Rreth 100 studentë kosovarë kanë mbetur në Turqi

 

Tringa Dreshaj është një nga shumë studentët kosovarë që kanë mbetur në Turqi që nga shfaqja e pandemisë së koronavirusit të ri.

Ajo ka mbetur e izoluar në Ankara prej se universiteti ku studion pezulloi aktivitetin si pasojë e masave të qeverisë turke në luftën kundër shpërndarjes së koronavirusit të ri.

Gjatë javëve të kaluara, Tringa thotë se ka kontaktuar shumë herë Ambasadën e Kosovës në Turqi duke kërkuar mundësimin e kthimit në Kosovë.

“Kemi bërë kërkesë individuale dhe grupore përmes Unionit Studentor të Shqiptarëve në Turqi në Ambasadën e Kosovës që ndoshta në formë grupore mund të na bëjnë një zgjidhje. Përgjigja e ambasadës ka qenë që nuk është asgjë në dorën tonë dhe e vetmja çfarë mund të bëjmë është të bëjmë trysni në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës që të realizojë një fluturim”.

”Ai fluturim nuk është ditur se kur do të bëhet, por në një periudhë sa më të shpejtë. Ai fluturim është realizuar javën e kaluar mirëpo në atë fluturim kanë pasur përparësi personat që kanë qenë të hospitalizuar në Turqi dhe personat që kanë mbetur pa dokumentacion dhe diku rreth pesë studentë që kanë pasur nevoja shëndetësore”, thotë Dreshaj.

 

Dy muajt e kaluar prej se Tringa është në izolim kanë qenë të rënda për të dhe studentët e tjerë pasi janë ndjerë të vetëm në kohën e pandemisë.

“Gjithmonë e kemi pasur në mendje problemin se nëse diçka na ndodh, kush ka me qenë afër neve që me u kujdes për neve, një infektim i mundshëm prej virusit duke e ditë se kemi pasur kontakte të vazhdueshme me njerëz të tjerë para se të përhapej virusi”, thotë Dreshaj.

Njëjtë si Tringa, në Turqi kanë mbetur rreth 100 studentë të tjerë kosovarë.

Shumica prej tyre janë vendosur nëpër konvikte studentore nga autoritetet turke.

Si shumë shtete të tjera të botës edhe institucionet turke u përballën me pandeminë e koronavirusit të ri.

Anembanë Turqisë u mbyllen universitete dhe u vendosën masa të kufizimit të lëvizjes.

Pas shtimit të rasteve të konfirmuara me koronavirus, institucionet turke i vendosën në konvikte studentët ndërkombëtarë.

Në një konvikt të tillë në Stamboll po qëndron e izoluar edhe Mjellma Gjurgjeviku.

Mjellma thotë se ka bërë kërkesë zyrtare për kthim në Kosovë pasi ka qenë e frikësuar që gjatë pandemisë të qëndrojë e vetme në Turqi.

“Është dashtë të mendohet pak më shumë për studentët. Familjarët tonë normalisht se gjatë gjithë kohës kanë qenë shumë të shqetësuar dhe janë ende të shqetësuar për fatin tonë se çfarë do të bëhet me neve, se a do të kthehemi apo do të mbesim në Turqi. Por, çfarë kemi bërë ne është se ju kemi drejtuar ambasadës menjëherë, personalisht unë ju kam drejtuar para një muaji e gjysmë përmes postës elektronike pastaj i kam telefonuar shumë herë duke i pyetur dhe duke ju thënë se ne nuk kemi derë tjetër dhe se ju jeni ata të cilët duhet ta na informoni dhe të merreni me ne”, thotë Gjurgjeviku.

Mjellma thotë se do të ishte shumë e lumtur nëse institucionet e Kosovës do t’ia mundësonin asaj kthimin në shtëpi.

Përkundër kërkesave të studentëve kosovarë për kthim nga Turqia, një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë, të paktën në dy javët e ardhshme.

Fluturime priten nga Suedia, SHBA-ja dhe Gjermania

Në Ministrinë e Transportit thonë se janë në njohuri për kërkesat e studentëve, porse aktualisht është i pamundur organizimi i një fluturimi me Turqinë.

Shefi i kabinetit të Ministrit të Infrastrukturës, Alban Zogaj, thotë se janë të planifikuara disa fluturime me shtete të tjera përpara se t’i vije radha sërish Turqisë.

Zogaj thotë se në kthim kanë pasur përparësi personat që kanë qenë në situata më emergjente se sa studentët.

“Ne e kishim një fluturim nga Turqia. Ka pasur raste shëndetësore shumë e tash jemi në planifikim e sipër për fluturimin e radhës, por para Turqisë i kemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe atje ka studentë dhe nxënës të shkollave të mesme. Kështu që kjo java e parë e majit është Suedia me SHBA-në dhe një fluturim me Gjermaninë. Pra, Turqisë i vjen radha me vonë dikur që të kemi fluturimin e radhës. Përmes ambasadave ne po mundohemi që të qasemi të rastet që janë më emergjente. Sa më emergjent rasti, aq më prioritet ka. Raste emergjente ka shumë, sidomos raste shëndetësore”, thotë Zogaj.

Zogaj thotë se kthimi përcaktohet edhe nga vendet në dispozicion të karantinës.

Sipas rregullave në fuqi, çdo person që kthehet nga vendet e jashtme në Kosovë është i obliguar që të qëndrojë 14 ditë në Qendrën e Studentëve në Prishtinë si masë parandaluese ndaj mundësisë së përhapjes së koronavirusit.

Përveç Turqisë, shumë studentë kosovarë kanë mbetur në vende të tjera të botës për shkak të ndërprerjes së linjave ajrore dhe mbylljes së kufijve.

Ministria e Transportit kohë pas kohe është duke organizuar fluturime porse ende mbesin shumë qytetarë në pritje për tu kthyer në vendin e tyre.