Propozimet e PS/ Alibeaj: Duam reformë zgjedhore reale, Propozimet e  Ramës tallje me shqiptarët

 

 

Ekspertët e Partisë Demokratike dhe të Opozitës së Bashkuar u mbodhën ditën e sotme në selinë blu ku diskutuan mbi propozimet e PS për Reformën Zgjedhore,

 

Në një dalje publike për mediat, ish deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj tha se sot u bë mbledhja e parë e njërit prej nën-grupeve.

 

 

Sipas tij, grupi i punës diskutoi për shit-blerjen e votës, por edhe për politizimin e administratës zgjedhore.

 

 

“Ne kemi dëshirë reale që të bëhet reforma zgjedhore. Por, nuk mund të bëhet reforma zgjedhore, duke u mbështetur vetëm në deklaratë të Ramës se nuk vjedh votën. Kjo nuk është dëshirë, por është t’iu hedhësh sy shqiptarëve. Rama tallet me shqiptarët, duke mos goditur në themel shit-blerjen e votës.

 

Reforma reale do të ishte që të gjendet ilaçi efektiv në këtë rast për të mos shitur e blerë votën. Palës tjetër i kemi thënë që t’i kthehet seriozitetit.  Ne duam reformë reale, të orientuar totalisht nga ato që ka thënë opozita dhe tashmë e thonë edhe gjermanët e Bundestagut. Nuk ka vullnet politik për të dënuar ata që shesin e blejnë vota. Nga drafti i maxhorancës, disa propozime ishin tallje”,  u shpreh Alibeaj.

 

Opozita ka vendosur që grupi i punës për reformën zgjedhore të drejtohet nga Sekretari i Përgjithshem i PD, Gazment Bardhi.

 

Nga PD, pjesë e grupit të punës gjithashtu do të jenë Oerd Bylykbashi, Ivi Kaso, Enkelejd Alibraj, Çlirim Gjata, Endri Hasa dhe Arben Ristani.

 

Të gjitha partitë e koalicionit do të kenë përfaqësuesit e tyre në këtë grup pune: LSI ka caktuar 3 përfaqësues; PR dhe PDIU nga 2 përfaqësues; PAA, PDK, LZHK, PBDNJ nga 1 përfaqësues.