Roberto Saviano: Lidhjet e shtetit komunist shqiptar me Mafian italiane kur Gramoz Ruçi ishte ministër

Bisedoi Rudina Xhunga

 

…..Të flasim pak për Shqipërinë. Keni shkruar aq shumë për Shqipërinë, sa mbeta pa fjalë. Flisnit për mafien shqiptare. Sipas jush, është kaq e fuqishme?

Ekziston shumë fuqishëm dhe për mendimin tim është një nga mafiet e panjohura më mizore në botë. Është më pak e njohur se bën më pak gjëra. Organet gjyqësore, policia financiare, karabinierët, antidroga, antimafia kanë shumë dokumente për praninë e mafies shqiptare në Itali. Duhet bërë një dallim i madh mes mafies shqiptare kosovare, mafies shqiptare të Shqipërisë dhe mafies shqiptare të Maqedonisë.

Nuk bashkëpunojnë?

Bashkëpunojnë, por s‘është e njëjta gjë. Dhe kanë lidhje shumë të forta me organizata kriminale shqiptare në Nju Jork. Mafia shqiptare që njoh më mirë është ajo që kishte lidhje në territorin tim. Klani i Kazalezëve, një klan shumë i fuqishëm, ka qenë klani i parë i një organizate mafioze italiane, që i ka hapur dyert një të huaji. Të huajt e parë që hynë në organizatë kanë qenë shqiptarët, sepse kanë një strukturë sociale dhe familjare shumë të ngjashme me atë italiane. Zbatojnë në njëfarë mënyre kanunin, që jep shumë siguri, sepse rregullat janë të qarta, të shkruara. Të gjithë mund t‘i mësojnë dhe t‘i respektojnë. Respektohen shumë “kapot e maleve”, që zbatojnë me përpikëri Kanunin. Mbi të gjitha, janë organizata që kanë ardhur në vitet ‘90. Ka qenë një bos shqiptar që i dhanë një zonë të tërë, quhej…

Çfarë është ky?

Një bos, të cilit Kazalezët i dhanë një territor të tërë. Nuk kishte ndodhur kurrë në historinë e kriminalitetit italian që një i huaj të drejtonte aktivitetin kriminal të një territori.

Çfarë ishte ky njeri? Me çfarë merrej?

Me gjithçka. Zhvatje, drogë, por mbi të gjitha çimento. Firmat e ndërtimit që ndërtojnë dhe rikonstruktojnë. Mafia shqiptare në këtë territor, jo vetëm është shumë e fuqishme, por para disa muajsh pati dhe të vdekur. Dy shqiptarë të implikuar u vranë sepse nuk kishin paguar atë që duhej të paguanin për përqindjen e trafikut të drogës që drejtonin.

Këtë mendoj gjithmonë kur dëgjoj për shqiptarët që vriten. Shqiptarët këtu janë shpërndarës droge që marrin shumë pak para, hiçgjë. S‘është kështu?

Mendoj se ka qenë kështu, por sot, mafia shqiptare dhe shpërndarësit shqiptarë të drogës kanë bërë karrierë. Sot, djemtë që shpërndajnë drogë në rrugë, janë më shumë afrikanë, nigerianë, rumunë. Të gjitha ato organizata që janë të dobëta. Mafia shqiptare ka familje të fuqishme që lejojnë keqbërësit italianë dhe shqiptarë të jetojnë të qetë në Shqipëri. Shqiptarët që kryejnë krime në Itali dhe jetojnë qetësisht në Shqipëri, këtu janë kriminelë, sepse familjet arrijnë të korruptojnë gjykatësit shqiptarë, të paktën një pjesë të tyre. Mafiozët shqiptarë dhe kamorristët janë e njëjta gjë. Bëjnë dhe martesa mes tyre.

Martohen me njëri-tjetrin?

Një bos i mafies në Domiciana, në zonën bregdetare, u martua me një shqiptare. Shqiptare nga fshati. Është diçka shumë e papritur, sepse bosët e mafies, femrat nga Lindja i mbajnë si dashnore, por nuk martohen kurrë me to, sepse martesa është gjithmonë një marrëveshje ekonomike. Sot, kjo gjë po ndryshon. Kjo ka qenë e kaluara. Në të shkuarën, femrat nga Lindja, polake, rumune edhe shqiptare, konsideroheshin si dashnore të përkryera që toleroheshin dhe nga gratë. Nëse një bos kishte një dashnore italiane, përbënte problem. Kurse një dashnore nga Lindja tolerohej.

Si ka mundësi që dini kaq shumë gjëra për mafien shqiptare?

I kam parë gjithmonë. Për shembull, bullgarët i kam parë më pak, edhe pse janë një mafie më e pranishme në Itali.

Çfarë bën mafia shqiptare?

Mafia shqiptare ka filluar me prostitucion. Ai ka qenë një nga elementët e parë. Punonin prostitutat shqiptare, por edhe ato sllave. Polaket, rumunet, nga Republika Çeke. Pastaj eci përpara. Nga trafiku i drogës tani ka kaluar te çimento. Kështu dhe ata u futën në biznesin e madh.

Kur ka filluar kjo lidhje?

Që në fund të viteve ‘80. Në fund të viteve ‘80, është parë prania e shqiptarëve në Itali, por ka nisur që në vitet ‘70 me kontrabandën. Shqipëria dhe Mali i Zi janë vende në dorë të organizatave kriminale.

Bëhet fjalë për një periudhë kur në Shqipëri kishte diktaturë?

Po.

Edhe në atë kohë ka pasur mafie?

Sigurisht. Si në Shqipëri, ashtu dhe në Republikën e ish-Jugosllavisë, kanë qenë personazhe të blerë nga organizatat kriminale.

Kush?

Drejtues komunistë që paguheshin nga organizatat kriminale. Firma e parë që investoi në Rumaninë e pas Çausheskut, quhej “Albanova Eserel”. Albanova është emri i vjetër i Kazal Del Prinçipe, kryeqytetit të “Kamorrës”. Kjo firmë kishte marrëveshje të bëra para rrëzimit të murit me të gjithë drejtuesit komunistë që nuk merrnin më paga nga shteti, por ua jepnin ata. Edhe policia bregdetare shqiptare dhe e Malit të Zi paguheshin nga Sakra Korona Unita, për kontrabandë cigaresh. Kur u rrëzua komunizmi, të parët që shkelën në këto vende ishin organizatat kriminale, që më pas ndihmuan dhe sipërmarrësit e ndershëm të huaj të shkonin aty. Nëse një napolitan ose milanez shkon në Shqipëri të investojë, ka njëmijë probleme me burokracinë. Nëse shkon nëpërmjet organizatës kriminale italiane, gjithçka është e zgjidhur. Ata dinë me kë të flasin për të marrë autorizime, rroga të qeta. Kjo është magjia e organizatave kriminale, që funksionojnë si motor ekonomik.

Kuptoj çfarë bëjnë shqiptarët në Itali. Po mafiozët e “Kamorrës”, çfarë bëjnë në Shqipëri?

Investojnë në çfarëdolloj ndërmarrjeje. Për shembull, në metalurgji, në ndërtimin e makinave, që nuk janë më në Itali, rroba, këpucë dhe investojnë në hoteleri. Në ish- vendet komuniste nuk ka traditë të turizmit, ka humbur. Ata vijnë dhe bëjnë turizëm.

Bëhet fjalë po për ata njerëz të viteve ‘80, apo për njerëz të tjerë?

Ka dhe njerëz të tjerë. Tani kriminelët e rinj po investojnë shumë në Evropën Lindore.

A keni dokumente për të shkruar një libër të ri për mafien shqiptare?

E shoh me kureshtje të madhe mafien shqiptare, sepse ka një ëndërr të madhe te mafiozët e mëdhenj shqiptarë. Ta bëjnë Kosovën Kolumbinë e re të Evropës. Të mbjellin kokainë transgjenike, që të rritet në temperatura të ndryshme nga ato të Amerikës së Jugut. Të mbjellin kokainën transgjenike në Kosovë dhe të lejojnë mafien shqiptare të ketë monopolin e kokainës. Sot nuk mund të bëhet, sepse kokaina transgjenike, që tashmë ekziston në Kosovë, është shumë e kushtueshme. Prandaj nuk ka leverdi. Është më e leverdisshme ta importosh nga Amerika e Jugut se ta prodhosh. Por pas njëzet vjetësh, Kosova do të jetë padyshim Kolumbia e re.

Do të jetë vërtet?

Të gjithë vëzhguesit ndërkombëtarë mendojnë se do të ndodhë kështu.

Po politikanët çfarë bëjnë ndërkohë? A kanë nevojë politikanët për mafien? Apo është mafia ajo që ka nevojë për politikën?

Unë mendoj se është politika ajo që ka nevojë për mafien. Në të shkuarën, nuk ka qenë kështu, kurse sot është.

Pse?

Sepse organizatat mafioze janë sipërmarrje. Është njësoj sikur një vend të hiqte dorë nga BMW-ja, “Microsoft”-i. Faturimi në Itali i tri mafieve, sipas Prokurorisë Kombëtare Antimafie, është 100 miliardë euro në vit. Sipërmarrja më e madhe italiane. Si mund të heqësh dorë nga një shifër e tillë?

Ata janë të armatosur. Ti ke vetëm fjalët. Por ata kanë frikë nga ti. Mund të kihet frikë nga fjalët?

Vetëm nëse dëgjohen. Unë ekzistoj për sa kohë më dëgjojnë. Kur të reshtin së më dëgjuari, nuk do të ekzistoj më.

Atëherë, uroj që të shkruani dhe që t‘ju dëgjojnë.

Faleminderit.

Roberto Saviano ka lindur në Napoli, më 22 shtator 1979

Gazetar, bashkëpunëtor i “La Repubblica”, “L‘Espresso”, “Times”, “El Pais”, “Washington Post”

Shkrimtar, autor i librit “Gomorra” 2006

Në dy vjet, “Gomorra” është përkthyer dhe botuar në 42 shtete

2006-2008, libri më i shitur në Gjermani, Angli, Holandë, Spanjë, Francë, Suedi dhe Finlandë

“New York Times” e ka cilësuar si një nga librat më të rëndësishëm të 2007-ës

“The Economist” e ka përfshirë në 100 librat e vitit

Libri “Gomorra” është bërë film, me bashkëskenarist Roberto Savianon

Më 24 shtator 2008, filmi “Gomorra” u zgjodh të përfaqësojë Italinë në garën për çmimin “Oskar”, si filmin më të mirë të huaj

“Gomorra” fitoi pesë çmime “Oskar” në Akademinë e Filmit Evropian, si filmi më i mirë, regjia më e mirë, aktori më i mirë, skenari më i mirë dhe fotografia më e mirë…

Marrë nga Gazeta: Shqip