Pse e djathta ska opsion?

Nga Indrit Vokshi

Me mendjen time kam qenë shumë larg tifozllikut banal “jo po Basha, jo po Berisha” ose thënë më qartë, pavarësisht se e kam detyruar veten të përfshihem edhe në ketë diskutim, nuk ka qenë ai shqetësimi parësor.
Pavarësisht se kam mbajtur krahun e institucioneve të partisë, jo revolucioneve me motive meskine brenda partisë. Ndoshta do të isha bashkuar me një revolucion reformist, rigjenerues e që e ndryshon totalisht spekterin e djathtë; i ndryshon gjuhën, qasjet, referencat, modelet.
Meqenëse një revolucion i tillë nuk duket gjëkundi, jemi të detyruar të refuzojmë revolucionet me natyrë klanore e idhujtare të cilat synojnë ngritjen e bustit të Sali Berishës. Për disa mund të jetë e këndshme ngritja e bustit, mund të jetë edhe e drejtë, mund të jetë edhe e merituar të glorifikohet “shenjti mbrojtës” i cili i ka sjellë dhurata e shpërblime klanit dhe popullit ndjekës. Mirëpo po të ngremë kryet e të shohim më larg në horizont, nuk është opsion politik për ardhmërimë dhe vazhdimsinë. Nëse gjykojmë politikisht duhet ta refuzojmë me këmbëngulje.
Pyetja e cila na e merr gjithë vëmendjen dhe kohën e mendimit është kjo: pse spekteri i djathtë degradoi në banalitet? Pse spekteri i djathtë nuk ka sot personalitet për nesër? Pse nuk kemi ne opsion? Pse rrudhim buzët dhe ngremë supet kur na kërkohet një i tretë?
E para sepse nuk kemi të djathtë. Kemi një imitim të së djathtës. Nëse ka botëkuptime të djathta brenda elektoratit, ato botëkuptime nuk janë reflektuar ndonjëherë në superstrukturë, pra në forume dhe në politikën zyrtare të partisë.
Ajo çka e mban një parti politike funksionale është konsensusi i brendshëm i flukseve dhe grupimeve politike, jo nënshtrimi i të gjitha “fiseve” prej një fisi të vetëm. Në spekterin e djathtë nuk ka pasur ndonjë konsensus të gjerë, ka qenë fisi politik “Berisha” i cili për 30 vite i ka nënshtruar të gjitha fiset e tjera. Disa i ka dëbuar, disa i ka shuar derisa mbeti pakicë. Pastaj pasi i ka dëbuar e ngordhur, ka hyrë përsëri në tratativa me ta për të gjetur marrëveshje.
Në ketë situatë kanë vepruar dy mekanizma njëherësh; nga njëra anë është rrënuar simpatia politike për të djathtën pasi aty janë kalcifikuar të njejtat fytyra dhe ushtarë të fisit politik, njerëz pa pëlqyeshmëri publike dhe pa kredenciale. Nga ana tjetër nuk u ka funksionuar më mekanizmi i marrëveshjeve të herpashershme me fiset e dëbuara pasi atë plaçkë që do u jepte klani Berisha, ua ka dhënë pushteti Rama. Për shembull, para zgjedhjeve të 25 prillit Edi Rama bleu një përqindje të Partisë Demokratike dhe bleu gjysmën e LSI-së, me logjikën “a do merrni plaçkë po erdhi qeveria e re? Ua jap unë tani atë plaçkë. Këtu është mbyllur kapitulli i ardhjes në pushtet.
Spekteri i djathtë i mbetur pa ideologji, pa narrativë, pa premisa, pa teza, pa performancë, pa sipmati publike por vetëm si fis biznesi, në emër të monopolizimit edhe të biznesit dhe parasë në një familje të vetme, ka dëbuar e ka poshtëruar cilindo që mund t’i jepte kredo spekterit. E kanë bërë ketë sepse nuk kanë dëshiruar askënd aksioner në biznes. Prandaj sot spekteri i djathtë është tokë e shkretuar. Prandaj u konsumua një luftë banale dhe e egër brenda dy pjesëve të klanit Berisha i cili pati mbetur si klani i vetëm djathtas, pasi i kishte përzënë e shkatërruar brutalisht dhe egërsisht të gjithë të tjerët.
Këto janë pasojat e ngazëllimit dhe gëzimit kur Berisha herë vetë e herë me dorën e Bashës, shkatërronte dhe shkatërronin cilindo që e shihnin si potencial.