Pse një vendim i gjykatës gjermane vë në dyshim themelet e BE-së?

REL

Një vendim i Gjykatës Kushtetuese në muajin maj në Gjermani, ka ngritur pikëpyetje të mëdha për të ardhmen e Eurozonës me 19 anëtarë dhe Bashkimit Evropian në tërsi. Vendimi i gjykatës është fokusuar në çështjet financiare mirëpo ka edhe gjëra më të rëndësishme aty.

Çfarë saktësisht ka ndodhur?
Më 5 maj, Gjykata Kushtetuese në Gjermani ka vendosur në të mirë të një ankese kundër programit për blerje të bonove nga Banka Qendrore Evropiane. Sipas programit, nga viti 2013 deri më 2018, kjo Bankë ka printuar monedha në vlerë të 2 trilionë eurove dhe i ka përdorur ato për të blerë bono publike si dhe ato të korporatave.

Ky proces është kompleks mirëpo qëllimi i tij ka qenë që të ndihmojë në stabilizimin e ekonomive në vendet e Eurozonës në kohën e recesionit. Mirëpo Gjykata më e lartë të Gjermanisë, me 7 vota për dhe 1 kundër, ka gjetur se disa pjesë të programit kanë shkelur kushtetutën gjermane.

Si do të duket Evropa pas koronavirusit?
Pika kyçe është se vendimi i gjykatës gjermane del kundër një vendimi të vitit 2018, të marrë nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë në Luksemburg, e cila veçse ka shpallur të ligjshëm programin për blerje të bonove.

Pse është e rëndësishme kjo gjë?
Ky vendim vë në pikëpyetje një nga parimet kryesore të Bashkimit Evropian, që përbëhet nga ligjet e fuqishme evropiane, siç interpretohen nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë. Prej viteve 1960, në shumë procese gjyqësore, kjo gjykatë e BE-së ka forcuar këtë koncept.

Nëse ka një konflikt në mes të ligjit evropian dhe ligjit të ndonjërit prej vendeve anëtare, ligji evropian fiton. Ndonëse gjykatat kombëtare në përgjithësi pranojnë këtë parim në praktikë, një numër i ekspertëve ligjorë dhe politikanëve në shtetet evropiane, nuk pajtohen me këtë interpretim. Tani, pas vendimit të gjykatës gjermane, konflikti është vënë në pah.

Si ka reaguar BE-ja?

Pas disa ditëve të heshtjes në Bruksel, derisa zyrtarët evropianë “kanë studiuar vendimin”, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen ka lëshuar një deklaratë për media më 10 maj, duke rikonfirmuar tri parime themelore: “Politika monetare e BE-së është çështje e kompetencës së saj ekskluzive, ligji i bllokut evropian ka prioritet mbi ligjin kombëtar dhe se vendimet e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë duhet të zbatohen nga të gjitha gjykatat kombëtare”.

Dhe në fund ajo ka shtuar: “Fjala e fundit për ligjin e BE-së gjithmonë deklarohet në Luksemburg. Askund tjetër”.

Von der Leyen po ashtu ka lënë të kuptohet se Komisioni Evropian, si gardian i traktateve të BE-së, është duke shqyrtuar mundësinë e prezantimit të të ashtuquajturave procedura të shkeljes kundër Gjermanisë, çka në fakt është hetim i Bashkimit Evropian, në rast se vendet anëtare shkelin rregullat e përbashkëta.