Presidenti Meta vizitë në Maqedoninë e Veriut, pritet nga Pendarovski, 

Presidenti i Republikës Ilir Meta u prit sot përzemërsisht në një takim nga homologu i tij, Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, me të cilin zhvilloi një bisedë të hapur dhe shumë të ngrohtë.

Të dy Kryetarët e Shteteve vlerësuan potencialin e madh, që ekziston, për thellimin e marrëdhënieve shumë të mira fqinjësore mes vendeve tona, në të gjitha fushat, për një të ardhme më të shkëlqyer.

Duke shprehur vullnetin e palëkundur të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për mbrojtjen e vlerave euroatlantike, si dy vende anëtare të NATO-s, Presidenti Meta dhe homologu Pendarovksi, në kuadër të aspiratave për anëtarësim në Bashkimin Europian, vunë në dukje nevojën e zhbllokimit të procesit dhe fillimit të shpejtë të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian, që sipas tyre, do të ketë një kontribut pozitiv në prosperitetin e përgjithshëm, konsolidimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon.