Presidenti Trump kritikon kreun e OBSH-së

Presidenti Trump kritikon kreun e OBSH-së

Presidenti amerikan Donald Trump kritikoi kreun e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili bëri thirrje për unitet dhe soldaritet global pasi zoti Trump akuzoi agjencinë e OKB-së si “mbështetëse të Kinës” dhe kërcënoi se do të pezullonte fondet amerikane për të.

Në një kohë kur Organizata Botërore e Shëndetësië duhet të përqendrohet në trajtimin e pandemisë së koronavirusit, ajo po përballet me kritika nga donatori i saj më i madh.

Presidenti amerikan Donald Trump akuzoi OBSH-në se nuk ishte mjaft agresive në përballjen me virusin Covid-19 dhe kërcënoi se do të pezullonte fondet për të.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus u përgjigj duke bërë thirrje për unitet dhe paralajmëroi kundër politizimit të krizës.

“Covid-19 nuk duhet të përdoret për pikë politike. Ka shumë mënyra të tjera për të provuar veten.”

Presidenti Trump u kundërpërgjigj, duke thënë:

“Duke folur për politizim, ai vetë po e politizon çështjen. Nuk duhet të jetë kështu, por shikoni ne kemi shpenzuar 450, gati 500 miliardë dollarë vitin e kaluar. Kemi kontribuar qindra miliarda dollarë në vitet e kaluara. Dhe ata duhet të prodhojnë rezultate më mira.”

Presidenti Trump akuzoi OBSH-në se ishte e ngadaltë në reagimin ndaj pandemisë, pavarësisht se e shpalli koronavirusin si një emergjencë ndërkombëtare të shëndetit publik disa javë përpara se Shtetet e Bashkuara të shpallnin emergjencën kombëtare.

Presidenti Trump gjithashtu e akuzoi agjencinë e OKB-së si “Kino-centriste”. OBSH-ja ka vlerësuar reagimin e Kinës ndaj pandemisë, dhe kritikët thonë se ajo mund të ketë patur besim më shumë se ç’duhej te

Pekini, i cili fillimisht u përpoq të mbante të fshehtë shpërthimin e koronavirusit në Wuhan.

“Ekziston një shqetësim legjitim në lidhje me OBSH-në, që ndoshta po përkëdhel Kinën. Ekzistojnë disa prova për këtë, megjithëse mbetet për t’u parë, ne vërtetë nuk e dimë këtë. Gjithashtu ka një shqetësim se mbase administrata e Presidentit Trump po e përdor këtë si një objektiv për të larguar vëmendjen nga reagimi i saj mjaft i vonshëm dhe joefektiv ndaj pandemisë”, thotë Robert Daly, ekspert i Qendrës Wilson.

Në të njëjtën ditë që Presidenti Trump kërcënoi OBSH-në me pezullim fondesh, Shtetet e Bashkuara njoftuan një ndihmë shtesë prej 225 milionë dollarësh për të intensifikuar përpjekjet kundër përhapjes së koronavirusit në të gjithë botën.

“Kjo është një ndihmë shtesë veç fondeve prej afërsisht 274 milionë dollarësh që ne tashmë ua kemi shpërndarë 64 vendeve të globit.”

Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo tha se ndihma është pjesë e vazhdimit të udhëheqjes globale amerikane në përpjekjet kundër pandemisë, që disa analistë e konsiderojnë si të munguar.

“Nëse duam të mbetemi një fuqi globale, një nga gjërat që bota pret nga ne si fuqi globale është të ndihmojmë në zgjidhjen e këtij problemi. Ne duhet të shihemi se po përpiqemi të zgjidhim problemin global të koronavirusit, sepse nëse nuk e bëjmë këtë, Kina me kënaqësi do të mbushte boshllëkun dhe do të promovonte angazhimin e saj”, thotë Daniel Runde, ekspert i Qendrës për Studime Ndërkombëtare dhe Strategjike në Uashington.

Publikisht, Presidenti Trump ka mirëpritur rolin global të Kinës kundër pandemisë. Në fillim të këtij muaji ai tha se e sheh si një gjë pozitive nëse Pekini ndihmon vendet e tjera.