QË TË MBËSHTESIM PARTITË, ATO DUHET TË PERKRAHIN NJEREZIT E MIRË.

Nga Av. Xhafer Sadiku

Një shkrim i botuar në gazetën “Dëshnica”, na sjell portretin e disa grave nga Dëshnica e Përmetit, të shquara në funksione drejtuese. Shkrimi i mikut tim Gezim Voda, e bën lexuesin e interesuar të bëjë pyetjen nese gjatë këtyre 25 vjetëve, ka pasur në nënprefekturën e Përmetit gra intelektuale me formim e orgjinë të djathtë e ish të persekutuara, që të kenë lënë gjurmë në sektorë të ndryshëm të jetës.

Që në fillim duhet thënë: po. Njëra prej tyre është Liljana Xhaferaj (Shahu). Profili i saj, për rrethana “biografie”, është i ndryshëm nga personazhet e përmendura nga gazeta.

E lindur në Zhepovë të Dëshnicës, ajo është bijë e njërës prej familjeve të shumta të persekutuara të atij fshati që iu mohuan të drejtat e studimeve të larta. Bijë e dy prindërve të ndershëm e të thjeshtë, ajo vuajti pasojat e luftës së regjimit, për shkak se gjyshi nga nëna kishte qenë një nacionalist i njohur në krahinë, ndërsa xhaxhai i babait u ekzekutua pa faj, kur ishte ushtarak në Garnizonin e Gjirokastrës.

Pas vitit 1990, Liljana mbaroi studimet e larta dhe u emërua mësimdhënëse në shkollën e Zhepovës. Pas vitit 2005, emërohet për disa vjet si përgjegjëse e Zyrës së Punës në Përmet. Mjaft e edukuar, e thjeshte dhe komunikuese me qytetarët, gjatë viteve që ka shërbyer si mësimdhënëse dhe përgjegjëse e zyrës së punës, është dalluar për korrektesë, thjeshtësi dhe urtësi, duke fituar respektin e njerëzve të thjeshtë dhe të miqve të saj.

Me fitoren e pushtetit nga socialistët e pushojnë menjëherë nga puna.
Aktiviste e shquar e Partisë Demokratike, si shumë ish të persekutuareve politikë, edhe rruga e saj ka qenë e mbërthyer si në një morsë: nga njëra anë urrejtja klasore e social-komunistëve dhe nga ana tjetër intrigat e pseudo-demokratëve me orgjinë të majtë.

Ndërsa të parët nuk e harrojnë urrejtjen klasore, të dytët e shikojnë si konkurente brenda radhëve të kryesisë lokale të PD. Pasi përfitojnë nga votat e shumta të familjes së saj të madhe dhe të persekutuarëve të tjerë, intrigojnë kundër tyre. Për çudi, edhe kryesia qendrore e PD, as Liljanën e as të tjerat nuk i mbështet, ndërkohë që mbështet disa që nuk kanë asnjë vlerë intelektuale apo humane, madje janë bërë qesharakë përpara opinionit publik. Liljana e të tjerët, nuk kanë as mbështetjen politike të shoqatave të ish të persekutuarëve politikë, gjë që është detyra e tyre, për të cilën ato ekzistojnë.

Duke sjellë profilin e Liljana Xhaferajt në vemendjen e opinionit të njerëzve me mendime të lira, sjellim vlerat intelektuale dhe njerëzore, mbartës të së cilave janë ata vet. Portreti i saj është ai i një intelektuale, i nje zonje me vlera, që duhet mbeshtetur, per te miren e qytetareve. Perpara se te mbeshtesim partite, ato duhet te mbeshtesin njerezit e mire.