Pse nuk përballet me Berishën? Basha: Nuk dua ta vë në pozita inferiori! 

 

Kryedemokrati Lulzim Basha u pyet edhe përsa i përket përballjes së tij me ish-kryeministrin Sali Berisha në takime me bazën e anëtarësisë nëpër qytete.

Kreu i PD u shpreh se diçka e tillë nuk ndodhte sepse nuk dëshironte që ish-kryeministri Sali Berisha të ndihej inferior dhe shtoi se kjo nuk ishte një garë se kush kishte kolonën më të gjatë të anëtarëve.

Gjithashtu ai bëri edhe një lloj paralajmërimi sa i përket deputetëve të grupit parlamentar të cilëve u tha se rrugës ku ishin futur vetëm si pasojë e inatit politik, po i vinte fundi shpejt dhe se do t’u vinte fatura të cilën nuk ua kishte dhënë për 8 vite.

Ju keni deklaruar se z.Berisha po kërkon të bunkerizojë PD-në. Përse rrini në seli dhe nuk dilni në bazë të përballeni me anëtarët e PD-së, siç bën z.Berisha? Meqenëse sapo deklaruat se 95% e anëtarëve ju mbështesin.

Basha: Kam dalë më shumë se çdo kryetar i Partisë Demokratike këto 30 vite e do të dal përsëri. Por unë nuk jam nga ata që shfrytëzojnë momente të tilla për të bërë garë “se kush e ka autokolonën më të gjatë dhe kush mbush sallat më shumë”. Sepse e di që është një garë e lehtë për mua dhe nuk është e drejtë ndaj askujt, as ndaj z.Berisha ta vendosë në pozita të tilla inferioriteti. Plus që kjo nuk është midis meje dhe z.Berisha, s’ka qenë kurrë dhe s’kishte për të qenë kurrë kjo situatë. Situata dihet fare mirë.

Vendimmarrja ka ardhur pas një vendimmarrje të SHBA-ve dhe interesit më të mirë të demokratëve dhe të nesërmeve të shqiptarëve, të cilët nuk mund t’i shërbejë pa një PD të fortë dhe të vendosur për tu përballur me Edi Ramën dhe masakrën zgjedhore, nuk i shërben përçarja e partisë për interesa personale të Lulzim Bashës dhe as të Sali Berishës.

Kjo është arsyeja pse jam vetëpërmbajtur dhe do të vetëpërmbahem, me besimin më të madh dhe bindjen e thellë që siç jam i qartë unë, siç janë të qartë demokratët, janë të qartë shumica e shqiptarëve.

Dhe me thirrjen ndaj ndokujt që është i paqartë apo i zemëruar, të qetësohet dhe të qartësohet.

Ndërsa oportunistëve dhe inatçorëve iu them që rruga pa krye ku jeni futur dhe abuzimi që i bëni gjendjes aktuale të ish kryetarit historik, do t’ju vijë me faturën që s’ua kam dhënë këto 8 vite, politike sigurisht.