Pse Vatra nuk mbështet Foltoren e Berishës ?! 

Nga Dalip Greca

Të Mërkurën, 1 Nëntor 2021, nga ora 21-22.00 PM, së bashku me ish deputeten e Partisë Demokratike Albina Deda dhe gazetarin Osman Stafa, isha pjesë e debatit në Fax News TV Albania në emisionin e gazetarit Bejdo Malo.
Gjeta rast që të përgënjeshtroja opinionet, komentet e paskata, thashethemet e qëllimshme kundër Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA. Thashë se tendenca e disa mediave për ta përfshirë Vatrën në Foltore, dhe e disa të tjerave për ta përballur me Foltoren, nuk i bëjnë mirë as vetë Vatrës por as Partisë Demokratike.
Po ashtu theksova se tek Foltorja e New Jersey-t, natyrisht që do të ketë edhe vatranë, madje ka dhe degë të Vatrës pro saj- askush nuk mund të ndalohet të shkojë atje por asnjeri nuk mund të prezantojë atje Vatrën, përvec vetes së tij. Në Vatër ka demokratë, republikanë, monarkistë, ballistë, prandaj VATRA është Federatë dhe jo një shoqatë si gjithë të tjerat; është një federatë që shtrihet në shumë shtetete të Amerikës së Veriut dhe Kanada dhe që ka brenda saj demokratë, monarkistë e republikanë, ka ballistë dhe ish bllokistë. Vatra përpiqet që të mos ndërhyjë në jetën e Partive politike, të mos mbajë anë, dhe të orientohet vetëm nga Kombi. Pra Partia e Vatrës është KOMBI.
Shfaqa mendimin tim se akuzat se Vatrën e tanishme e paskan rrëmbyer segmente që janë në shërbim të Edi Ramës, nuk qëndrojnë dhe nuk mund të jetë fakt as Ftesa derguar ambasadores shqiptare ne Washington zonjes Faber, -as prania e ish anëtarit të Bashkisë së Nju Jorkut në Darkën e Flamurit z. Mark Gjonaj, ku ishte i pranishëm dhe i përfaqësuar i tërë komuniteti nga Veriun në Jug, nga të gjitha trojet etnike,së bashku me klerikët. Thashë se Ne, shqiptarët duhet t’i jemi mirënjohës Mark Gjonaj për çfarë ka bërë për çështjen shqiptare në kryeqytetin e New Yorkut, Albany, ku prezantoi Rezolutën për Pavarësinë e Kosovës, ose prezantimin atje të mbrojtjes shqiptare ndaj hebrejëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, sic duhet t’i jemi mirënjohës prezantimit të Shqiptarëve nga trojet etnike në Bashkinë e New York-ut për dhe gjithçka tjetër.
Thashë se media shqiptare akuzon Vatrën se i ka mbetur ora dhe se ka “ca pleq në radhët e veta” nuk është gjë tjetër vecse një mbetje ore nga vete mediat pranë qeverisë shqiptare. Ju themi atyre se Vatra e sotme nuk mund të krahasohet me ç’ka ishte para 12-13 viteve, sot Vatra nuk është e pleqve por e të rinjve dhe të rejave, thashë se strukturat e Vatrës në qendër dhe nëpër shtete nuk mbizoterohen nga pleq, mosha mesatare vertitet tek 40-45 vjeç, mirëpo media shqiptare ia fut kot , jo se nuk e njeh, por ashtu i intereson ta paraqes Vatrën. Disa nga ata e duan Vatren te ndare e te përçare.
LUTJE: Lereni Vatrën të bëjë punën e saj para Kombit siç e ka bërë në këta 109 vjet, herë mirë e herë keq, por gjithmonë me devocion.