Pse humbi “aksioni Berisha”?

Nga Indrit Vokshi

Shkaku kryesor është se u nis vonë. Shumë vonë. Lulzim Basha vetëm 23 ditë pasi Berisha u shpall nongrata, nxitoi e u rizgjodh kryetar. Vetëm 34 ditë pasi u rizgjodh kryetar mbajti Kuvendin Kombëtar ku u e pajisi veten me një statut dhe Këshill Kombëtar. Kjo tregon se Lulzim Basha qysh me 19 maj kur Berisha u shpall nongrata, kishte marrë vendimin për largimin e tij nga grupi parlamentar. A e nuhati Berisha ketë apo i qenë dobësuar instiktet, kjo mbetet mister.
Nisja vonë sado të duket diçka e vogël, përcakton fatin e betejës. Për ta ilustruar: kur Napoloni u rikthye pas ekzilit në Elba dhe rinisi luftën, Charles Maurice de Tayeran diplomati më i madh i shekullit i nisi letër carit të Rusisë: Futu në Paris sepse Napoloni është 7 ditë pas teje. Pra Napoloni ishte 7 ditë vonë. Ndërsa Berisha ishte 57 ditë me vonesë. Sikur aksioni të shpallej sapo u humbën zgjedhjet ngjarjet do të zhvilloheshin ndryshe.
Shkaku tjetër është mosbashkimi i institucioneve të partisë me ketë aksion. Kryesia, grupi parlamentar, kryetarët e degëve, ndejtën 80% pa lëvizuar e pa u bashkuar me aksionin.
Vula, statuti dhe institucionet e partisë, kanë rëndësi. Sado që aksioni u mundua të delegjitimojë vulën, sado deklaroi se kjo është çështje fryme, përsëri i duhej të përballej me vulën, me procedurat dhe me institucionet. Me atë vulë Berisha ua ka shtypur kokën kundërshtarëve brenda partisë, duke filluar nga grupi i mocionistëve, tek “grupi i Bamir Topit” në vitin 2009 dhe deri tek “grupi Olldashi” në vitin 2013. Ka rëndësi thelbsore.
Shkaku tjetër është mënyra si u konceptua dhe si u zhvillua foltorja. Ajo nisi si aksion për të demokratizuar partinë, pa interesa personale por shumë shpejt përfundoi në shpalljen se z.Berisha kryetar dhe kryeministër. Kjo e forcoi aksionin tek ndjekësit e Sali Bersihës por njëkohësisht e dobësoi në anën tjetër.
Foltorja pati edhe një problem me dy plane: akuzat e paimagjinueshme e të pabesueshme dhe radikalizimi i tejskajshëm i militantizmit. Kjo shkakton pasiguri dhe shantazh tek të tjerët. Nëse do të ishte zhvilluar në mënyrë të moderuar ndoshta do të kishte shkaktuar më shumë rrjedhje dhe ikje në strukturën e PD-së.
Një fitore e arriti foltorja: delegjitimimin në masë kritike të Lulzim Bashës tek një pjesë e konsiderueshme e militantizmit të PD-së. Aleat i foltores u bë Lulzim Basha vetë por aleati më i fortë i foltores u bë enturazhi i Lulzim Bashës. Duke qenë të pamësuar me demokratët, duke mos ua ditur gjuhën, duke pasur mungesë taktike dhe formim politik në administrimin e krizës ata me çdo dalje publike i acaruan demokratët.
Në të njejtën kohë u dëshmua një mungesë e theksuar karakteri: u sha Sali Berisha dhe u paraqit si burimi i të këqijave në PD. Kërcet shumë keq nëse njerëzit të cilët deri dje e konsideronin Berishën ikonë, sot ta konsiderojnë si burim të së keqes. Edhe Berisha i akuzoi ata të cilët deri dje i mbronte? Po. Mirëpo nëse i futesh kësaj loje dhe barazohesh me Berishën në akuza, ai del në avantazh sespe ka disa veti të tjera më shumë, energjik, punon politikisht, ka talent dhe t’i lë mbrapa përtacët politikë. Akuzat për Berishën, më shumë sesa Berishën, kanë rrënuar ata të cilët i kanë lëshuar akuzat pa qenë vetë në nivelin e duhur si punëtorë dhe si talente politike.
Nuk dihet saktë se si do të rrjedhin ngjarjet më tej por ajo çka nuk mund të anashkalohet është se Partia Demokratike, lidershipi dhe enturazhi i saj do të ketë vështirësi teper serioze për të bashkuar në një sallë njerëzit e përfshirë në ketë konfikt.