“Pushteti” i vjedhur – Mediat, midis pronarëve dhe gazetarëve

Nga Nebil Çika

Deklarata e kryeministrit Berisha për “lidhje të mundshme te mediave me mafien” ka hapur në Shqipëri një debat që në fakt duhet të ishte hapur shumë me herët. Duket se me gjithë anën pozitive të hapjes së këtij debati trajtimi i tij nga gazetarët po bëhet i njëanshëm dhe shumë larg thelbit të kryefjalës së problemit, medias dhe shpërdorimit apo përdorimit të saj nga faktorë jomediatikë që nuk përjashtohet të jenë edhe të jashtëligjshëm, kriminalë e pse jo edhe mafiozë. A ekziston realisht problemi që ngre z. Berisha, qoftë edhe fragmentar në mediat shqiptare?! Ky mendoj se është thelbi i diskutimit që gazetarët duhet të fokusonin në debatin e tyre të stimuluar nga deklarata e z. Berisha. Nuk jam kundër faktit që z. Berisha duhet të ishte me racional dhe mbi të gjitha më konkret në akuzat e tij, por kam të njëjtin mendim edhe për reagimin e gazetarëve që ka krijuar idenë inekzistencës së këtij fenomeni dhe përpjekje gjigande të medias për ta mbyllur këtë çështje para se të jetë vonë, duke e trajtuar si një tendencë të qeverisë kundër shtypit të lirë, një periudhë kjo e tejkaluar në Shqipëri. Kthimi i debatit në luftë media-qeveri, apo media-kryeministër e mban lexuesin shikuesin apo dëgjuesin, me pak fjalë opinionin publik larg asaj çfarë ndodh në të vërtetë në mediat shqiptare. Opinioni ka të drejtën të njihet me punën tonë të dukshme e të pa dukshme, ashtu sikur ne përpiqemi çdo ditë të tërheqim vëmendjen e tij me lajme për të tjerët. E parë në mënyrë më pragmatike klientët tanë, lexues, shikues e dëgjues duan të dinë se çfarë bëhet me ne. Si i përgatisim, motivojmë e publikojmë ato që iu ofrojmë çdo ditë si më të vërtetat, me të drejtat e më profesionalet. Ne që nuk lemë pa bërë publike ngjarje e personazhe nga më të bujshmet e deri tek më banalet nuk guxojmë të hapim një debat për veten tonë, për punën tonë, për marrëdhëniet tona me punëdhënësin, objektin e lajmit, apo rubrikës si lëndë e parë dhe publikun si elementin kryesor të ekzistencës tonë. Pra një debat për vetveten do të ishte hapi i parë i sqarimit të një çështjeje kaq madhore siç janë akuzat për lidhje apo përdorim të mediave nga elementë apo organizma kriminalë të përmbledhur në nga një fjalë e vetme “mafia”.

Pastërtia, si garant i besimit

A jemi ne vërtet të pastër e të sinqertë ?! Kur artikuloj këtë pyetje nuk e kam fjalën vetëm për gazetarët, por për krejt marrëdhëniet në media, sidomos ato botues-gazetar- publik. Janë disa pyetje që gazetarët si autorë të debatit duhet t’u përgjigjen për të sqaruar situatën e turbullt që na ka shoqëruar në këto vite, që ka dobësuar dukshëm besueshmërinë tonë tek publiku, një përgjegjësi që në mënyrën me të pandershme iu është faturuar pa të drejtë gazetarëve. A kemi publikuar ne lajme komente, analiza etj., të ndikuar nga interesat e botuesve apo pronarëve. A kemi toleruar në veprimtari, skandale, korrupsion, veprimtari kriminale etj., për shkak të presionit nga botuesit. A kemi përjetuar ne personalisht apo kolegët tanë debate, presione, madje edhe ndëshkime për shkak të fakteve për lajmet, këndvështrimeve apo analizave që kanë prekur interesat e pronarëve të shtypit. A na është kërkuar ne të lavdërojmë, denigrojmë njerëz e ngjarje, edhe pse nuk kemi qenë te bindur për ato që shkruajmë e themi, për interesa jashtë misionit tonë profesional?! Unë them po. Kështu besoj se u ka ndodhur shumicës së gazetarëve, përfshi edhe faktin e të qenit të detyruar të futen në një debat si ky aktual. Nuk dua këtu të përgjithësoj, apo të denigroj kolegët e mi që e kanë pranuar një gjë të tillë, pasi jam dëshmitar dhe përjetues i vështirësive, jo vetëm financiare të gazetarëve që kërkojnë e ruajnë një lloj integriteti profesional dhe raste të tilla ka në pothuaj gjithë shtypin shqiptar. Mendoj se kjo gjendje e mediave shqiptare duhet sqaruar në radhë të parë për të ndarë shkallën e përgjegjësisë që në mënyrë më të pa drejtë ka rënë mbi shpatullat e gazetarëve, ndërkohë që përfitimi i tyre nga kjo barrë e rëndë është i pa konsiderueshëm. Hapja e këtij debati brenda nesh nuk është i lehtë, por nuk është as i pamundur. Mendoj se ndarja e përgjegjësive do të na ndihmojë në gazetarëve, por edhe botuesve të ndershëm e seriozë të fitojmë besimin në publik si vlerën tonë të vetme morale. Nuk mund të jemi kaq indiferentë për shpërdorimin e punës sonë, personalitetit dhe në mënyrë të veçantë profesionalizmin tonë. Për këtë ne kemi në dispozicion vetëm një mënyrë: Ti provojmë publikut dhe akuzuesve tanë pastërtinë tonë. Kjo do të na e bënte shumë me të lehtë betejën me akuzuesit tanë nga politikanët tek kriminelët, pasi publiku, gjykatësi ynë i padiskutueshëm do të ishte totalisht me ne.

Forca për të pranuar të vërtetën

“Bëni si them unë, mos bëni si bëj unë”. Ky proverb mund të perifrazojë në mënyrë të plotë gjendjen e mediave tona. Predikojmë të vërtetën por hezitojmë ta bëjmë këtë kur vjen fjala për ne, punën dhe marrëdhëniet tona me punëdhënësit, që në të shumtën e rasteve s’kanë asnjë lidhje me gazetarinë dhe informimin publik. Në kritikojmë trajtimin e punonjësve dhe mbrojtjen e te drejtave të tyre dhe akuzojmë institucionet apo personat përgjegjës, por jemi kategoria më e pambrojtur e tyre. Pa kontrata të rregullta pune, shumë herë pa sigurime shoqërore e shëndetësore, punësimi ynë në të gjitha gjasa varet nga vullneti i punëdhënësve tanë. Reagimi kolektiv përballë mundësive të denigrimit moral, profesional e ekonomik pothuajse nuk ekziston. Ndërkohë që jemi ne ata që përballemi çdo ditë më tregun, publikun, interesat e prekura të politikës, ekonomisë, krimit etj.
Mendoj se shtypi shqiptar duhet të dalë nga kjo gjendje e “vdekjes klinike”. Mendoj gjithashtu se ky moment pavarësisht kushteve dhe mënyrës se si u hap debati duhet të përbëjë kthesën e madhe të shtypit shqiptar. (Sh)përdorimi i mediave dhe gazetarëve duhet të marrë fund si pjesa e keqe e tranzicionit politik e shoqëror. Oportunizmi apo konformizmi nuk janë zgjidhje e aq më shumë “standarde” dhe veçanërisht perëndimore si po mundohen ta citojnë median një pjesë e politikës që edhe në këtë mënyrë vazhdojnë ta shpërdorojnë atë. Për të ndryshuar gjendjen duhet më parë të pranojmë realitetit. Nëse ka viktima të abuzimit me median, nëse ka përdorim nga interesa jashtëmediatike, ato më kryesorët nuk janë personat e prekur nga kronikat dhe rubrikat e as publiku i keqinformuar apo mashtruar. Viktima e madhe e “hanxharizimit” të medias shqiptare nga mafia apo nga kushdo tjetër jemi ne gazetarët që po vazhdojmë të përdoremi edhe në debatin aktual, kur i kemi të gjitha mundësitë për ta kthyer atë në të mirë të mediave në përgjithësi dhe tonën në veçanti. E di që shumë nga koleget nuk janë gati ose janë të shtrënguar të mos ta pranojnë një gjë të tillë dhe arrij t’i kuptoj e t’i justifikoj për këto qëndrime, por megjithatë këmbëngul se pastrimi i medias është i vetmi shpëtim i gazetarisë padrejtësisht të diskretituar shqiptare. Problemi ynë në vitin 2007 nuk është politika, shteti e qeveria, por vetvetja. Duke fituar vetveten ne do të arrijmë të meritojmë të qenit “pushtet i katërt”. Aktualisht pushteti ynë na është “vjedhur” dhe po përdoret si mburoje pistoletë apo hanxhar nga një pjesë e mirë e botuesve dhe pronarëve të mediave ku kemi zgjedhur, apo jemi të detyruar të punojmë.

Botuar ne standard 5 prill 2008 . Marrë nga libri “Koha e Lugatit” 2014 , Nebil Çika ( I Riu)