Protestuesit  e armatosur ne Micigan detyrojnë Kongresin të  heq gjendjen e jashtezakoshme 

 

Nga Nova Media

Protestuesit e armatosur futen brenda parlamentit të Miçigan, ligjvënësit votojnë kundër gjendjes së emergjencës

Ligjvënësit u detyruan të vishnin jelekë antiplumb pasi protestues të armatosur u futën në parlamentin e shtetit Miçigan, në Lansing, pak minuta para se dhoma e përfaqësuesve të hidhte poshtë kërkesën e Guvernatores Gretchen Whitmer për të zgjatur gjendjen e emergjencës.

Pamjet ishin dramatike, por asnjë efektiv i forcave të rendit nuk ndërhyri për të larguar protestuesit, pasi në Miçigan lejohet të mbash armë zjarri edhe brenda parlamentit, për sa kohë janë të dukshme dhe mbahen sipas ligjit.

Protestuesit, të cilët nuk po mbanin maska, qëndronin vetëm pak centimetra larg efektivëve të Policisë së Shtetit.

Protesta e quajtur “Atdhetari amerikan” organizohej nga një shoqatë lokale, pjesëtarët e së cilës mbanin gjithashtu tabela mbështetëse për presidentin Donald Trump dhe kundër guvernatores Whitmer.

Përfaqësuesit e Kongresit të Shtetit, shumica republikanë, në fund vendosën të mbështesnin kërkesën e protestuesve dhe të votonin kundër zgjatjes së gjendjes së jashtëzakonshme, por u shprehën në favor të rregullave të distancimit social dhe qëndrimit në shtëpi për sa më shumë të jetë e mundur.

Shtetet e Bashkuara janë një prej vendeve më të prekura nga koronavirusi, me mbi 1 milion raste të konfirmuara dhe mbi 60 mijë viktima. Shteti i Miçiganit ka mbi 40 mijë raste dhe mbi 3600 viktima. Megjithatë, në shumë shtete dhe qytete njerëzit kanë kundërshtuar masat dhe kanë organizuar protesta të ngjashme.