PSE U FORMUA “DIVIZIONI SKENDERBEG”

 

Nga Av. Xhafer Sadiku
Për divizionin SS Shqiptar me emrin “Skenderbeg” është folur pak, madje nuk është qartësuar si u formua, kush e formoi dhe për cilat qëllime.
Këto përgjigje na i jep një dokument i Komitetit Qendror të Lidhjes II -të të Prizrenit.
Kështu, më 30 mars 1944 nën kryesinë e kryetarit Bedri Pejani u bë një mbledhje e Komitetit Qendror e Qarkor ku morën pjesë zotërinjtë Musa Shehu, Nexhip Basha, Xhemal Kabashi, Sheh Hasani, Nuri Llahusha, Ndue Shahini, Abdyl Aga Xheladini, Prefekti i Prizërenit z. Shaqir Curri dhe zëvendës – Komandanti i Sektorit “Kosova” nënkolonel Ndrek Pepa.
Arsyet kryesore që ata morën një vendim të tillë, ishin:
1- “Populli i Kosovës themelisht ka pranue nëpër L. II- të të Prizrenit që krejt meshkujt e vendit 15-60 vjeç të mobilizohen nëpër veprimtarinë e zyrave shtetënore.
2- Të gjitha rrethanat e mbrendshme dhe të jashtme na imponojnë dita ditës ma tepër zgjanimin e organizimit t’onë ushtarak nën çdo formë me iu fut nji organizimit ushtarak radikal.
3- Nji rekrutim vullnetarësh mundet me dështue për shumë arsyena kurse rekrutimi në bazë të ligjeve t’ona ushtarake ka m’u kunorëzue me fitim të plotë tuej na dhanë një divizion nga ma të mirët nëpër një përpjekje fare praktike, pa farë ngatërresash”.
Në mbledhje u theksua se “Komiteti Qendror ka për t’i ba të gjitha përçapjet pranë Qeverisë e kudo tjetër që “Divizioni Skënderbeg” të mbetet gjithnjë në Kosovë, gati për t’i mbrojtë kufijt e viseve të Lirueme”.
Në një letër që Bedri Pejani i dërgonte Kryeministrisë, më 31 mars, midis të tjerash theksonte: “…Systemi ushtarak i kohës së Babunës, dhe aj ish i regjimit Italo-Shqiptar duhet të marri fund një herë e mirë bashkë me ngjyrat e tij mercenare për t’ia lëshue vendin definitivisht systemit modern dhe patriotik mbasi neve nuk i kemi aspak konditat e shkëlqyeshme të djalërisë gjermane”.
Ata e konsideronin shumë të rëndësishme që kryesia dhe anëtarët e Lidhjes së II – të të Prizrenit të siguroheshin që “… Divizioni Skënderbeg mos të mundet me i lëshue kufijtë e Shqipërisë ethnike për me shkue larg Atdheut Shqiptar”.
_____________
Shënim: Bedri Pejani ka qenë një nga 4 përfaqësuesit e Kosovës në Shpalljen e Pavarësisë. Firma e tij është në Aktin e Shpalljes së Pavarësisë, krahas tre përfaqësuesve të tjerë të Kosovës: Rexhep Mitrovica, Salih Gjuka dhe Mit’had Frashëri.”.”