinner at Cheval Blanc restaurant on the premises of an equestrian complex outside Moscow, Russia, Nov. 11, 2011.
FILE – Evgeny Prigozhin (L) assists then-Russian Prime Minister Vladimir Putin during a dinner at Cheval Blanc restaurant on the premises of an equestrian complex outside Moscow, Russia, Nov. 11, 2011.
“Këto janë dyshime shumë të rënda për pjesmarrje në krime, duke përfshirë vrasjet e njerëzve që thjesht janë të lidhura me zotin Prigozhin dhe strukturat e tij”, tha gazetari Vishnevsky, i cili është gjithashtu deputet në Asamblenë Legjislative të Shën Petersburgut.

“Kjo dëshmi duhet të kontrollohet, dhe unë mendoj se ka emra të mjaftueshëm, janë përmendur dëshmi, prandaj më duket e pamundur që të mos hetohen.”

Ankesa e Boris Vishnevskit përkon me një deklaratë të Bashkimit të Gazetarëve të rajonit të Shën Petersburg dhe Leningradit,që shpreh shqetësime rreth kërcënimeve të drejtuara ndaj Denis Korotkovit.

I pyetur nëse hetuesit rusë do të vëzhgonin në mënyrë aktive ndonjë prej bashkëpunëtorëve më të afërt të presidentit Putin, gazetari Vishnevsky tha se kjo është çështje tjetër.

“Nuk besoj se duhet të ketë iluzione për rezultatet e hetimit, veçanërisht për përfundimet që do të nxirren,” tha ai. Megjithatë, unë dua të shoh shpjegime zyrtare nga zyra e prokurorit të përgjithshëm dhe komisionit hetimor mbi raportet e krimeve të përfshira në artikullin e Denis Korotkovit.

“E kuptoj se do të bëhet gjithçka për të mbuluar e mbrojtur z. Prigozhin,” shtoi ai. “Por nëse nuk kërkohet një verifikim, atëherë nuk mund të presësh asgjë”.

Për shkak se Neni 144 i Kodit Penal rus thotë se krimet e raportuara në media duhet të shqyrtohen nga prokurorët dhe hetuesit federalë, gazetari Vishnevsky thotë se pret që të ketë një farë hetimi.

‘Vala e dytë’ e gazetarisë investigative

Roman Zakharov i Fondacionit Glasnost, organizatë joqeveritare që mbron lirinë e shtypit, thotë se kërcënimet ndaj Denis Korotkovit janë jashtëzakonisht serioze dhe se ato vijnë mes një “vale të dytë” të fuqishme të gazetarisë investigative në Rusi.

“Vala e parë e këtij zhanri ndodhi gjatë viteve të zhvillimit demokratik të Rusisë, por ne e morëm “si të mirëqenë,” thotë zoti Zakharov për Zërin e Amerikës. “Dhe tani ekziston një valë e dytë e gazetarisë investigative ku marrin pjesë shumë gazetarë të rinj të cilët shkruajnë për krimet ekonomike, për korrupsionin, për lidhjet e mafias me politikanët “.

Me rritjen e raportimit investigativ, thotë ai, vjen edhe një rritje e kërcënimeve ndaj gazetarëve dhe redaktorëve.

“Natyrisht që redaktorët përpiqen të mbrojnë gazetarët e tyre, por, siç e shohim nga praktika, fuqitë e vetë redaktorëve janë të kufizuara,” thotë Roman Zakharov i Fondacionit Glasnost, duke iu referuar vrasjeve të gazetarëve rusë gjatë dekadave. “Por të gjithë të thonë privatisht me shaka se është e pamundur të kundërshtohet mafia, e jo pastaj shteti”, shton ai.

Siç raportohet gjerësisht në median perëndimore, disa nga firmat në pronësi private të Yevgeny Prigozhin, si p.sh. shoqëria e hotelerisë Concord, u përdorën për fushatat e dezinformimit në zgjedhjet amerikane.

Më parë këtë muaj, zyrtarët amerikanë ngritën akuza kundër punonjëses së zotit Prigozhin, Elena Khusyaynova se ka ndihmuar mbikëqyrjen e financave të agjencisë “Internet Research” me bazë në Shën Petersburg, që kishte për qëllim të ndikonte votuesit amerikanë përmes postimeve në mediat sociale.

Aktivitetet e firmës private të sigurimit Wagner, pronë e zotit Prigozhin,që ka kryer operacione në Ukrainë, Siri, në Republikën e Afrikës Qendrore dhe Sudan, gjithashtu janë të dokumentuara mirë.

Një anëtar tjetër i sigurimit të Yevgeni Prigozhinit, Oleg Simonov, është dyshuar për sulm ndaj bashkëshortit të një aktivisteje opozitare duke e injektuar atë me helm, dhe që vdiq vitin e kaluar në rrethana të dyshimta.

“Prapa të gjitha mesazheve kërcënuese, kurorave funerale dhe kokës së prerë të dhisë, qëndrojnë njerëz që nuk ndalen dhe nuk tërhiqen para asgjëje”, thotë Roman Zakharov, duke theksuar se “ata janë gati të vrasin edhe bashkëpunëtorët e vet”.

“Ekziston nevoja për të mbledhur të gjithë komunitetin gazetaresk dhe qytetarët dhe të themi “Jo, zoti Prigozhin! Mos i prek gazetarët, mos i kërcëno ata. Nëse nuk pajtoheni me publikimet, ngrini padi në gjykatë. Veproni me mjete ligjore, edhe nëse Kremlini dhe autoritetet janë në anën tuaj”, thotë zoti Zakharov. ”

Rusia aktualisht renditet e 148-a nga 180 vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit për vitin 2018, raport i organizatës ndërkombëtare Gazetarët pa kufij.

*Ky material u përgatit nga Shërbimin rus i Zërit të Amerikës. Disa informacione për këtë raport janë siguruar nga AP.