Presidenti Meta kundër Kushtetueses: Gjykata ka cënuar rëndë transparencën

Ditën e djeshme, Presidenti është njohur zyrtarisht me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, përmes të cilit kjo gjykatë vendosi të, “Rrëzojë kërkesën e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë”, për shpalljen antikushtetues të procesit të votimeve një partiake të 30 qershorit 2019”.

Presidenti Meta mori pjesë në këtë gjykim kushtetues duke mbështetur kërkesën e Shoqatës së Bashkive. Ndryshe nga sa i cilësoi Meta, Gjykatën Kushtetuese pak ditë më parë la në fuqi zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019, duke i shpallur ato legjitime.

Lidhur me këtë vendim Presidenca është shprehur se Kushtetuesja ka bërë disa shkelje në këtë proces. Sipas Presidencës Kushtetuesja i ka zhgënjyer të gjithë me vendimin e dhënë.

“Por përkundër kësaj pritshmërie të lartë dhe legjitime, para së gjithash të popullit shqiptar, por dhe të institucioneve ndërkombëtare, të cilët e kishin kushtëzuar ecurinë e procesit të çeljes së negocimit dhe integrimit të Shqipërisë, me plotësimin edhe të kushtit që Shqipëria, do duhej të kishte një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese mbi zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019, kjo Gjykatë për fat të keq, i zhgënjeu të gjithë.” tha këshilltari juridik, Bledar Dervishaj.

Më tej Presidenca hedh akuza se Gjykata Kushtetuese, për interesa që nuk përkojnë me ato të popullit shqiptar, me këtë vendim hoqi dorë nga ushtrimi i funksionit të saj sublim dhe e shpalli veten jo kompetente, për të mbrojtur të drejtat dhe liritë themelore të shqiptarëve.

Për fat të keq, Sipas Presidencës Gjykata Kushtetuese, me vendimmarrjen e saj për të deklaruar mungesën e juridiksionit kushtetues, faktikisht e la çështjen pa zgjidhje përfundimtare.

“Gjykata Kushtetuese, nuk mori guximin të shpjegonte dhe t`i kthente përgjigje këtyre pyetjeve që ju parashtruan në çështjen objekt shqyrtimi” shtoi këshilltari Dervishaj.

QËNDRIM I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS:

Mbi vendimin nr. 36, datë 04.11.2021, të Gjykatës Kushtetuese, për zgjedhjet e 30 qershorit 2019

Ditën e djeshme, Presidenti është njohur zyrtarisht me vendimin nr. 36, datë 4.11.2021, të Gjykatës Kushtetuese, përmes të cilit kjo gjykatë vendosi të, “Rrëzojë kërkesën e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë”, e cila prej datës 18 korrik 2019, i kishte kërkuar kësaj gjykate “Shpalljen antikushtetues të procesit të votimeve një partiake të 30 qershorit 2019”.

Siç të gjithë jeni në dijeni, Presidenti i Republikës mori pjesë në këtë gjykim kushtetues në cilësinë e subjektit të interesuar dhe mbështeti kërkesën e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, duke kërkuar pranimin e saj sipas objektit.

Jo vetëm kaq, por Presidenti i Republikës, në këtë gjykim, si palë e interesuar, i kërkoi Gjykatës Kushtetuese, e cila është instanca e vetme e ngarkuar me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve kushtetuese, kontrollin e kushtetutshmërisë së akteve apo vendimeve të nxjerra nga organet e pushtetit shtetëror, që të përmbushë rolin, misionin dhe përgjegjësitë që Kushtetuta i ka dhënë, në mënyrë të pavarur, të pandikuar, me kurajë e përgjegjshmëri të plotë, në mënyrë që të gjithë shqiptarëve t’i ofrohej një vendimmarrje e plotë mbi themelin e kërkimit, duke adresuar dhe orientuar njëkohësisht dhe mënyrën e zgjidhjes së pasojave të rënda që kanë ardhur nga një proces votimesh monist, antikushtetues, i njëanshëm dhe fiktiv, siç ishte ai i 30 qershor 2019.

Vetëm përmes një vendimmarrje të themeltë, Gjykata Kushtetuese, do t’i rikthente popullit shqiptar mundësinë që të shprehte vullnetin e tij përmes një procesi zgjedhor të lirë, të ndershëm, të fshehtë, dhe në përmbushje të gjithë standardeve kushtetuese, ligjore e ndërkombëtare, për të zgjedhur përfaqësuesit e tij në pushtetin vendor.

Por përkundër kësaj pritshmërie të lartë dhe legjitime, para së gjithash të popullit shqiptar, por dhe të institucioneve ndërkombëtare, të cilët e kishin kushtëzuar ecurinë e procesit të çeljes së negocimit dhe integrimit të Shqipërisë, me plotësimin edhe të kushtit që Shqipëria, do duhej të kishte një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese mbi zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019, kjo Gjykatë për fat të keq, i zhgënjeu të gjithë.

Gjykata Kushtetuese, për interesa që nuk përkojnë me ato të popullit shqiptar, me këtë vendim hoqi dorë nga ushtrimi i funksionit të saj sublim dhe e shpalli veten jo kompetente, për të mbrojtur të drejtat dhe liritë themelore të shqiptarëve, parimeve dhe vlerave më të larta tona shoqërore e morale mbi të cilat ne si shqiptarë kemi vendosur të ndërtojmë jetën tonë, në një shoqëri me demokraci funksionale.

Për fat të keq, Gjykata Kushtetuese, me vendimmarrjen e saj për të deklaruar mungesën e juridiksionit kushtetues, faktikisht e la çështjen pa zgjidhje përfundimtare.

Gjykata Kushtetuese, nuk mori guximin të shpjegonte dhe t`i kthente përgjigje këtyre pyetjeve që ju parashtruan në çështjen objekt shqyrtimi:

– Në procesin e votimeve një partiake të 30 qershorit 2019, a iu mohua 3,536,016 shtetasve shqiptarë me të drejtë vote, e drejta kushtetuese për të zgjedhur, në mënyrë të fshehtë, të pandikuar dhe ndërmjet alternativave konkurruese?
– A mundet sipas Kushtetutës të zhvillohen zgjedhje në Republikën e Shqipërisë, pa një datë të caktuar nga Presidenti i Republikës, sipas nenit 92/gj të Kushtetutës?
– A ishin votimet për pushtetin vendor të zhvilluara në 30 qershor 2019 dhe rezultatet e tij, në përputhje me parimet, vlerat, të drejtat dhe liritë themelore kushtetuese?
– A mundet që sipas Kushtetutës, data e zgjedhjeve të diktohet nga Kuvendi përmes një rezolute?
– A konsiderohen zgjedhjet pluraliste kur në garë paraqitet vetëm një kandidat?
– A parashikon Kodi Zgjedhor zgjidhjen e situatës kur në zgjedhje merr pjesë vetëm një kandidat? Nëse ka boshllëk ligjor, a duhet detyrimisht të plotësohet ky boshllëk, për të mos cenuar të drejtën kushtetuese të shtetasve për të zgjedhur midis alternativave?
– Në një shtet ku prezumohet se funksionon shteti i së drejtës, a mundet që një organ fundor i administratës zgjedhore të refuzojë zbatimin e Dekreteve të Kreut të Shtetit për caktimin e datës së zgjedhjeve?
– Në një shtet ku prezumohet se funksionon parimi i shtetit të së drejtës, ndarjes dhe balancimit të pushteteve, a mundet Qeveria të bllokojë botimin në Fletoren Zyrtare të dekretit të Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve?
– A ishin antikushtetuese dhe në kundërshtim me parimin e shtetit të së drejtës, veprimet dhe vendimmarrjet e Kuvendit, Qeverisë dhe të administratës zgjedhore?

Këto çështje kaq thelbësore, Gjykata Kushtetuese i la pa përgjigje!

Nëse Gjykata Kushtetuese, do të kishte trajtuar pa anashkaluar secilën prej këtyre pyetjeve, sot do të kishim një vendim themeli.

Është e qartë që, me vendimmarrjen e saj, Gjykata Kushtetuese, nuk pati vullnet ta zgjidhte këtë çështje përmes juridiksionit gjyqësor kushtetues, por ia la sërish çështjen, juridiksionit “politik”.

Për t’iu shmangur themelit të çështjes dhe për ta bërë veten jo-kompetente, Gjykata Kushtetuese, gjatë veprimtarisë së saj, ka cenuar rëndë parimet e transparencës dhe të procesit të rregullt ligjor.

Në seancën e datës 23 qershor 2021, Gjykata Kushtetuese, pasi dëgjoi parashtrimet dhe prapësimet e palëve pjesëmarrëse në gjykim, dhe ku pritej të shprehej me vendim, në mënyrë të papritur e të panevojshme, vendosi të pezullojë shqyrtimin e çështjes dhe t`i drejtohet Komisionit të Venecias, për të marrë një opinion këshillimor (amicus curiae), duke u njohur palëve në proces të drejtën për të propozuar pyetje.

Presidenti i Republikës, i bëri me dije Gjykatës se, nuk kishte paqartësi dhe rrjedhimisht as ndonjë pyetje për t’i adresuar Komisionit të Venecias, lidhur me çështjen e procesit të votimeve të 30 qershorit 2019, antikushtetutshmëria e të cilit ishte objekt shqyrtimi nga ana e gjykatës.

E vetmja palë pjesëmarrëse në proces, që i parashtroi Gjykatës Kushtetuese pyetje për Komisionin e Venecias, ishte pala kërkuese, Shoqata e Bashkive, e cila, kërkoi që Gjykata Kushtetuese t`i përcillte Komisionit të Venecias pyetjen e saj me këtë përmbajtje:

– A është Dekreti i Presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe ai për anulimin e saj, një akt me karakter të përgjithshëm ose akt normativ kushtetues apo është një akt administrativ nënligjor individual dhe në çdo rast, a mund të refuzohej zbatimi i tyre nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sikurse ka ndodhur, apo duhej që këto dekrete t’ju nënshtroheshin vlerësimit mbi kushtetutshmërinë vetëm nga Gjykata Kushtetuese mbi bazën e kërkimeve të subjekteve që kishin pretendime në përputhje me kriteret kushtetuese për vënien në lëvizje të kësaj gjykate?

Pyetja që ngriti shoqata e Bashkive, ishte në vetvete themeli i çështjes.

Gjykata Kushtetuese, në datën 09.07.2021, i dërgoi Komisionit të Venecias kërkesën për dhënien e një opinioni, duke injoruar dhe fshehur pyetjen që kishte kërkuar Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, dhe duke orientuar Komisionin e Venecias të shprehej vetëm për 3 pyetjet e hartuara nga vet Gjykata.

Këto pyetje të hartuara nga Gjykata, jo vetëm që nuk kishin lidhje të drejtpërdrejtë me objektin e gjykimit, por në mënyrën se si ato u formuluan, qartazi kërkonin të orientonin dhënien e një Opinioni që do të shërbente për të legjitimuar vendimmarrjen e saj të mëvonshme, për shpalljen e Gjykatës Kushtetuese si jo kompetente për shqyrtimin e çështjes.

Kjo është një nga shkeljet më të rënda të Gjykatës Kushtetuese, që përmes një procesi jo transparent, duke cenuar procesin e rregullt ligjor, dhe barazinë e palëve në gjykim, i mohoi Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, të drejtën për të marrë një përgjigje përfundimtare për pyetjen që kishte ngritur.

Madje, Gjykata Kushtetuese as nuk e njoftoi këtë të fundit (Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë) dhe as i dha asaj ndonjë shpjegim për këtë fakt.

Kjo mënyrë operimi e Gjykatës Kushtetuese, na krijon bindjen e palëkundur se, Gjykata Kushtetuese, e kishte marrë vendimin e saj për ta shpallur veten jo kompetente për zgjidhjen e çështjes, që prej datës 23 qershor 2021, dhe dërgimi i çështjes në mënyrë të papritur në Komisionin e Venecias, për të marrë një opinion këshillimor, ishte një taktikë e gjykatës, që përmes procedurave, të shtynte në kohë vendimmarrjen e saj, me qëllim që t`i krijonte vetes një justifikim përballë publikut, për mos përmbushjen e detyrës dhe funksionit themelor të saj, duke u vetëshpallur jo kompetente për shqyrtimin e themelit të çështjes.

Se sa kjo mënyrë veprimi e Gjykatës Kushtetuese iu përshtat kërkesave të Qeverisë, kjo nuk ka nevojë për komente.

Mjafton të lexoni vendimin dhe e kuptoni se Gjykata Kushtetuese dhe Qeveria janë në të njëjtën linjë arsyetimi.

Se sa Qeveria, përmes përfaqësuesve të saj në Komisionin e Venecias, ka mundur të ndikojë në orientimin e përgjigjes për Gjykatën Kushtetuese, kjo vetëkuptohet, pasi qeveria është de facto e përfaqësuar dhe lidhja midis këtyre dy organeve, ku si në Gjykatë, dhe në Komisionin e Venecias, përfaqësohet nga të emëruarit e saj.

Opinioni i Komisionit të Venecias ishte i paraprogramuar, për shkak të natyrës shumë të kufizuar të pyetjeve të ngritura nga Gjykata Kushtetuese, që i dhanë një mandat po aq të kufizuar interpretativ Komisionit të Venecias.

E megjithatë, formalisht, Komisioni i Venecias i kujtoi edhe një herë Gjykatës Kushtetuese se, nuk mund të zëvendësojë institucionet e Republikës së Shqipërisë, dhe se vetëm Gjykata Kushtetuese ka tagrin të vendosë mbi interpretimin final të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, duke i rikujtuar përgjegjësinë që kjo gjykatë ka për t`u shprehur për çështje të kësaj rëndësie.

Kjo është gjendja më e rëndë e keqfunksionimit të sistemit të drejtësisë, ku institucionet më larta pjesë e tij, deklarohen të ngritura dhe funksionale vetëm për numra dhe si godina.

Gjykata Kushtetuese, si instanca e fundit e ngarkuar me kontrollin e kushtetutshmërisë së akteve apo vendimeve të nxjerra nga organet e pushtetit shtetëror, nuk përmbushi rolin, misionin dhe përgjegjësitë që Kushtetuta i ka dhënë.

Nga leximi tërësor i vendimit të Gjykatës, kjo vendimmarrje nuk prek, nuk krijon asnjë detyrim, dhe nuk nxjerr asnjë përgjegjësi, për asnjë nga palët e përfshira në këtë proces!

Askush nuk është i detyruar të ndërmarrë ndonjë veprim për zbatimin e këtij vendimi, përsa kohë ky vendim nuk thotë asgjë, përveçse rrëzon kërkesën e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, pasi ka deklaruar mungesën e kompetencës së vet Gjykatës Kushtetuese për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së një procesi zgjedhor, edhe pse në këto procese vihen në diskutim dhe ushtrohen të drejtat dhe liritë më themelorë të qytetarëve në një rend shoqëror demokratik dhe pluralist.

Në një shtet pluralist dhe demokratik, funksioni themelor i drejtësisë kushtetuese është, që nga njëra anë, të garantojë kushtetutshmërinë, rendin kushtetues, duke ruajtur të pacenuar:

– shtetin e së drejtës,
– parimet dhe të drejtat themelore të sanksionuara në Kushtetutë,
– dhënien e zgjidhjes përfundimtare që respekton frymën e kushtetutës dhe vullnetin e sovranit.

Dhe nga ana tjetër, drejtësia kushtetuese duhet të garantojë korrektimin e sjelljes së organeve kushtetuese, dhe të bëjë të qartë kufijtë brenda të cilëve duhet të shtrihen kompetencat e secilit pushtet, në mënyrë që kriza të tilla politike dhe të përfaqësimit apo konflikte të ngjashme të mos përsëriten, duke udhëzuar njëkohësisht plotësimin e boshllëqeve ligjore që bëjnë të mundur zbatimin në praktikë të atyre vlerave të larta që parashikon Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.

Gjykata Kushtetuese, për një çështje kaq të rëndësishme të karakterit kushtetues, nuk e përmbushi misionin e saj sublim, por me vendimin e marrë nuk dha asnjë zgjidhje siç do duhej të bënte, dhe siç interesat më të larta të vendit e kërkonin.

Gjykata Kushtetuese, qëllimisht vendosi të qëndrojë mënjanë, duke stisur një shkak, si mungesën e juridiksionit, ndërkohë që, OSBE/ODHIR, Bundestagu gjerman, Parlamenti Evropian, dhe Këshilli i Ministrave të BE-së , janë shprehur qartë se i takon Gjykatës Kushtetuese që të merrte vendim përfundimtar lidhur me legjitimitetin e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019.

Gjykata, nuk e përmbushi misionin e saj, e la çështjen të pazgjidhur, sepse zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019, u mbajtën nga Qeveria, Kuvendi dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pa Dekret të Presidentit, në një datë që nuk ishte përcaktuar si datë zgjedhjesh sipas Kushtetutës, ndërkohë që dekretet e Presidentit, si ai për anulimin e datës 30 qershor 2019, dhe ai për caktimin e datës 13 tetor 2019 si datë për zhvillimin e zgjedhjeve për pushtetin vendor, janë në fuqi, të pacenuara dhe ishin të detyrueshme për zbatim.

Gjykata Kushtetuese, me vendimmarrjen për ta shpallur veten si jo kompetente për shqyrtimin e një çështjeje të tillë madhore, krijoi një precedent shumë të rrezikshëm për shtetin e së drejtës dhe demokracinë në vendin tonë.

Sipas këtij vendimi, forca qeverisëse në pushtet, kushdo qoftë ajo, në të ardhmen, ka mundësinë që në mënyrë arbitrare dhe antikushtetuese, të interpretojë e më pas të realizojë zgjedhjet në Shqipëri, në datën apo momentin kur ajo dëshiron, apo edhe të mund të vendosë të mos kemi fare zgjedhje.

Gjykata Kushtetuese aktuale, nga garante e lirive dhe të drejtave themelore politike e zgjedhore të qytetarëve, përkundrazi i hapi dyert antikushtetutshmërisë, abuzimit me Kushtetutën dhe ligjin, dhe imponimit të dhunshëm të pushtetit të radhës.

Presidenti i Republikës,
– është në krah të qytetarëve shqiptarë, të cilët e dinë më së miri të vërtetën e 30 qershorit 2019;
– është në krah të marrjes së vendimeve, dhe jo të shmangies së qëllimshme nga marrja e përgjegjësive;
– është në krah të shtetit të së drejtës, dhe jo të shtetit të kapur;

dhe këto parime të palëkundura të Presidentit, nuk ka vendim gjykate, që të mund t`i ndryshojë..