Qeveria tallet me përndjekurit politike : KLSH: duhen dhe 33 vite për të marrë dëmshpërblimet

 

Ministria e Financave nuk respekton rradhën për pagesat e të përndjekurve, si u zvogëlua fondi me dy aktet normative.

Vlera e detyrimit të njohur nga shteti Shqiptar dhe i papaguar për ish të përndjekurve politik deri në fund të viti 2018 është 33 miliardë e 381 milion lekë ose rreth 300 milionë dollarë. Nga llogaritjet e bëra nga auditi KLSH rezulton se nëse buxhetimi i këtij fondit do të vazhdojë me këtë rritët, ky detyrim do të mund të shlyhet vetëm pas rreth 33 vitesh. Për të ruajtur vlerën reale të kompensimit duke pasur në konsideratë kohën e gjatë, do të duhej që detyrimet e njohura ndaj kësaj shtrese të indeksoheshin me inflacionin.

Nga evidenca e marrë nga sistemi E-dëmshpërblime për pagesat e vitit 2018 dhe testimet e kryera për subjektet përfituese të kategorisë parësore konstatohet se është thyer radha e pagesave për këstet, pra pa përfunduar shpërndarja brenda këstit më të ulët për të gjitha subjektet e kategorisë parësore është vazhduar me shpërndarjen e kësteve pasardhëse në kundërshtim me nenin 1, paragrafi i Dytë i Ligjit Nr. 94/2014 ku përcakton se “Me kryerjen e pagesës, për të gjitha subjektet parësore, brenda këstit më të ulët, fillon pagesa e këstit pasardhës e kështu me radhë”.

Fondi për rehabilitimin e të përndjekurve politik është në varësinë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Për vitin 2018, ky fond referuar Tabelës së Treguesve Fiskalë është realizuar në vlerën 997 milionë lekë, nga 2 miliardë e 51 milionë lekë të planifikuara me ligjin nr. 109/2017 “Për buxhetin e viti 2018” ose 48% në raport me planin vjetor fillestar dhe 97% në raport me planin përfundimtar.

Me ligjin fillestar të buxhetit fondi për rehabilitimin e të përndjekurve politik është planifikuar në vlerën 2,051 milion lekë. Me Aktin Normativ nr. 1 ky fond është planifikuar në vlerën 1,047 milion lekë, pra është ulur në vlerën 1,004 milion lekë ose 49% krahasuar me planin fillestar. Ndërsa me Aktin Normativ nr. 2, programimi përfundimtar i këtij fondi është 1,033 milion lekë, pra është ulur më tej në vlerën 14 milion lekë.

Nga viti 2009, kur ka filluar procesi i përllogaritjes së masës së dëmshpërblimit si dhe shpërndarja e kësteve përkatëse pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe deri në fund të vitit 2018 janë miratuar në total 27 VKM për shpërndarjen e dëmshpërblimeve. Rezulton se për vitin 2018 është miratuar VKM nr. 256, datë 09.05.2018, për 142 dosje në vlerë totalë dëmshpërblimi 263,686,873 lekë, prej të cilave janë paguar 104 dosje në vlerën 57,800,055 lekë. Pra sa më sipër, konstatohet se fondi për “Rehabilitimin e të Përndjekurve Politik” është përdorur për detyrimet e lindura nga VKM nr. 256, datë 09.05.2018 në vlerën 57,800,055 lekë ose 5.71%, ndërsa pjesa e mbetur është përdorur për të shlyer detyrimet e lindura nga VKM e viteve të kaluara.

Nga auditimi ka rezultuar se Drejtoria e Pagesave dhe Dëmshpërblimeve në vlerën totale 1,011 milion lekë të deklaruar si pagesa te kryera gjatë vitit 2018 për të përndjekur politik, ka përfshirë edhe kthimet e pagesave të kthyer nga bankat e nivelit të dytë kryesisht si rezultat i llogarive të mbyllura, për 345 raste, në vlerën 18 milion lekë si dhe pagesat e kryera me fondet e vitit 2019 për 125 raste në vlerën 9 milion lekë.

KLSH konstaton se mungojnë aktet nënligjore për skemën dhe afatet e shpërndarjes së dëmshpërblimeve, pas ndryshimeve thelbësore që ka pësuar ligji nr. 9831, datë 11.12.2007 “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist” me ligjin nr. 94/2014, datë 24.7.2014 dhe ligjin nr. 57/2018, datë 13.09.2018 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9831, datë 12.11.2007 “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve të regjimit komunist”, i ndryshuar”. Drejtoria e Pagesave dhe Dëmshpërblimeve i referohen skemës së shpërndarjes së VKM nr. 419, datë 14.04.2011, e cila do të duhej të ishte shfuqizuar që në momentin që u miratua ligji 94/2014, i cili i ndan subjektet përfituese në dy kategori dhe në nenin 6 të tij thotë “Këshilli i Ministrave, brenda vitit 2014, miraton afatet dhe skemën e shpërndarjes së fondeve.”