Rama bëri thirrje të mos paguhen qeratë, PD kundër: Pse nuk thua kështu për dritat dhe ujin?!
Kryeministri Edi Rama bëri thirrje sot se qytetarët që kanë humbur punën, dhe bizneset e vegjël që janë mbyllur për shkak të koronavirusit, të mos paguajnë qeratë e tyre.
Thirrja e Ramës ishte dhe për qeramarrësit, që sipas tij duhet të mos bëjnë presion, ndryshe do të gjobiten nga ana e shtetit, me pesëfishin e çmimit të qerasë.
Një masë kjo e propozuar nga Rama që padyshim mund të pasojë me përplasje mes vetë qytetarëve, pasi në shumicën e rasteve, me qeratë, ata që i lëshojnë ambientet sigurojnë dhe të ardhurat për familjet e tyre.
Ndryshe nga qeratë, Rama u tregua i prerë për ujin e dritat, që tha se duhet ti paguajnë të gjithë, në të kundërt do ti priten. Pikërisht ky standard i dyfishtë në qendrimet e Ramës është denoncuar dhe nga ana e Partisë Demokratike, përmes Dorjan Telitit, i cili shkruan:
Qera mos paguani ama drita dhe uje po. Cfare shteti eshte ky? Kur vjen puna te faturat Rama thote me dhune do ti paguani se me duhen leket…ama qirate mos i paguani!
Po dje Rama bëri thirrje për të gjithë punëtorët që kanë qenë në të zezë të denoncojnë pronarët e tyre, pa llogaritur se kjo mund të çojë në humbjen e punës së tyre, nëse situata kthehet në normalitet së shpejti.