Pse nuk jam Marksist!

Nga Branko MERXHANI

Një nga miqtë e mi, duke parë paragrafin e vogël që shkrova në numrin e Dhjetorit rreth surprizës që deshi të na bënte z. Drejtor i Zyrës së Shtypit, ndofta pa patur paramendime ndaj nesh, por vetëm, le të themi, nga zelli i tepërt për plotësimin e detyrës që i ngarkuan- në një nga letrat e tij të fundit më shkruan: “…Mirë, që ti nuk je Marksist për princip, është një gjë që nuk mund ta mohojë kurrkush. Bile vërehet haptazi. Midis njerëzve që merren me Sociologji rrallë janë ata që simpatizojnë in globo parimet doktrinare të shkollës marksiste. Sidomos kur kemi të bëjmë me një Durkheim, një gjë e tillë as që na shkon në mendje fare. Mirëpo, pse kufizohesh vetëm duke shënuar se teorikisht nuk je anëtar i kësaj shkolle dhe nuk na shpjegon edhe arsyet e këtij qëndrimit tënd? A nuk të duket që vlen të shkruhen disa rrathë rreth kësaj teme- sidomos sot? Shteti, për arsye që i di vet, shpalli luftë të tmerrshme ndaj komunizmit dhe është rrezik se mos merr në qafë (gabimisht) edhe disa njerëz krejt të pafajshëm dhe bile shumë të vlershëm (nëse do t’i linin të lirë të punonin) që të kontribuojnë diçka në zhvillimin normal të këtij vendi. Kam frikë se mos krijohet ndonjë konfuzion i dëmshëm vetëm e vetëm nga shkaku i meritave foshnjarake te disa (për fat të mirë) shumë të pakët, gjoja intelektualë ose edhe nga shkaku i konceptimit shumë të ngushtë (për fat të keq) që dëftejnë zakonisht në të tilla raste funksionarët e shtetit. Mua më duket se një punë e tillë ka vlerën e saj dhe është tamam aktuale. A thua se nuk është një nga detyrat e intelektualëve të ndriçojnë nga njëra anë opinionin publik dhe nga ana tjetër të përpiqen me sa u jepet që edhe Shteti të mos bjerë në gabime në zbatimin e vendimeve që merr për një ose për tjetrin shkak?…”.

Nuk kam asnjë kundërshtim, asnjë pengim që të mos pranoj këtë thirrje aq interesante dhe me vend të këtij miku të shqetësuar aq shumë. Unë jo vetëm se nuk jam anëtar i parimeve doktrinare të shkollës Marksiste, por jam edhe anti-komunist. Hem si njeri mendimtar, hem, dhe bile shumë më tepër, si njeri – shqiptar. Jo vetëm në lëmin e shkoqitjeve teorike, por edhe në pikëpamjet politiko-shoqërore të zhvillimit ndërkombëtar, unë nuk jam nga ata që pranojnë tezën se gjoja bota e qytetëruar e sotshme është ndarë në dy fronte ideologjike që luftojnë njëri-tjetrin gjer në pikën e fundit. Bota e sotshme, ashtu siç e shoh unë, është ndarë jo në dy, por në tri fronte ideologjike; pjesa e tretë, pjesa më e madhe, më e shëndoshë, më impozante, mbeti besnike ndaj parimeve të Demokracisë përparimtare dhe kapërcen me fuqi dhe me vullnet gjithë tronditjet dhe tërë nervozitetet që shkaktoi lufta ndërkombëtare e periodës 1914-1918 në struktura shoqërore të popujve të mëdhenj që morën pjesë në ndeshjen më të tmerrshme të gjithë historisë së njerëzimit. Dhe jam i bindur se popujt e qytetëruar, popujt e mbrumur dhe të rritur brenda një tradite të gjatë zhvillimi kultural, nuk mund t’i sakrifikojnë për hir të një aksidenti katastrofal, siç është çdo ndeshje luftarake. Liri të tyre të shtrenjta dhe të shenjta për fitimin e të cilave derdhën pjesën më fisnike të gjakut të tyre brez pas brezi botëra të tëra. Kjo është bindja ime e patundur.

Një nga pretendimet e marksizmit, ndofta jo nga më themeloret, por nga më të përshtatshmet për të rekrutuar anëtarë, është ky:

-Dy të tretat e fitimeve të popullit shkojnë nëpër duart e një të pestës së popullsisë së një vendi.

Shkenca ekonomike dhe statistikat provuan që në krye gabimin e këtij pretendimi. Statistikat që janë bërë me metodën shkencore më të përsosur në këto kohë të fundit nxorën në shesh analogjinë e shtimit të pasurisë së të varfëve në rast se fitimet e të pasurve do t’i shpërndaheshin popullit. Kjo llogari nuk është një punë e lehtë. Por përfundimi i saj është kaq i hapët dhe kaq kategorik saqë edhe ato pika të pakta që mund të bisedohen nuk kanë pasur fuqinë që të influencojnë gjykimin tonë të fundmë. P. sh. sociologu gjerman Reiners shumë kohë më parë provoi se në qoftë se fitimet që kapërcejnë 8000 mark në vit do të shpërndaheshin midis atyre që janë të shtrënguar të punojnë për bukën e gojës, fitimi i përditshëm i këtyre të fundit nuk do të shtohej më tepër se vetëm me një përqindje minimale e 0,19 mark. Me këtë shumë në Gjermani nuk mund të blihen as edhe katër cingare. Pra Marksizmi nuk ka gjetur aspak “ilaçin për të zhdukur nga mesi varfërinë”…

Nga ana tjetër, prapë statistikat na mësojnë, me një mënyrë që nuk lë as edhe dyshimin më të vogël, se në çështjen e sigurimit të mirëvajtjes së një populli, një nga faktorët që lozin rolin e parë është përdorimi dhe përparimi i Teknikës B. f. në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku Teknika ka arritur kulmin, që nga viti 1919, prodhimi kombëtar është shtuar 42%. Influenca e madhe dhe kategorike që ka organizimi teknik mbi shtimin dhe mbi rregullimin më të mirë të pasurisë së një populli mund të merret vesh edhe nga disa krahasime të vogla të tjera. Sipas statistikave gjermane -jo të kohës hitleriane- prodhimi mekanik vjetor që bie për çdo frymë në Amerikë është 99 RM. Kurse në Kinë, vend primitiv dhe pa farë teknike, është vetëm 0, 20 RM. Në Shqipëri pothuajse 0.

Një argument tjetër i Marksizmit, nga ata që ka marrë në qafë dhe që ka sjellë vërdallë mendjen e shumë njerëzve, është ky:

-Regjimi më i fortë i kësaj teorie ka qenë i famshmi Kautzky. Mirëpo statistikat provuan të kundërtën. Industria e vogël kudo dhe kurdoherë mundi të mbrojë veten e vet dhe bile shumë bukur. Me një mënyrë të përgjithshme mund të themi se industria e madhe është e vendosur kurdoherë pranë industrisë së vogël, kudo që ndodhej një industri e tillë. Industria e madhe është një shpikje e kohërave të reja: është një burim i ri për pasurinë kombëtare. Asgjëkund nuk u zhdukën sipërmarrjet e vogla. Pastaj ç’rëndësi ka për Ekonominë kombëtare të një populli nëse industria është e madhe apo e vogël? Puna qëndron gjetiu: Për makinat, një punë kjo që varet jo nga kuadro formal i veprimit industrial, por nga disa kushte të veçanta, si bie fjala lloji dhe shkalla e organizimeve tregtare dhe teknike. Këto kushte ndryshojnë sipas kategorisë së industrisë. Kurse Filozofia marksiste nuk lë asnjë çështje pa e futur nën klishenë e saj të përgjithësimit. Kërkon që disa formula ndërkombëtare, që paska shpikur, të zbatohen njëlloj në tërë ngjarjet dhe çështjet. Studime krahasore ekonomike dhe përfundime të gjurmimeve të bëra mbi zbatimin e Teorisë së Analogjisë kanë mposhtur gjithë këto “zgjidhje shpëtimtare” të marksizmit si kërpudha të dobëta dhe të ushqyera mangët të arës ideologjike të njerëzimit. Shifrat që do të shohim në paragrafin që vijon do të na e mbushin kokën.

Ja edhe një tjetër pretendim marksist dhe bile një nga më themelorët: -Fitimet e kapitalistëve shtohen gjithnjë; kurse mëdijet e punëtorëve ulen. Ja si e përmbledh edhe gjendjen e vitit 1932, Hekner-i, prapë një nga shkencëtarët me autoritet. “Pretendimet se gjoja grumbullimi i kapitalit në njërën anë, shkakton shtimin e mizerjes së anës tjetër”, është një gjë krejt absurde dhe bie në kundërshtim flagrant me ngjarjet e rrjedhshme. E vërteta është kjo: Sa më tepër përparon koncentrimi i kapitalit aq më tepër përmirësohet edhe gjendja e punëtorisë”.

Teoricienët që mbrojnë tezën marksiste thonë: “Një punëtor ka të drejtë të mendojë se nga puna e tij pasurohet vetëm kapitalisti dhe në qoftë se nuk shtohet edhe mëditja e tij analogjikisht me shtimin e fitimit të kapitalistit etj. etj”. Mirëpo gjithë kjo literaturë kryengritëse nuk bëri pothuaj asnjë efekt mbi shpirtin e punëtorit. Punëtori amerikan dhe evropian sot është në gjendje të çmojë më mirë nga çdokush tjetër gjendjen e vet, ecën mirë, nuk merr vesh asgjë nga kontrastet shoqërore që i përshkruan me ngjyra kaq të tmerrshme teoricieni marksist dhe nuk ndjen asnjë dëshirë që të shkojë pas thirrjeve kryengritëse të tij. Në qoftë se punëtori ndodhet me të vërtetë në një gjendje mizerable, atëherë vetëm një efekt mund të ketë kjo ndodhje: Mizerja do të bëhet ideologji dhe rryma revolucionare e proletariatit do të shkojë duke u shtuar. Mirëpo një proletar mizerabël si do të jetë në gjendje të realizojë detyrat e larta që i ngarkon Marxi? Nga mizerja vetëm një gjë del: Mizerje!…

Tani le të flasim pak dhe mbi shembullin e Rusisë sovjetike. Rusia e kohës së Carëve ka qenë një vend që ndodhej jashtë kuadros evropiane. Rronte ende në epokën feudale dhe sepotike, epokë nga e cila Evropa evropiane kishte dalë dhe kishte shpëtuar të paktën dy shekuj më parë. Prandaj një krahasim midis Rusisë cariste dhe Rusisë bolshevike s’ka asnjë vleftë për një kritikë rreth parimeve doktrinare të Marksizmit. Marksizmi lindi në Evropë bashkë me një tokë teorish të tjera, dhe fati i tij do të provohet prapë në vend-lerjen e vet. Një shkrimtar frëng Charles Louis- Philippe, pritka ardhjen e Barbarëve. Rrugët që kryqëzohen midis Petersburgut carist dhe Moskës bolshevike, si dhe stepet e pafundme që shtrihen në të dy anët e Uralëve, janë grykat e kalimit nga ku shkuan tufa-tufa çeta aventurierësh që plaçkitnin çdo gjë që u dilte përpara. Udhëtarët që sot kalojnë nëpër këto rrugë s’kanë asgjë me vete që bie ndër mend fytyrën e shokëve të tyre të vjetër. Kohët ndryshuan. Ata që pritën dikur në Evropë ardhjen e Barbarëve mbetën gojëhapët. Nga asnjë anë nuk u dukën Barbarët. Përkundrazi nëpër stepet ruse u hapën rrugët, u shtruan vija hekuri, dhe këtej futën në thellësitë e Asis tejpërtej shpikjet mekanike, tymet e fabrikave dhe bashkë me ‘to edhe karvane idesh të tëra që mbajnë me vete plaçkat e tepruara, skartat, të super-produksionit ideologjik të popujve të Evropës. Drejtimi i rrugës shkon nga Perëndimi në Lindje. Nuk është Azia Perëndia e dheut që cakton tipin e qytetërimit të Botës. Ndofta kështu ka qenë dikur. Në kohë shumë të lashta. Sot nuk është më. Siç duket këtu kanë për të arritur më së fundit punët: Azia do të evropianizohet- si b. f. janë duke e evropianizuar, sipas temperamenteve të veçanta të popujve të tyre, Turqia, Persia, Kina edhe… Rusia vet !

Sido kudo Bolshevizmi është një prodhim rus dhe s’mund të ketë veç se edhe një zhvillim rus. Atje, kush e di, mund të kenë ndryshuar shumë gjëra. Por Despotizmi mbeti. Dhe gjer sa nuk do të shkulet nga vendi i tij ky armik i tmerrshëm i çdo përparimi dhe i së vërtetës, nuk do të jetë e mundur të mësojë diçka të sigurt mbi gjendjen e atij vendi. Atje çdo gjë është edhe një eksperiment dhe çdo eksperiment është një problem i së ardhmes. E ardhmja! Ja gogoli Bolshevik! Thonë disa: “Qeveria bolshevike për hir të lumturisë të brezave të ardhshëm sakrifikon jetën dhe lumturinë e brezave të tanishëm”. Mirëpo këta harrojnë se Marksistë kanë qenë prapë ata që kritikuan ashpërsisht kapitalistët e pafajshëm? Se u sakrifikuan breza të tërë punëtorësh që të sigurojnë të ardhmen e punëtorëve të sotshëm të Anglisë?… “Nëpunësit e një Qeverie despotike, thonë Marksistët, kanë një zotësi teknike më të lartë dhe janë në gjendje ta mendojnë më mirë jetën dhe lumturin e punëtorëve”.

Përrallë! Qytetërimi i Evropës ka 2000 vjet që provoi me fakte dhe argumente që s’mund të rrëzohen se zotësia nuk është një vlerë e prerë. Është një vlerë shumë e veçantë dhe shumë relative. Qysh prej kohës së Sokratit mendja njerëzore njeh se te një kapiten i një anijeje, te një mjek, te një makinist, gjenden veç e veç vlerat dhe zotësitë e ndara dhe të ndryshme. Nëpunësit e shtetit janë jo vetëm nëpunës të shtetit, dhe aq. Që të bëhesh një reformator i shkëlqyer, veç zotësive teknike të mëdha, duhet të kesh edhe një fuqi imagjinare të vrullshme, por edhe diçka tjetër. Zotësinë që të mos rrëmbehesh shpejt e shpejt nga gjërat fantastike dhe nga ëndërrimet sentimentale!…

Regjimi Bolshevik paska si qëllim kryesor të zhdukë regjimin kapitalist të Evropës. Ëndërr! Bolshevizmi rus s’është gjë tjetër veçse një mënyrë zbatimi ruse që ka si qëllim të fusë në Rusi metodat kapitaliste të Evropës. Ndryshimi në mes është në mënyrën me të cilën zhvillohet ky proces, i cili atje kërkon rrugët që të pajtohet me temperamentin e vendit. Bolshevizmi ka arritur që të vërë në dorë mjetet e punimit që përdor kapitalizmi evropian dhe gjer më sot ka pasur viktima të tmerrshme dhe therorizoi me miliona frymë njerëzish. Në realitet Marksizmi nuk mohon aspak vlerën e regjimit kapitalist. Vetëm pretendon se metodat e tij shtojnë rrymën e papunësisë. Pse? Regjimi kapitalist nuk paska qenë i zoti të sigurojë ekuilibrin midis prodhimit dhe nevojës; vetëm Marksizmi qenka në gjendje të bëjë këtë gjë; në qoftë se në Rusi nuk u sigurua ende, do të sigurohet brenda 4, 5 ose 30 vjetëve me doemos! – Ka kush që do të na kallëzojë dikur përrallën e këtyre profecive: Historia.

A doni që t’ju them edhe një gjë tjetër? Dëgjoni: Unë nuk e pranoj se gjithë faji dhe përgjegjësia e turbullimeve që sot kalon bota dhe gjithë krizat ekonomike, të mëdha e të vogla, është e drejtë t’i ngarkohen kurrizit të qytetërimit evropian ose edhe vetëm regjimit kapitalist. Të tilla turbullime ngjajnë edhe në prehrin e Natyrës së lirë dhe janë shumë më të rëndësishme. Jeta e shtazëve të egra është një luftë e pambaruar ndaj fuqive të Natyrës. Ndryshimet turbulluese, tronditjet, vuajtjet dhe krizat në historinë e Evropës nuk filluan të shfaqen vetëm atëherë kur doli në shesh sistemi i tanishëm, as edhe kur u dëgjua për herë të parë emri “kapitalist”. Kapitalizmi arriti në kulmin e tij më të lartë brenda në këtë 150-vjetorin e fundit. Periodat e mëparshme b. f. gjithë epoka mesjetare, kush mund të na thotë se kaluam pa turbullime? Historia është e hapët dhe mjafton të krahasojmë ngjarjet: Në kohët mesjetare popujt e Evropës pësuan një tok rrëzime dhe vuajtje dhe bile shumë më të tmerrshme nga ato të sotshmet. Gjithashtu edhe historia e popujve të Azisë është e mbushur krejt me një tok ndryshime, qoftë shkatërrimtare qoftë ndërtuese, që u shkaktuan nga një varg i tërë kushtesh natyrale ose edhe temporale. Qytetërimi evropian, në krahasim me epokat e vjetra të qytetërimeve, mundi të gjejë mjete më të përsosura dhe të realizojë përparime kolosale më pemëdhënëse për të luftuar me më tepër fitime këto rryma shkatërruese ose edhe ndaj përfundimeve të këqija të këtyre turbullimeve. Këtu, rreth kësaj pike themelore, përmblidhet tërë rëndësia e problemit. Midis botëkuptimit evropian dhe botëkuptimit Marksist ka një ndryshim në themel. Të dyja këto botëkuptime nuk ndahen vetëm në punën e përshkrimit të historisë ose edhe të komentimit të përfundimeve të qytetërimeve të ndryshme, por ndahen në një pikë shumë të mëparshme, ndahen në parimet që shërbejnë si bazë studimi rreth problemave të jetës dhe rreth fatit të botës. Nëse Marksistët pandehin se kanë zgjidhur problemin e ekuilibrit brenda në shtet ose nëse predikojnë se paskan zbuluar çelësin e çuditshëm të parajsës së ardhshme, mua më duket se tërë këto trumbetime dhe paralajmërime s’janë tjetër veçse vjellja e injorancës së tyre. Ose shumë-shumë bëjnë gabimin e pafalshëm të lënë krejt mënjanë pjesën me të madhe të faktorëve që shkaktojnë dhe përfundojnë zhvillimin e ngjarjeve njerëzore.

Ideali i Evropës, metodat e punimit të Evropës frymëzohen nga parimet e lirisë, të personalitetit të varietetit dhe përmbi çdo gjë tjetër nga parimi i “ndarjes së punës shoqërore”. Dhe nga ky shkak të gjitha problemet që paraqet jeta shoqërore evropiane ose edhe e evropianizuar, pa përjashtuar edhe problemin të ekuilibrit në Shtet, janë probleme të koklavitura që s’mund të zgjidhen menjëherë. Një filozof anglez shkruante pak kohë më parë: “Nëse kohët janë të këqija, nëse njerëzit mbetën pa punë, nëse djemtë nuk gjejnë gjë për të shuar urinë e tyre, njerëzimi është sëmurë. Emri i vërtetë i kësaj sëmundjeje është injoranca”…

Ndryshimet shoqërore nuk mund të parashikohen as të shmangen. Gjithashtu edhe sëmundjet. Kjo është një nga të vërtetat e para që njeh bota. Të paktën Evropa ka disa shekuj që provoi në trupin e vet qenien dhe vuajtjen e kësaj së vërtete. Rusia u mundua shumë të përhapi gjëmimin revolucionar ndërkombëtar që prej kufijve të saj perëndimore gjer në bregdetet e Atlantikut. S’bëri gjë. Ose bëri vetëm këtë: Thelloi më tepër hendekun e ngatërresave midis popujve, madhëroi dallgën e mizerjes dhe në disa vende të perëndimit shkaktoi një kthim – qoftë edhe të përkohshëm – në kohët mesjetare. Por a nuk do të ishin njohur dhe do të kishin arritur në një marrëveshje popujt e tyre më lehtë nëse rryma demokratike e Evropës do të kishte ndjekur rrugën e saj pa patur vështirësitë që dolën mu në gjirin e vet? Të paktën kemi para nesh një shembull mjaft me rëndësi që na jep besimin se popujt mund të kuptojnë shumë më mirë një Evropë të çliruar prej ideve të huaja: Azia sot arriti të kuptojë se metodat e punimit evropian mund të zbatohen në çdo kënd të botës dhe që përdoren prej tërë popujve; kudo që janë pranuar këto metoda sollën përfundime të mira dhe të shkëlqyera. Kjo është e mjaftueshme sot për sot. Është një çapë përpara. Një çapë që s’mund të mbetet e mbërthyer atje ku arriti. Do të vazhdojë edhe më përpara. Do të vijë dita në të cilën bota mbarë do të kuptojë më mirë parimet e Fesë së Lirisë, atë gjë që një Kanti e quajti “Feja e Vërtetë”. Dhe ata nga bashkatdhetarët tanë që kanë nëpër dejtë e tyre disa pika gjaku fisnik dhe në shpirt ambicien të punojnë dikur që të nxjerrin gërmadhën tonë nga pellgu i varfërisë mendore dhe i mizerjes lëndore, le të përpiqen të mësojnë përmendësh dhe të çajnë në thellësitë e zemrave të tyre me një dorë që nuk dridhet para punës së tmerrshme që i pret, këtë varg të pavdekshëm të Goethe-s:

“We immer strebend sich bemuht,

Den konnen wir erlosen”!

Pa një përpjekje të tillë nuk ka Shqipëri! Ndryshe le të përgatitim që tani trasat tona. Toka e Evropës u ngushtua shumë. Për parazitët vetëm një fat është shkruar: Pas prishjes primitive historike vjen katastrofa moderne historike. Dhe atëherë plaçkat në krah dhe mbetsh tumirë o Vatan!

Botuar më 1937