“Rikthimi i Berishës përforcon PS-në “ Agim Baçi : Basha fajtor që lejoi dualizmin

Gazetari Agim Baçi ka qenë i ftuar ditën e sotme në emisionin e Fax News “Me Xhaxhiun” për të folur për situatën aktuale në Partinë Demokratike.

Agim Baçi sheh një mospërputhje në fjalimet e Berishës, i cili thotë se do të rregullojë statutin e partisë por nga ana tjetër nuk njeh kryesinë.

“Berisha është munduar të tërheqë aty ku e njeh më mirë situatën që është gjuha revolucionare. Ai thotë do të rregulloj respektin ndaj statutit të partisë, pastaj thotë nuk njoh kryesinë. Thotë do hap garën për PD por unë do bëhem kryetari. Do hap primaret thotë por unë do jem kryeministri. Përveçse është gjuhë autoritare është dhe linçuese“, tha Baçi.

Sipas Agim Baçit, kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka përgjegjësinë që ka lejuar dualizmin në parti , gjë e cila solli dhe krizën e sotme.

“Kjo tregon që Berisha ka qenë njohës i mirë i elektoratit të PD-së. Sot thotë që jam konservator. Por ai ishte i pari që i hapi rrugën debatit për homoseksualet në Shqipëri duke kaluar ligjin për mosdiskriminimin. Madje ka krenari ndaj zotit Rama duke e akuzuar se ende nuk ka bërë asnjë martesë të tillë kur ishte kryetar bashkie. Z.Basha mban përgjegjësi që ka lejuar dualizmin. Pavarësisht se i ka pëlqyer të dyve kjo. Kriza ka lindur pikërisht nga dualizmi“, tha ai.

Ndër të tjera, Agim Baçi deklaroi se Sali Berisha duhet të ishte tërhequr me kohë nga PD.

“Berisha është njeriu i gabuar që po thotë gjërat e duhura. Ai ka bekuar çdo lëvizje të Bashës. S’ka pasur asnjë kundërshti publike nga z.Berisha ndaj z.Basha. Përpjekjet për t’ia ngecur vendimmarrjen pa influencën e z.Berisha nuk mund të kapërdihen. Me gjuhën që përdor z.Berisha, fatkeqësisht sot duket sikur kemi dy parti të majta. Gjuha linçuese, gjuha e mospranimit të mendimit të tjetrit. Imagjino të ndërtosh partinë e lirisë dhe të mendosh se ke të drejtë vetëm ti është paradoks i madh. Rikthimi i Berishës nuk do të bënte gjë tjetër veçse do të përforconte PS-në. Midis dy të majtave do të fitonte ajo tradicionalja. Unë do të doja që Berisha të ishte tërhequr shumë kohë më parë”, përfundoi ai.