“PURITANËT” E VONUAR

 

“Puritanët” që kërkojnë një PD vetëm me të persekutuar politikë, nuk njohin as realitetin shqiptar nën diktaturë dhe as të sotmin. Po të bëjmë një llogari, mbështetur në dokumentacionin e regjimit komunist, në rastin më të mirë, del se vetëm një e treta e popullit ka qenë e persekutuar që nga goditjet më të lehta dhe indirekte dhe deri tek familjet që pësuan terrorizmin ekstrem. Një e treta ka qenë mbështetëse e regjimit komunist dhe po kaq janë ata që sot i quajmë “elektorati gri”.

Natyrshëm lind pyetja: sikur një e treta të votojë për partinë e imagjinuar puritane, a mund të merret pushteti?! Kush i garanton këta se ajo një e treta “gri” do t’i mbështesë?!

Një pjesë e këtyre që kërkojnë një PD “të pastër” kanë vite që thonë se duhet të hapen dosjet e Sigurimit të Shtetit. Mirëpo a e dinë ata se sa është përqindja e ish të persekutuarëve që kanë bashkëpunuar me Sigurimin e shtetit?! A janë ata të “lirë” të votojnë për këta “puritanët”?!

Mos harroni për asnjë çast se Edi Rama është përdoruesi më i paskrupullt i dosjeve të Sigurimit të shtetit, madje duke i poshtëruar shumë të pafajshëm, vetëm pse baballarët e tyre janë thyer nën diktaturë.

Një nga kërkesat e këtyre “të pastërve” prej vitesh ka qenë që në PD të mos ketë “spiunë” në radhët e saj. Dhe po këta, godisin Bashën, i cili mund të ketë shumë mangësi, por një gjë është e sigurt: ai nuk ka qenë Bashkëpunëtor i Sigurimit pasi në vitin 1990 ka qënë adolëshent.

Ata që mbështesin shpresat tek diplomatët e huaj, duhet të hedhin një vështirm mbi historinë e afërt. Loja politike e diplomatëve të huaj në Shqipëri ka qenë dhe mbetet mbështetja e komunistëve të grumbulluar tek e Majta dhe disa marjonetave të tyre nga e djathta. Kjo mbështetje madje daton që nga viti 1943.

Marionetat që ata mbështesin nga familje të djathta, janë të diskredituara për shkak të qendrimeve të tyre prej mercenari dhe interesaxhinjsh. Kjo ka bërë që të djathtët nuk mund të jenë kurrë të unifikuar në një parti “puritane” sepse një pjesë e atyre që kanë qenë në pushtet janë bërë pis. Janë bërë pis para 1990 dhe pas saj. Këtë e themi me keqardhje, por kjo është e vërtetë. Kthimi i tyre as i prish dhe as i ndreq punë PD.

Mbështetësit dhe votuesit e PD, që i kane paguar shtrenjtë lojërat politike të fëlliqura të tyre, nuk do t’i mbështesin kurrë mercenarët. As të huajt nuk do të bëjnë diç më shumë për ta. Shqipëria vërtet është një koloni e mjerë e tyre, po shqiptarët atdhetarë refuzojnë të ulin zverkun përpara kolonizatorëve që tua marrin kokën në tepsi.