Rama sulmon VOA: Erdhi dita të flasë nga kazani i Tiranës. Basha: Sulm i turpshem

Kryeministri Edi Rama i përgjigjet në Twitter një artikulli të gjatë të publikuar në Zërin e Amerikës në lidhje me punësimet e militantëve socialistë nëpër burgje.

Reagimi erdhi pasi Zëri i Amerikës publikoi pjese nga pergjimet e dosjes se ish-drejtorit te Burgjeve, Arben Çuko.

Rama në Twitter: “Erdhi dita që Zëri i Amerikës të flasë nga kazani i Tiranës, duke përgojuar dynjanë mbi bazë llogjesh telefonike. Për herë të parë në Albania organizohet konkurs publik për punësimet në burgje dhe kazani gjëmon deri në Amerikë e jehon në katundin tonë mediatik. Çfarë katandie”.

Në një postim të dytë, kryeministri thotë se po sulmohen ata që po përpiqen t’i vënë fre zullumit.

Rama: “Shkoni verifikoni dokumentet e konkursit e ballafaqoni rezultatet me rekrutimet, pastaj hidhni baltë sa të doni! U kujtuat për emërimet partiake në administratë, pas 30 vjetësh dhe duke sulmuar ultësisht, e aspak gazetarisht, pikërisht ata që po bëjnë çmos t’i vënë fre zullumit”.

Sipas Zërit të Amerikës, hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për ish-drejtorin e Burgjeve, Arben Çuko ekspozojnë farsën e konkurseve publike dhe ndërhyrjet për punësime nga zyrtarë lokalë, deputetë të Partisë Socialiste dhe në një rast, edhe nga kabineti i kryeministrit Edi Rama.

Më 30 prill 2018, drejtori i Përgjithshëm në atë kohë i Burgjeve, Arben Çuko mori një telefonatë nga kabineti i kryeministrit Edi Rama. Biseda bëhej me porosi të drejtoreshës së kabinetit, Vali Bizhga dhe kishte në fokus punësimin e një vajze.

Çuko, i cili ndodhej nën përgjim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pohon në bisedë se e kishte firmosur punësimin më herët atë ditë.

Zëri i Amerikës zbardh përgjimet: Si emërohet militantët e PS nëpër burgje

Basha: Sulmi ndaj Zërit të Amerikës akt i turpshëm i Ramës

Kreu i opozitës, Lulzim Basha, e ka cilësuar një akt të turpshëm, sulmin e kryeministrit Edi Rama ndaj ‘Zërit të Amerikës’, pas publikimit të skandalit të punësimeve në Shqipëri.

Me anë të një reagimi në rrjete sociale, Basha shkruan se Rama për të mbrojtur paratë e krimit dhe korrupsionit është i gatshme të sulmojë këdo;

Ja reagimi i Bashës në twitter:

Sulmi ndaj VOA është akt i turpshëm dhe i dëshpëruar i një të degraduari nga korrupsioni dhe lidhjet me krimin. Për të mbrojtur paratë dhe pushtetin ai është i gatshëm të sulmojë e denigrojë këdo. Fasada ra, tani është koha për ta shkulur atë dhe modelin e tij njëherë e mirë!