PS mbledh grupin parlamentar/ Socialistët rrëzojnë “Becchetti-n”, votojnë “PRO” për “masakrën zgjedhore”

 

Me kërkesë të kryeministrit Rama mëngjesin e të hënës është mbledhur grupi parlamentar i Partisë Socialiste.

Shumica e socialistëve do të rrëzojnë një nga tre komisionet hetimore që ka kërkuar Partia Demokratike ndërsa për dy të tjerë kanë dhënë “OK” por me kushte.

Sipas burimeve brenda grupit parlamentar të PS-së, shumica ditën e enjte do të votojnë kundër ngritjes së komisionit hetimor për çështjen “Becchetti”, ndërsa për “Inceneratorët” dhe atë që e cilëson “masakër zgjedhore” në 25 Prill do të votohet “PRO”, por do të kërkohet të riformulohet objekti i hetimit.

Seanca e së enjtes pritet të ketë debate të forta pasi vendimi i shumicës socialiste pritet që të shkaktojë reagim të fortë te Partia Demokratike, e cila do të këmbëngulë te hetimi i çështjes “Becchetti”.