Pse komunistët nuk e duan 28 Nëntorin ?!

Nga Mërgim Korça

 

Cila data e çlirimit të Shqipërisë : 28 apo 29 Nëntori ?
Cilën datë duhet të festojmë si 75 vjetor të Çlirimit ?

Shumë është folur, shkruar si edhe përfolur që nga data 28 Nëntor i vitit 1944 se cila ishte data e çlirimit të vëndit tonë : 28 Nëntori i vitit 1912 apo 29 Nëntori i vitit 1944 ? E kësisoji kaluan edhe vitet … shumë vite që deri më sot përbëjnë pikërisht në pragun e 75-viteve nga 28 Nëntori i vitit 1944 e deri më 29 Nëntorin e vitit 2019-të, e që duan ta quajnë 75-vjetori i Çlirimit të vëndit … duke e lënë në harresë datën e 28 Nëntorit !
Do ta filloj këtë bashkëbisedim me lexuesin e nderuar i nisur thjeshtë nga fakte të cilët nuk hidhen dot poshtë sipas dëshirave të njerit historian apo tjetrit ! Ismail Qemali me shokë Atdhédashës e ngritën Flamurin tonë Kombëtar në qytetin e Vlorës më 28 Nëntor të vitit 1912 duke e quajtur atë ditë Dita e Pamvarsísë Shqipërisë ! U quajt kësisoji sepse ç’prej asaj dite Vëndi Ynë nuk ishte më pré e asaj që e quanin Perandoríja Osmane ! Kaluan edhe 32 vite të tjerë, përfshirë këtu edhe 28 Nëntorin e vitit 1944 kur këmba e fundit e ushtarit nazist u largua nga Shkodra, (qyteti më i math i Shqipërisë Veriut !) Pra, qé një rastësí fatlume e cila bëri të përkojnë si ngritja e Flamurit tonë Kombëtar nga Ismail Qemali me shokë në Vlorë e gjithashtu edhe largimi ushtrisë gjermane nga Toka ynë Amtare! Kësisoj pra, data 28 Nëntor e vitit 1944 atëbot’edhe në vazhdim duhej ta përfaqësonte së rishmi datën e pamvarësísë Vëndit tonë ! Edhe vetë Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë t’ashtuquajtur Nacional Çlirimtare, Enver Hoxha, në fjalën e tij të mbajtur nga tribuna brinjas Hotel Dajtit në Tiranë më 28 Nëntor të vitit 1944, me rastin e hyrjes së Qeverisë Provizore, theksoi se ajo ditë ishte dita e Çlirimit të Shqipërísë !
Mirëpo asokohe duke qenë se né si shtet ishim të lidhur kok’edhe këmbë me Jugosllavinë titiste e kësisoji ajo, e cila qé faktori themelor i krijimit të Partisë Komuniste Shqiptare dhe nga ana tjetër edhe e orientoi t’ashtuquajturën Luftë Nacional-Çlirimtare, këmbënguli që në një farë mënyre mbledhjes së dytë të AVNOI-t të zhvilluar në qytetin e Jajces, t’i jepej edhe nga ana e Shtetit Shqiptar një rëndësí e posaçme, bëri që data e 29 Nëntorit të vitit 1944 të njihej jo vetëm si dat’e mbylljes e asaj konference por edhe si datë e Çlirimit të Shqipërísë ! Në këtë mes po të zgjateshim do të dilnim nga tema por edhe pa e theksuar nuk mundemi të qëndrojmë e duhet ta themi se si egoizmi q’e printe Enver Hoxhën, i cili mendonte që Shqipëria së bashku me Kosovën të bëheshin Republik’e 7-të e Federatës Jugosllave, (duke qëndruar gjithëmonë ai vetë në krye të kësaj njësíje konfederative), i hodhi prapa krahëve të tij fjalët e bukura që kishte thënë në Tiranë lidhur me përcaktimin se ç’ishte data 28 Nëntor i vitit 1944 dhe ndikoi që me anë votimi të përcaktohej data e ikjes edhe të ushtarit fundit gjerman nga Atdheu ynë e kjo datë të ishte 29 Nëntori i vitit 1944 ! Dhe kulmi është se po kjo u quajt edhe data e Çlirimit të Jugosllavisë !(???) [Kjo edhe me tren express sikur trupat gjermane të largoheshin nga Shqipëria edhe Jugosllavija … nuk mud të ngjiste brënda një dite] !!!
Në vijim dhe duke u nisur tashti thjeshtë nga përkufizime karakteri historik, duke e konsideruar si vit bazë dhe saktësisht 28 Nëntorin e vitit 1443 si ditën kur i madhi Gjergj Kastrioti Skenderbeu e ngriti për herën e parë flamurin tonë kombëtar në Kalanë e Krujës duke e bërë asisoji atë datë të zerë vënd të rëndësishëm ndër datat historike të vëndit tonë ku pikërisht mbas 469 vitesh Ismail Qemali me shokë, më 28 Nëntor të vitit 1912, e ngritën në Vlorë flamurin e pavarësísë të Shqipërisë !
Pavarësia e Shqipërisë nga perandoria turke,(mjerisht jo e të gjitha trevave shqiptare), u përgatit në fakt me vite e vite kryengritjesh, që filluan në viset e ndryshme Arbërore nga Malësia e Mbishkodrës, Mirdita dhe vënde e vise tjera, për të përfshirë më vonë krejt Shqipërinë e atëherëshme. U desh fillimi i Luftës së Parë Botërore dhe shkatërrimi i perandorisë së xhonturqve, që shqiptarët të kurorëzonin ëndrrën e viteve për një Shqipëri “më vehte, të lirë e të mosvarme” ! E ndjej të nevojëshme ose më saktë të doemosdoshme, të theksoj se si e trajtojnë sot, 75 vite mbas Nëntorit të vitit 1944, këtë ditë të shënuar për vëndin tonë disa kategorí të ndryshëme njerëzish duke filluar nga persona zyrtarë dhe njëkohësisht edhe personalitete botërore; në vazhdim nga profesorë historíje e më së fundi edhe nga personalitete drejtuese drejt për së drejti të ngjarjeve të ndodhura !
Po ta shfletojmë Buletini-n e Luftës Nacional Çlirimtare, (i cili filloi të botohej me 13 Nëntor të vitit 1944 dhe u botua deri në Dhjetorin e atij viti se pastaj u zëvëndësua nga Gazeta Bashkimi), në nr. e tij 51 të datës 28 Nëntor të vitit 1944 gjejmë të shkruar : “… 28 Nëntori si përvjetor i Ditës Pavarësisë së vitit 1912 u festua bashkë me festën e Pavarësisë Shqipërisë më 28 Nëntor të vitit 1944 !”
Gjithashtu kur Papa Françesku e vizitoi Vëndin tonë dhe gjatë fjalës së tij i vlerësoi lart edhe bëmat e Klerit si edhe të katolikëve shqiptarë që t’i mbanin lart arritjet e 28 Nëntorit të vitit 1912, në vazhdim u shpreh edhe tha në Tiranë më 21 Shtator të vitit 2014 : “… Uroj që shqiponja të cilën e shikojmë në flamurin e vëndit tuaj, t’ju kujtojë gjithënjë shpresën për ta mbështetur përherë besimin tuaj në Hyjin, që nuk na zhgënjen, por është gjithënjë përkrah nesh, posaçërisht në çaste të vështira. Shqiponja nuk e harron folénë por fluturon gjithënjë lart.”
Vazhdojmë tashti me diskutimet e pafundme të historianëve tanë ku më kanë lënë mbresa p.sh. këmbëngulja e Prof. Dr. të Shkencave Historike Kristo Frashërit i cili jo vetëm që këmbëngulte se si data 29 Nëntor e vitit 1944 duhej konsideruar si data e Çlirimit të Shqipërísë, duke e mbështetur këtë bindje të tijën se me datën 28 Nëntor të vitit 1944 nuk u botua numuri 51 i Buletinit të Luftës Nacional Çlirimtare i vitit 1944 por … duke shtuar se ajo gjëndje festive do të zhvillohej tri ditë me radhë, (sipas vendimit të Qeverisë Provizore), gjatë të cilave data e 28 Nëntorit do të ishte Festa Zyrtare e të gjithë shqiptarëve; me 29 Nëntor Festën e Çlirimit do ta kremtonte Organizata e Rinísë (B.R.A,Sh.-i), dhe me 30 Nëntor festa do të kremtohej nga Organizata e Gruas Antifashiste (B.G.A.Sh.-i). U a them me plot sinqeritet të ndershëmve lexues se e kam lexuar me dhjetra herë se si u shpreh Profesor Dr.Frashëri dhe … meazalla se e kuptoj fillin logjik të tijin, (nisur nga fakti se unë me syt’e mij i kam lexuar dy faqet e Buletinit me nr. 51 të datës 28 Nëntor të vitit 1944 të Luftës Nacional Çlirimtare), dhe ku si pasojë më duket tejet jo racional pozicionimi që merr Prof. Dr. Kristo Frashëri ndaj asaj date !
Sa u takon historianëve në vazhdim, emrat e të cilëve janë të shoqëruar me varg titujsh shkencorë si edhe i lartpërmenduri, do t’Ju a sjell të nderuarve lexues përshtypjet që më kanë lënë tek i kam lexuar ose edhe ndjekur ballafaqimet e tyre rreth temës që diskutojmë. Dua të rikujtoj sa për një shëmbull skajshëm kuptimplotë se si rreth temës në se duhet konsideruar 28 apo 29 Nëntori i vitit 1944 si data me anë të së cilës këtë vit do ta përkujtojmë përvjetorin e 75-të të “Çlirimit të Vëndit tonë ”, mbresat që më kanë lënë këta shkencëtarë të nderuar të cilët mjaft se janë mësimdhënës universitarë … më kanë lënë tejet të zhgënjyer ! Në parim unë gjithmonë i kam respektuar profesorët e ndryshëm për vetë faktin se atyre kurdoherë e në çdo kohë u është besuar t’ua transmetojnë studentëve të tyre dy gjëra themelore, kulturën e tyre në fushat ku konsiderohen specialistë dhe nga ana tjetër edhe sjelljen e tyre të përgjithëshme. Kësisoji para se t’i sjell para lexuesit qëndrimet e pahijëshme në rastin konkret, do t’ia lejoj vetes s’ime edhe të ndalem rreth një situate e cila në parim fillimisht duket disí komike për ta vënë në diskutim se sa specialistë ata janë, e pastaj duke e theksuar doemos faktin se çfarë shëmbulli na japin ata me këtë rast me sjelljet e tyre ! Më zinte në gojë miku im i kahershëm Lekë Pervizi se si një mik i tiji i kishte pasë thënë se në gjuhën tonë të bukur shqipe, elementi alfabetik “Ç” përdorej përgjithësisht si element mohimi, apo jo ? Sa për ndonjë shëmbull po ju sjell nga gjuha e jonë disa fjalë të ndryshëme si p.sh. “ÇBËRJE”, “ÇAKORDIM”,“ÇARMATOS”,“ÇNDEROJ”, si edhe të kundërtat e tyre që janë “BËRJE”, “AKORDIM (veglash muzikore), “ARMATOSJE (njësije ushtarake), “NDERIM” (në raste të caktuara) e po kësisoji edhe rasti i datës 29 Nëntor 1944 që nga historianët tonë me prirje të majta, e quajnë si Dita e ÇLIRIMIT të Shqipërisë ! Pa lére pastaj të futemi e ta diskutojmë se ç’i sollën Shqipërísë ata 47 vitet nga 1944 e deri në vitin 1991 ku u kryen pushkatime të intelektualëve, klerikëve si edhe atdhetarëve më të shquar të vëndit, të ndjekur këta nga ÇPRONËSIME MASIVE, BURGOSJE SI EDHE INTERNIME TË PAFUND të lidhura këto me gjak, lot, vuajtje dhe urí të pambaruar ! E që ta mbyllim me këtë pjesë të kësaj analize, duhet theksuar se pikërisht këto qen’edhe çfaqjet q’e bënë ditën e 29 Nëntorit ditën më të zezë të historísë tonë kombëtare !
U kthehemi tashti historianëve që debatojnë mes tyre. Doemos i nisur nga këndvështrimi im rreth pozicionimit që duhet mbajtur ndaj të vërtetave historike e doemos me këtë rast edhe të mos shfytyrohet data e largimit nga Shqipëria e ushtarit të fundit gjerman q’e pati shkelur tokën tonë, nuk kam se si mos ta vé në dukje se këndvështrimi im si edhe përshtypja që kanë lënë tek unë pohimet e historianëve profesorë si edhe doktorë shkencash historike që, duke filluar nga Profesor Dr. Kristo Frashëri, Kasem Biçoku, Paskal Milua, Muharrem Dizhgiu, Xhelal Gjeçovi si edhe Xhemil Frashëri me shumë shokë të tjerë, janë nga më kundërthënëset për disa nga këta historianë !
Po e filloj me z.Milo, sepse ai për mua presupozohej se duhej të ishte modeli i mirësjelljes, me të kaluarën e tij prej kryediplomati që përfaqësoi vite me radhë shtetin tonë. Dokumentacioni që paraqiti ai si artilieri të rëndë ishin ato të Shtabit Mesdheut si edhe dokumentat e arkivit të Ministrisë Jashtëme amerikane. Të mendosh të vërtetosh datë historike i bazuar në dokumenta të përgjithëshme ku vetë Shqipëria ishte një sasi e papërfillëshme pa lé një datë e ngjarjeve të saj, shto këtu edhe faktin se këta dokumenta ta zemë se i ishin dhënë nga një funksjonar edhe aq … të them të drejtën nuk më duket aspak bindëse ! Pa lé pastaj të marrësh e t’u japësh atyre vlerësimin si fakte bindës, kjo shkel çdo kriter shkencor ! Lére pastaj faktin që atij, duke dijtur se kish të bënte me një personalitet të diplomacisë shqiptare, ç’i kushtonte një konformim i vogël edhe të fitonte híret e këtij të fundit ? Përgjatë këtij konteksti nuk kam se si të mos e rikujtoj edhe paraqitjen që i bëri kohë më parë profesor Milua letrës së shkruar nga Mehmet Shehu para … vetëvrasjes së tij, ku nuk u dha teksti i plotë me justifikimin e ruajtjes së sekretit arkivor për tre dhjetvjeçarë por, ashtu i cungët, duhej pranuar ky si dokument historik !(?)
E përgjatë kësaj vazhde profesor Milua, duke mos u përballuar dot më me trysnínë dokumentare të profesor Biçokut si ndaj tij e gjithashtu edhe ndaj profesor Xh.Gjeçovit, i cili ballafaqoi dokumenta me data të shtuara më vonë, profesor Milua i u drejtua profesor Biçokut fillimisht me : ik ore, ik more historian i Mesjetës. Mirëpo vetëpërmbajtja e profesor Biçokut, duke patur për themel edukatën e tij qytetare, bëri që të ngjiste e pabëra. Profesor Milua e humbi fare vetëkontrollin e në vazhdim guxoi e i tha publikisht : ik more, ik more, ti që nuk ke kulturë ! Shprehje mëndjemadhësíe ndaj një kolegu apo mungesë e dishkaje shumë më serioze ? Si t’a konsideroj këtë shfaqje të profesor Milos ? Sa më ka zhgënjyer kjo sjellje e tij !
Sa u takon profesorëve të tjerë, profesor Dizhgiu për mua qé shëmbull në ruajtjen e gjakftohtësisë si edhe luajalitetit në mes kolegësh. Ai erdhi duke e rritur vazhdimisht shkallën bindëse të argumenteve të tij, mbështetur kjo në një etikë për t’u marrë shëmbull. Përballë fakteve që gjithmonë kanë administruar profesor Xh.Gjeçovi me gjithë profesor Paskal Milon si edhe profesor Xhemil Frashërin me shokë, doemos edhe para fac simileve dokumentare që vazhdimisht ka paraqitur profesor Biçoku, vlerat argumentuese të profesor Gjeçovit me shokë, janë zbehur si edhe janë zbehur vazhdimisht. Ata kanë lënë shumë për të dëshiruar lidhur me ato që i quajnë fakte. Sa për një shëmbull mbështetës të argumentit profesor Biçokut lidhur me autenticitetin e dyshimtë të dokumentit të hartuar toskërisht në qytetin e Shkodrës, (që paraqiste profesor Gjeçovi), mjafton t’u referohemi dokumentave arkivale në Arkivin e Shtetit lidhur me shkëmbimet e telegrameve në mes Mehmet Shehut dhe Enver Hoxhës, (i pari në Shkodër dhe i dyti në Tiranë), si me rastin e pushkatimit të 12 viktimave të Kryengritjes Malësisë Madhe e gjithashtu edhe vendimet e tjera gjyqësore për pushkatime po në Shkodër, ku si telegramet e gjithashtu proces verbalet e gjyqeve janë shkruar gegërisht ! (?) Unë jo për t’u treguar skajshëm koherent e gjithashtu dhe nga ana tjetër edhe dukshëm i pa-anshëm, e them me sinqeritet se pohimin e profesor Gjeçovit të mos ndikohemi nga politikat, në parim e konsideroj me sinqeritet shumë të drejtë ! Por nga ana tjetër nuk mundem mos t’i drejtohem këtij profesori edhe ta pyes : Gjatë së gjithë periudhës 47 vjeçare të diktaturës komuniste … t’ashtuquajtur Demokraci Popullore, të na e thotë të vërtetën profesori i nderuar, a ka guxuar,(pa lé të shprehet profesori i nderuar), kundra pozicionimeve të Partisë tij ? Nga ana tjetër e pyes sinqerisht tërë kategorín’e profesorëve kolegë të Profesor Gjeçovit, nga ajo fotografi e 28 Nëntorit të vitit 1944 që Profesor Gjeçovi e paraqiti kur triumfalisht komandanti Enver Hoxha parakaloi para Hotel Dajtit, nga komandantët si edhe udhëheqësit që e rrethonin, (përveç Hysni Kapos si edhe Myslym Pezës), sa syresh ndërruan jetë në mënyrë natyrore dhe sa nuk u burgosën si armiq’e tradhëtarë ? Ky fakt më shtyn t’i pyes historianët shokë të Profesor Gjeçovit, t’i bëjnë llogaritë si edhe të nxjerrin përfundime të papolitizuara ! Me këtë rast nuk kam se si mos ta shkruaj “tekstualisht” se si u shpreh Profesor Gjeçovi : “ … lufta e rreshtoi Shqipërinë me Koalicionin Antifashist Botëror, me aleatët anglo-sovjeto- amerikanë …”. Por, nga ana tjetër u shtroj historianëve q’e mbrojnë me këmbëngulje si datë “Çlirimi” 29 Nëntorin e vitit 1944, CILI NGA KËTA ALEATË NA KA NGELUR I TILLË, lé të shtonim edhe Jugosllavinë e në vazhdim edhe Kinën !!!(?)
Duke u kërkuar falje historianëve të edukuar nga P.P.Sh.-ja e që e mbrojnë këmbëngultas datën 29 Nëntor i vitit 1944 të konsiderohet si data e Çlirimit Shqipërisë që unë, një injorant në fushë të historisë, të ndërhyj e të jap në këtë fushë mendimet e mija … të kundërta me mendimet dhe bindjet e tyre !