Presidentja Osmani shpall të mërkurën ditë zie në Kosovë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpallur të mërkurën, më 24 nëntor, ditë zie shtetërore për viktimat e aksidentit tragjik në Bullgari.

Në njoftimin për media të zyrës së presidentes thuhet se presidentja Osmani “ka marrë vendim që të mërkurën, më 24 nëntor 2021, të shpallet ditë zie shtetërore në shenjë solidarizimi dhe nderimi të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, shumica dërmuese bashkëkombës tanë, të cilët kanë humbur jetën tragjikisht në aksident trafiku në Bullgari”.

Në mesin e viktimave ka edhe të paktën 12 fëmijë. Në një spital në Sofje të Bullgarisë janë duke u trajtuar shtatë persona që i shpëtuan aksidentit. Raportohet se shumica e viktimave ishin nga Shkupi dhe ishin duke u kthyer nga Stambolli i Turqisë, ku kishin qëndruar në një vizitë treditore.