Pse Donald Tusk nuk e takoi Ilir Metën?!

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk vizitoi Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë jo vetëm me dy qëndrime por dhe dy axhenda. Lufta kundër krimit dhe korrupsionit nuk ishin të papriturat që solli Donald Tusk, por shpërfillja që i bëri Presidentit Meta! Kujt iu dedikua mesazhi me këtë shpërfillje, Edi Ramës apo Lulzim Bashës?!
Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, pas Shkupit ku shprehu mirënjohjen për firmosjen e Marrëveshjes së Prespës dhe luftën kundër korrupsionit pas arrestimit të Prokurores Speciale, si në takim me Presidentin Stevo Pendarovski ashtu dhe Kryeministrin Zoran Zaev, vjen në Tiranë për të marrë mirënjohje nga Edi Rama i cili nuk e lufton krimin dhe korrupsionin por që u tha se ka mbështetjen e Presidentit Tusk. Dhe jo vetëm kaq!
Presidenti i Këshillit Evropian për dallim nga Shkupi nuk kishte vetëm deklaratat por dhe axhendë tjetër të takimeve. Ai nuk takoi Presidentin e Republikës dhe që nuk është rastësi e shprehu vetë Ilir Meta me një shkrim autorial që shpërndau Presidenca për mediat, dhe që kishte për qëllim pikërisht atë për të cilën akuzon partnerin e tij të “Koalicionit të Tadiçit”, propagandën!
Por takimi i pazhvilluar Meta-Tusk nuk është vetëm çështje axhende ose dashurie ndaj Edi Ramës, sepse refuzimi për të takuar Presidentin e Shqipërisë ndërkohë kishte takuar atë të Maqedonisë së Veriut, shtete këto për të cilat ai kishte një impenjim të veçantë në prag të Samitit të BE, ngërthen në vete shumë mesazhe.
Shkrimin e tij autorial Ilir Meta e nis me konstatimin se kriza politike u intensifikua me afrimin e ditës së zgjedhjeve!
Këtë përveç se çdo shqiptar e ka të qartë edhe Presidenti i Këshillit Eropian, Donald Tusk, i cili ndonëse një burokrat evropian nga raportet që i vijnë nga Zyra e BE në Tiranë e ka kuptuar se kriza politike në Shqipëri nuk u intensifikua me zgjedhjet por nisi me mënyrën se si iku LSI nga koalicioni me PD; Dhe, pikërisht ky që iku, Ilir Meta, sipas Marrëveshjes së Koalicionit nën kujdesin e Ish-Presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, u projektua mbi palët, President. Dhe, meqë e takoi Edi Ramën që erdhi vetëm me ndihmën e Ilir Metës në pushtet, s’kishte pse ta takonte bashkëmendimtarin e tij që nuk ishte dhe nuk është mbi palët!
Ilir Meta mund të shkruaj edhe tre editoriale në ditë, erdhi apo nuk erdhi Donald Tusk, por arsye pse Edi Rama e shkel Kushtetutën nuk është të qenurit Ilir Meta President. Këtë e ka bërë edhe kur ishte Kryetar i Bashkisë Tiranë, dhe Ilir Meta Kryeministër në atë kohë buzëqeshte; Këtë e ka bërë edhe në kohën kur ishte Kryeministër dhe Ilir Meta Kryetar i Parlamentit buzëqeshte, si me veprimet antikushtetuese ashtu dhe deklaratat e Edi Ramës e Ditmir Bushatit, dhe përqeshjet që i bënin gjendjes shëndetësore të Presidentit.
Ashtu siç e dinte Ilir Meta me Edi Ramën në vitin 2013, të tilla informacione kishte dhe Zyra e Këshillit Evropian në Bruksel, se pas rënies së Partisë Demokratike nga pushteti, strukturat e partisë ishin për toke dhe lidhja me bazën kishte humbur. Lulzim Basha apo Zoti qoftë Kryetar i ri i PD, të gjithë e dinin se do ta ketë vështirë sepse duhet ta ngrinte partinë nga e para; Parti e cila i kishte vënë çelësin portës për 8 vjet sepse ishte e preokupuar me pushtetin!
Dhe derisa kryetari i ri i PD, Lulzim Basha merrej me ringritjen e partisë dhe Ilir Meta me Edi Ramën me shkeljet shumë të rënda kushtetuese, kriza politike filloi ndërtimin e themeleve të saja. Filloi largimi masiv nga puna për të gjithë ata që dihej se janë me Partinë Demokratike, dhe Ilir Meta heshti ndonëse ishte projektuar mbi palët; Heshti edhe kur opozitës i mohohej e drejta e fjalës në Parlament; Heshti edhe me rastin e Reformës në Drejtësi ndonëse e dinte se po shkonte në duart e Edi Ramës dhe lëvizi të gjithë gurët duke akuzuar opozitën dhe liderin e saj Lulzim Basha si fajtorin e mosvotimit të saj.
I vendosur për të vazhduar karrierën e tij politike dhe me idenë se garantuesit e kësaj Reforme do ti dalin për Zot kur Edi Rama të devijoi, Lulzim Basha iu bind presionit ndërkombëtar, burimi i së cilës ishte Edi Rama por edhe Ilir Meta si interlekutori me teorinë e “një lideri opozitar që kur e pyet edhe për orën gënjen”.
Për ringritjen e strukturave të Partisë Demokratike nga Lulzim Basha, Edi Rama dhe Ilir Meta mund të jenë dëshpëruar, por shumë shpejtë Kryeministri Edi Rama e kuptoi se palë për zgjidhjen e krizës politike të cilën e kishte thelluar me Metën ishte vetëm Lulzim Basha. Ishte apo nuk ishte palë në koalicionin qeverisës Ilir Meta asgjë nuk ndryshoi ashtu siç nuk ndikoi nëse është apo jo mbi palët një personalitet i paqëndrueshëm politik si Ilir Meta.
Marrëveshja e 17 Majit vërtetë është fillimi i fundit të Ilir Metës, siç e kishte projektuar Edi Rama, por dhe fillimi i fundit të vetë Edi Ramës i cili ngeli pa partnerin mbi palët dhe pa palë për të negociuar. Këtu është dhe momenti kur si Zyra e BE në Tiranë ashtu edhe ajo në Bruksel kishin informacione të çuditshme si nga Rilindja ashtu dhe LSI, por që më vonë asnjëra nuk rezultoi e vërtetë.
Mbyllja e çadrës mund të quhet sukses i Edi Ramës dhe “gëzim” i Ilir Metës, por Kryeministri së bashku me Kryetarin e Parlamentit kishin ngatërruar një fakt shumë thelbësor: Me mbylljen e çadrës, nuk do të thotë se nuk do të bie më shi!
Pse dështoi Marrëveshja e 17 Majit dhe pse u degjeneruan zgjedhjet e vitit 2017 sot e dijnë të gjithë shqiptarët pas përgjimeve të publikuara nga “Bild” ashtu si dhe Donald Tusk, por këtë e dinte me kohë Ilir Meta kur në vitin 2015 ishte në koalicion me minuesin e zgjedhjeve legjitime, Edi Rama por që gëzoi pushtetin me votat e vjedhura!
Pse mbahen zgjedhjet në Shqipëri pa kandidatë alternativë dhe pse sot Presidenti Ilir Meta i quan votime fiktive që minojnë rendin demokratik dhe pluralizmin politik si themeli i gjithë ndërtimit dhe funksionimit të shtetit të së drejtës, kur të tilla ishin edhe kur ai ishte Kryetar i Parlamentit, edhe këtë e din Donald Tusk; Tashmë edhe pa Zyrën e BE në Tiranë.
Pse sot nuk kemi një Prokuror të Përgjithshëm dhe pse u shpik Arta Marku sot e ka të qartë Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk siç e kishte të qartë se pse Zoran Zaev e arrestoi Prokuroren Speciale, Katica Janeva.
Por, sot, për dalje nga kriza politike që ka kapluar Shqipërinë, Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, fillimisht e ka të qartë se nuk i duhet askujt ai që, sipas Kushtetutës, është mbi palët, Presidenti i Republikës, Ilir Meta!
Ta bësh Ilir Metën ndërmjetës në dialogun Ram-Basha është sikur ta bëje Rahman Parllakun kryetar të trupit gjykues për Masakrën e Tivarit! Madje situata rëndohet edhe më shumë kur Ilir Meta gjendjen e krijuar e vlerëson edhe si antagonizëm.
Donald Tusk, jo si President i Këshillit Evropian por si banorë i një shteti shumë demokratik dhe me kulturë si Polonia, e din që antagonizmi si kontradiktë e papajtueshme zgjidhet vetëm me luftë ose revolucion. Ilir Meta mund ta quaj si t’ia don kokrra e qejfit meqë nuk ka kurrfarë impakti domethënës pa mbështetjen e Partrisë Demokratike kundër Edi Ramës, por si palë në zgjidhjen e problemit ai nuk mund të jetë dhe këtë e ka të qartë Donald Tusk, dhe këtë e shprehu përmes axhendës së tij politike në prag të Samitit të Këshillit të Ministrave të BE kur do të vendoset për çeljen apo jo të negociata me Shqipërinë, pavarësisht nëse Edi Rama i dha apo jo medalje Presidentit të Këshillit Evropian.
Në fund, në kulmin e krizës politike në Shqipëri, kur Presidenti i Këshillit Evropian u qartësua për rolin e Ilir Metës por jo edhe Sekretarit të Edi Ramës në Zyrën e BE, Luigi Soreca, ai kishte mesazh të qartë për Kryeministrin, se me kë duhet të zgjdhet problemi, pra, kush përjashtohet.
Sot, detyrë e vetme e opozitës dhe Lulzim Bashës tashmë mbetet jo të kundërshtoj raportet e Ambasadorëve nga Tirana dhe ti bëjë avokatinë Ilir Metës, si në rastin e takimit me Delegacionin e Komisionit Venecias, por me argumente opozitare të bindë prezencën ndërkombëtare pse është e domosdoshme dorëheqja e Kryeministrit Edi Rama dhe ulja e tij në tryezën e bisedimeve për tejkalimin e krizës si palë e barabartë. Nga ana tejtër, miratimi i vlerësimit të Ilir Metës për antagonizëm, jo vetëm që minon Partinë Demokratike, por e devijon edhe nga e djathta shqiptare që kundërshton zgjidhjen e problemit me luftë ose revolucion. Dhe jo vetëm kaq! Kjo metodë nuk i ka shërbyer këtij vendi as me 1924, as me 1945 dhe as më 1997; Nuk ka se si ti shërbej as sot, aq më pak kur në krah ke Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin!