Pro Bashës apo kundër Berishës ?!

 

Nga Indrit Vokshi

]Nuk më është bërë qejfi kur u shpall nongrata dhe kam menduar se një shtet, qoftë edhe SHBA, është e tepërt të kërkojë ta përcaktojë kush hyn në parlamentin e një shteti tjetër. As duhet ta vërë një parti politike para kësaj zgjedhjeje, aq më pak ta kërcënojë me bar.
Mirëpo kur Berisha shpalli pas 9 shtatorit se tani do i shpall luftë drejtuesve të PD, më la shije të hidhur. Mendova, si me ligj, si me kanun, borxhi kërkohet tek ai që ta ka borxhin. Jo tek dikush tjetër. E rolin suprem, Amerikës ia kanë dhënë vetë. 30 vjet na e kanë paraqitur Amerikën si “vijën e drejtë”, e kanë ftuar të ketë rol, na e kanë paraqitur si arbitër, madje janë munduar ta përdorin fuqinë amerikane kundër njëri-tjetrit. Tani që e kanë futur në torishtë e nuk kanë çfarë i bëjnë, nisin kërkojnë borxhin në vendin e gabuar.
Prita shumë prej tij duke e konsideruar shumë të talentuar. Kanë qenë mbretër e perandorë mesjetarë, me ego shumë më të fortë e që e konsideronin veten mëkëmbës të Zotit në tokë të cilët kur e kanë parë veten mat, janë tërhequr, kanë mposhtuar egon e krenarinë për të mos i shkaktuar dëmë të tjera mbretnisë e oborrit të tyre.
Më pas kur pashë se si u strukturua e çfarë trajtash mori kjo lëvizje, me akuza palidhje, me ndryshime 3600 gradë të qëndrimeve për miqtë e djeshëm, me sharje me rob, me linçime, me shantazhe, me përbetime për tërheqje zvarrë, mendova; nuk mund të triumfojë ky model. Mund të triumfojë por jo me ndihmën time.
Bindja mu forcua kur pasi shpalli kryesia e PD kuvend me 18 dhjetor, z.Berisha doli e deklaroi “Ky është një revolucion, mjer kush synon ta ndalojë revolucionin”. Revolucioni në të gjitha shpjegimet, nënkupton se nuk njihet asnjë ligj, asnjë rregull, asnjë normë, asnjë statut, asnjë institucion. Pra nuk iu njoh për njerëz, njihet vetëm forca. Pastaj, revolucion kundër kujt? Revolucion kundër meje që e mbështes qysh 15 vjeç? Ka 17 vjet që jam me Berishën, baba im ka rrezikuar kokën për të në 1997 duke e mbrojtur dhe ky zotni më shpall sot mua revolucion vetem pse nuk mendoj njëlloj? Nuk shkon.
Tani e shoh që akuzon në mënyrë të paimagjinueshme, akuza që të gjithë e dimë që nuk qëndrojnë. Pse mor burrë? Ke bërë punë të cilat nuk i ka bërë kryeministër tjetër në ketë vend. Ke lënë gjurmë si askush në vetëm 13 vjet. Vetëm mbreti Zog I dhe Berisha spikasnin në histori, përkundër rrugaç pas rrugaçi që u bë kryeministër. Pse të përfundonte këtu puna?
Se di, gjithkush ka arsyet e veta, nuk mundem të gjykoj se nuk i di të gjitha. Veç smë vjen mirë që përfundoi këtu puna.