POSTJER APO KRYETAR KUVENDI

Nga ZEF ZEFI
Në faqen e djeshme zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë që administrohet sigurisht nga Kryesia e Kuvendit, shenohet: Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë z. Gramoz Ruçi zhvillon një takim me homologen serbe znj. Maja Gojkovic.
Poshtë titullit, informacioni vijon në ligjëratë të drejtë:
“Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, i ka dërguar një letër falenderimi Kryetares së Parlamentit të Serbisë, Znj. Maja Gojkovic me rastin e krijimit të Grupit Parlamentar të Miqësisë Serbi-Shqipëri në Asamblenë Kombëtare të Serbisë. “Me kënaqësi mora lajmin për krijimin e Grupit Parlamentar të Miqësisë Serbi-Shqipëri në Asamblenë Kombëtare të Serbisë. Gjej rastin t’Ju falenderoj për këtë inisiativë dhe t’i uroj Grupit të Miqësisë një veprimtari të frytshme, në përmbushjen e misionit të tij. Dëshiroj gjithashtu t’Ju informoj se në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë funksionon prej vitesh Grupi Parlamentar i Miqësisë Shqipëri-Serbi, i cili ka kontribuuar në zgjerimin e kontakteve dhe të bashkëpunimit ndërparlamentar. Grupet Parlamentare të Miqësisë përbëjnë një mundësi më shumë për intensifikimin e marrëdhënieve midis institucioneve të të dy vendeve tona dhe kontakteve e miqësisë midis qytetarëve që ne përfaqësojmë. Shpreh bindjen time se bashkëpunimi vizionar dhe i sinqertë midis Shqipërisë dhe Serbisë do të shërbejë si një faktor i rëndësishëm për prosperitetin, paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon.”, shkruhet në letrën e falenderimit të Kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi, dërguar Kryetares së Parlamentit të Serbisë Maja Gojkovic.” (Shih faqja zyrtare e K.Sh)
Vini re ndryshimin:
Përjashtuar titullin i gjithë informacioni është vetëm një letër me “bla,bla,bla…”që Gramozi i ka dërguar homologes serbe, thua se bëhet fjalë për një korrespondencë të thjeshtë zyrtare.
Dhe nuk do të ishte keq nëse do të ishte një korrespondencë e tillë derisa është e vertetë. Por kur të bashkohet kumti i titullit me atë të tekstit, zbulon se Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë paska shkuar vetë në Beograd. Dhe sipas shenimit zyrtar të Kuvendit, vetem për çuar një letër homologes serbe. As më pak as më shumë po Ruçi ka shkuar në Beograd si një postjer i letrës së shkruar në Tiranë.

Ndersa asnjë fjalë, asnjë informacion lidhur axhendën, protokollin, grupin që shoqëronte Kryetarin, emrat. Grupi pritës takimet e tjera me personalitete apo personazhe të jetës politike a parlamentare serbe, përveç “shoqatës”. Tematika, opinionet e palëve, për problematikat e rajonit, dy vendeve dhe për shtetin e Kosoves, të cilat duhet me qënë naiv të mendosh se nuk janë diskutuar.
Nga ana tjetër, bën shumë përshtypje se vetëm tek-tuk ndonjë media e ka cekur me tre katër rreshta si një infromacion periferik. Ndoshta për të respektuar “autocensurën” e vetë medias parlamentare pra faqes së Kuvendit, kush e merr vesh. Po ajo që mungon është shkaku për të cilën ekzistojnë mediat në një shtet, hulumtimi, informimi.
Sipas territ zyrtar të Kuvendit të Shqipërisë Kryetari i Legjislativit shqiptar ka shkuar në Beograd me çu një letër, si postjer i thjeshtë, pastaj postjerin atje e kanë vënë ta lexojë vetë letrën.
Me të lexuar letrën me falenderimet e radhës për “grupin serb të miqësisë”, postjeri, njëkohësisht letërshkruesi, po dhe Kryetar i Kuvendit, është kthyer në Tiranë. Të vjen me qesh dhimbshëm, po kështu janë kullundrisur punët shteti që duan rilindasit, si me qa, si me qesh, njesoj është.