Refuzoi pandeminë – Suedia po e mposht koronavirusin

 

 

Suedia ishte ndër ato vendet e cila që në fillim dhe deri vonë e “injoroi” pandeminë globale duke mos marrë asnjë masë, gjë që u kritikua nga vendet e tjera pasi në botë vijonin viktimat nga Covid-19.

Pavarësisht panikut global rreth sëmundjes tejet të rrezikshme që ka sjellë më shumë se 168 mijë të vdekur në mbarë botën, Suedia zgjodhi të mbante hapur baret, restorantet, palestrat e kinematë. Një vendim i tillë u cilësua si “çmenduri” nga opinioni publik me njerëz të shumtë që shpreheshin se ishin të frikësuar të vijonin të qëndronin në vend pasi pasojat mund të ishin katastrofike.

E megjithatë, ekspertët e mjekësisë në Suedi duket se nuk paskan gabuar. Në një intervistë televizive, epidemiologu suedez Anders Tegnell ka deklaruar se Stokholmi mund të arrijë imunitetin e tufës brenda muajit të ardhshëm.

“Në jemi ende në nivelin që ishim pak javë më parë. Patëm pikun pak para Pashkëve dhe tani duket se kurba po ulet.”-është shprehur mjeku. “Sipas Agjencisë së Shëndetit Publik në Suedi, ka aq shumë persona me imunitet ndaj koronavirusit në Stockholm, sa po ndikon në përhapjen e infeksionit. Sipas përllogaritjeve tona, kjo mund të arrihet plotësisht në maj.”-është shprehur dr. Tegnell.

Aktualisht, në Suedi ka 1.540 të vdekur dhe 14.385 raste të konfirmuara të infektuara.Megjithatë, disa masa janë marrë, si anulimi i ndeshjeve të futbollit, grupimet me më shumë se 50 njerëz janë të ndaluara e po ashtu universitetet janë mbyllur.Qeveria suedeze u ka bërë thirrje qytetarëve të tregohen të përgjegjshëm lidhur me distancimin social, por pa i vendosur rregulla strikte.Tashmë rreth 50% e forcës punëtore suedeze punon nga shtëpia dhe transporti publik është përgjysmuar, ndërkohë që mësohet se Stokholmi ka rreth 70% më pak lëvizje në tërësi.Kjo strategji liberale është kundërshtuar nga 2300 akademikë që i kanë dërguar një letër të hapur qeverisë duke kërkuar masa më të ashpra, ndërsa kritikë të shumtë kanë deklaruar se me këtë strategji, janë sakrifikuar të moshuarit, pasi përhapja e epidemisë ka qenë alarmante në azile.

Por sipas dr. Tegnell, ky nuk ishte dështim i strategjisë në tërësi, por dështim për të siguruar jetët e të moshuarve në azile.