“Pre e propagandes se armiqve te brendshem e te jashtem” !Ja pse i dënonte shqiptaret hetuesi i Sigurimit Arben Kraja, ne vitin 1990.

Nga Roland Luçi

Ne vazhden e urimeve per shefin e SPAK, Arben Kraja, zbardhja e nje aktakuze ndaj dy personave “te rene pre e propagandes se armiqve te brendshem e te jashtem”, e formuluar dhe nenshkruar nga ai, hetues Arben Kraja, ne vitin 1990.

Aktakuzë kundër të pandehurve,
Arben Hiqmet Luçi,
Beniamin Fahri Bizi

Akuzohen se: në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë shkuar me datën 26.07.1990 në qytetin e Tiranës për të hyrë në një ambasadë të huaj e për të kaluar kufirin në mënyrë të kundraligjshme, vepër penale kjo që parashikohet nga neni 127 e 11/1 e 13 të Kodit Penal.

Hetuesia e Rrethit Shkodër në datën 27.7.1990 ka filluar çështjen penale në ngarkim të të pandehurve Arben Luçi dhe Beniamin Bizi, për veprën penale të përgatitjes për kalim të paligjshëm të kufirit. Nga hetimet e kryera ka rezultuar dhe provuar se:

Dy të pandehurit janë banorë të qytetit të Shkodrës dhe kanë shoqëri me njëri-tjetrin. Duke qenë të paformuar dhe me karakter të dobët, ata janë bërë pre e propagandës së armiqve të brendshëm e të jashtëm. Të ndikuar nga propaganda që bënte televizioni dhe stacionet e huaja të radios për shtetasit shqiptarë që u futën në ambasadat e huaja, në fillim të muajit korrik, ata të dy kanë vendosur që me datën 27.7.1990 të ishin në Tiranë dhe atje të futeshin në një ambasadë të huaj duke realizuar kështu qëllimin e tyre për të dalë jashtë shtetit në mënyrë të kundraligjshme. Dy të pandehurit takohen ndërmjet tyre me datën 25.7.1990 në darkë dhe e vendosin që të nesërmen me trenin e orës 14.00 që niset nga Shkodra të shkonin në Tiranë dhe të prisnin që me datë 27.7.1990 të futeshin gjatë ditës në ndonjë ambasadë. Të nesërmen, pra me datë 26.7.1990 janë nisur për në Tiranë me trenin e orës 14.00. Nga shtëpitë e tyre janë larguar pa lënë adresë fare se ku do të shkonin. Pasi kanë arritur në Vorë kanë parë se kishte shumë policë që po kontrollonin personat e dyshimtë që ishin aty. Në këto kushte, i pandehuri Beniamin i ka thënë të pandehurit Arben që të ktheheshin për në Shkodër. Por ky i fundit i vendosur plotësisht për veprën që do të kryente, nuk ka dëgjuar dhe bile ka ndikuar fort tek i pandehuri tjetër për t’ia mbushur mendjen që të vazhdonin rrugën për ku ishin nisur. Dhe kështu të dy të pandehurit zbresin nga treni në Vorë dhe nisen në këmbë, nëpër fusha për të hyrë fshehurazi në Tiranë. Por gjatë rrugës ata u kapën nga një patrullë policie dhe shoqërohen fillimisht për një rajon policie në Tiranë dhe pastaj sillen në Shkodër dhe ndalohen. I pandehuri Beniamin e pranon plotësisht akuzën që i bëhet dhe paraqitet shumë i penduar për veprën që ka kryer. Ndërsa i pandehuri Arbeni mban qëndrim shumë negative gjatë zhvillimit të hetimeve dhe nuk pranon fare që të jetë nisur për të hyrë në ambasadë.
Në këto kushte, dy të pandehurit kanë konsumuar plotësisht elementet e veprës penale të përgatitjes për kalim të paligjshëm të kufirit, nëpërmjet hyrjes në ambasadë të huaj. Vepra e kryer nga të pandehurit paraqet rrezik të theksuar shoqëror. Po kështu, rrezikshmëri të theksuar shoqërore paraqet edhe i pandehuri Arben Luçi, i cili nuk pranon fare akuzën dhe mban një qëndrim shumë negative gjatë hetimit të çështjes.

Duke i konsideruar hetimet e plota dhe akuzën të vërtetuar në bazë të nenit 105 të Kodit te Procedures Penale, ju paraqesim për gjykim të pandehurit:

1-Beniamin Bizi, i biri i Fahriut dhe i Ylfetes, i datëlindjes 1964, lindur dhe banues në Shkodër, me kombësi dhe shtetësi shqiptare me origjinë dhe gjendje shoqërore punëtore me arsim 8 klasë, i pamartuar, i padënuar, pa imunitet, i arrestuar.

2-Arben Luçi i biri i Hiqmetit dhe i Liries, i datëlindjes 1962 lindur dhe banues në Shkodër, me arsim të mesëm, i paorganizuar, pa imunitet, i padënuar, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, me origjinë nëpunës dhe gjendje shoqërore punëtore, i pamartuar, i arrestuar.

Akuzohen se: në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer veprën penale të përgatitjes për kalim të paligjshëm të kufirit, që parashikohet nga neni 127 e 11/1 e 13 të Kodit Penal.

Akt akuza së bashku me materialet e tjera të dosjes hetimore i kalon për gjykim Gjykatës së Rrethit Tiranë.

Kjo akt akuzë u përpilua sot më datë 4.8. 1990 nga unë hetuesi Arben Kraja.