Protestuesit kazakë armatosen rëndë, djegin zyrat e qeverisë vriten 8 policië e qindra plagosen

ALMATY – Prej disa ditësh protesta të dhunshme kanë përfshirë Kazakistanin. Së fundmi Presidenti i ish-republikës sovjetike të Kazakistanit i bëri thirrje një blloku sigurie të udhëhequr nga Rusia për ndihmë, pasi nuk arriti të shuante protestat e ditëve të fundit. Nga këto protesta së paku 8 persona janë raportuar se kanë humbur jetën ndërsa qindra të tjerë janë plagosur e shumë ndërtesa janë shkrumbuar nga zjarri.

Fillimisht të zemëruar nga rritja e çmimit të karburantit, protestuesit kanë sulmuar ndërtesat qeveritare dhe kanë bërë thirrje kundër paraardhësit të Presidentit Kassym-Jomart Tokayev, Nursultan Nazarbayev. Ai mbajti pushtet të gjerë pavarësisht se u largua në vitin 2019 pas një sundimi gati tre dekadash.

Reputacioni i vendit të Azisë Qendrore për stabilitet nën pushtetin e Nazarbayev ndihmoi në tërheqjen e qindra miliarda dollarëve të investimeve të huaja në industritë e naftës dhe metaleve. Por një brez i ri po kërkon liberalizimin e parë në ish-shtetin e Bashkimit Sovjetik.

Kazakistani, pesë herë më i madh se Franca me një popullsi prej afro 19 milionë banorësh, ka shpërthuer në protesta të dhunshme ku janë vrarë së paku tetë policë dhe trupa të gardës kombëtare të martën dhe të mërkurën.

Në videot e shpërndara në rrjetet sociale shihen se si njerëzit armatosen dhe hapin zjarr ndaj atyre që i shikojnë si “kundërshtarë”.

Duke kërkuar të qetësojë zemërimin e publikut, Tokayev shkarkoi Nazarbayev nga posti i kreut të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të mërkurën dhe e mori atë vetë si post. Ai emëroi gjithashtu kreun e ri të Komitetit të Sigurimit të Shtetit, pasardhës të KGB-së të epokës sovjetike dhe hoqi nipin e Nazarbayev nga pozicioni nr. 2 në komitet. Kabineti i Tokajevit gjithashtu dha dorëheqjen.

Por protestat vazhduan dhe demonstruesit morën kontrollin e aeroportit në Almaty, qyteti më i madh i Kazakistanit.

Një dëshmitar i tha Reuters se protestuesit kanë hequr stolat përgjatë sheshit kryesor të Astanës në Almaty për të ndërtuar barrikada. Më parë, policia përdori gaz lotsjellës dhe granata kundër protestuesve, por më pas u duk se braktisi disa rrugë në Almaty.

Në një fjalim të dytë televiziv brenda disa orësh, Tokayev tha në orët e para të së enjtes se ai i kishte bërë thirrje për ndihmë Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO), një aleancë ushtarake e Rusisë, Bjellorusisë, Armenisë, Kazakistanit, Kirgistanit dhe Taxhikistanit.

Ai tha se bandat “terroriste” të stërvitura nga të huajt po “pushtonin” ndërtesa, infrastrukturën dhe po armatoseshin. Madje shtoi se kishin marrë pesë avionë, në aeroportin e Almatit.

Nazarbayev, ish-presidenti 81-vjeçar, është parë gjerësisht si forca kryesore politike në Nur-Sulltan, kryeqyteti i ndërtuar e që mban emrin e tij. Familja e tij besohet se kontrollon pjesën më të madhe të ekonomisë, më e madhja në Azinë Qendrore