Propaganda komuniste

Nga Ismet Toto

Në çdo vënd të botës mund të ketë një farë llogjike dhe një farë arsye qënieje lëvizja komuniste dhe propaganda relative e saj. Përveçse në Shqipëri. Dhe në realitet, në Shqipëri nuk ka një lëvizje ose propagandë komuniste në ndonjë kuptim serioz. Po ka disa njërës, sadopak, të vjetër e të rij, që, të dehur nga letteratura ose si i thonë ata vetë, nga “dialektika materialiste”, nuk lënë rast pa thënë ndonjë fjalë ose pa zhvilluar ndonjë princip nga ata që supozojnë çrregullime, anarki dhe përmbysjen e sistemit shoqëror.

Dhe këtë punë nuk e bëjnë aspak ata intelektualë të zhvilluar mirë dhe që i dinë mirë punët, e që kanë tendenca të mëngjëra, po e bëjnë gjysmakët që nuk njohin siç duhet as filosofinë marksiste, as atë kapitalisten, as edhe problemet, gjëndjen dhe hallet e vëndit tonë. E bëjnë ata pak vetë që i kanë fare të trubullta ato pak mendime, që kanë në krye dhe duke mos ditur as ata vetë se ç’duan dhe ç’është e arsyeshme dhe e mundur të duan, janë zhytur në letraturën socialiste dhe ëndërrojnë, nëpër atë, një botë të lumtur, e cila nuk mund të realizohet kurrë.

Këta njerëz njihen, sepse në Shqipëri i njohim dhëmbët njëri-tjetrit. Ndoshta ka dhe asish që njihen fort pak. Sidoqoftë na do të flasim pakëz qartë sot dhe të gjithëve. Do t’u themi sinqerisht atë që mendojmë, si njerëz dhe si shqiptarë.

Do t’u themi se ajo që nuk ka vënd në Shqipëri, është propaganda komuniste. Dhe këtë u a themi jo doemos në bazë të ndonjë parimi antimarksist, por kryekëput në pajtim me dialektikën e tyre. Sepse marksizma supozon të ekzistojë një klasë e madhe puntorësh të organizuar. Dhe kjo klasë puntorësh të ketë dhe atë, që quhet ndërgjegje klase dhe të ketë vullnet dhe mundësi përpjekjeje për të ardhur në fuqi.

Dhe në Shqipëri, pra, që s’kemi as industrira, as klas punëtore të organizuara etj., nuk ka aspak vënd teoria marksiste, veçse të qëndrojë në disa tru të sëmura, si një dokument i gjallë epilepsie mendore për këta të pafat.

Nëqoftë, pra, siç thonë komunistët dhe principet e tyre, se bota e gjithë një ditë do të bëhet komuniste, (punë që edhe më optimistët e tyre e parashohin pas një shekulli) na themi se vëndi ynë, do të jetë një nga më të mbramit, që do mundë të pësojë përmbysjen komuniste. Kjo është kaq e thjeshtë, sa s’do asnjë shkoqitje.

Shtojmë se pa u bërë gjithë Europa komuniste, ne shqiptarët, edhe sikur të bëhemi që të gjithë një milionë Leninër, prapë se prapë Shqipërinë s’e bëjmë dot bollshevike dhe i vetmi rezultat i çdo tentative do të ishte, që të hamë disa grushte solemne, që të na vijë mëndja rotull.

Edhe kjo është fare e thjeshtë dhe e kuptueshme, sa s’do asnjë shkoqitje.

Atëhere si justifikohen ata njerëz që bëjnë propagandë komuniste në Shqipëri? Dhe cili do të ishte rezultati llogjik i aktiviteteve të tyre?

Ata nuk justifikohen veçse kështu: janë kalamaj nga trutë, s’dinë ç’bëjnë, ku rrojnë, s’njohin thellë as teorinë marksiste, as gjendjen e botës jo marksiste; janë kalamaj që dehen me ëndërra që s’kanë asnjë posibilitet realizimi.

– Konsekuencat?

Ato i dimë. Aktiviteti i tyre një ditë nga ditët do të mërzitë shoqërinë, nacionalistët dhe qeveritarët e vëndit. Kjo shoqëri, këta nacionalistë dhe këta qeveritarë do të shtrëngohen të kundërveprojnë. Dhe besoj se nuk ka njeri që do të dyshojë se ai që do të hajë dru në këtë mes, janë bash ata kalamajt komunistë, që duke mos ditur se ç’bëjnë, i sjellin dëm qetësisë së vëndit dhe shumë më tepër dëm vetes së tyre.

* * *

Thamë se do të flasim qartë dhe sinqerisht. Ashtu bëmë. Tashti na duhet të themi edhe nja dy fjalë, para se ta mbyllim këtë bisedë, e destinuar vetë prej natyrës së saj të jetë e shkurtër: detyra e çdo njeriu që lindi e u rrit shqiptar dhe flet gjuhën e këtij vëndi, është të bëjë ç’është e mundur pas fuqive të tij, dhe me një kuptim të thellë të konditave dhe të realitetit të sotëm, për të ndihmuar këtë popull, për të forcuar idealet e shenjta të atdhedashurisë dhe të vëllazërisë kombëtare.

Ata që me aktivitetin e tyre venë kundër këtyre dy qëllimeve, bëjnë, ndërgjegjësisht ose jo, tradhti në kuptimin më të plotë që ka fjala. Tradhti nuk është vetëm të ikësh nga balli i luftës. Tradhti është edhe kur mbjell farëra, që janë kundër interesave të kombit dhe gjallërisë kolektive të popullit. Kështu duke qëndruar punët, ne nuk do të çuditemi aspak, kur një ditë, si ç’tha dhe vetë z. Kryeministri, të funksionojë ligja për faje politike kundër atdheut, mbi ata njerëz që venë kundër interesave të vëndit.

Një klimë e fortë nacionaliste, një riorganizim shoqëror, një disiplinë dhe rregullim i të gjitha klasave të popullit dhe interesave të tyre, një veprimtari e fuqishme drejt oksidentalizmit, kjo është Shqipëria ideale.

Botuar në “Arbënia”, 1936.