Populli është si pasqyra, sa më shumë e thyen aq më shumë ndriçon

Nga Red Varaku
Aktet e rezistencës së dhunshme ndaj regjimeve tiranike, shkruan teologu Reinhold Niebuhr, ndërmerren nga njerëz “të marrë” , të bekuar me atë që ai e quan çmenduri sublime, “sublime madness.”
Edhe pse këta “të marrë” e dinë fort mirë ,që dora vrastare e regjimit represiv do të bjerë pabesisht dhe mizorisht mbi ta dhe të afërmit e tyre , ata kurrë nuk heqin dorë nga rezistenca ndaj të keqes, përkundër të gjitha hamendësimeve ,sepse fuqia e tyre buron nga thellësitë hyjnore të zemërimit popullor.
Akte të tilla sfiduese e detyrojnë regjimin të dridhet dhe të belbëzojë sepse e kapin në befasi ,ndodhin atëherë kur regjimi as nuk e pret dhe as që e imagjinon .
Shpërthime të tilla të zemëratës popullore ndodhin atëherë kur kapardisja dhe arroganca e pushtetit kap kufij aq banalë saqë , regjimi fillon ta krahasojë popullin e tij me organet gjenitale.
Një revoltë e përmasave të tilla e tmerron dhe i kall datën regjimit ,duke i kujtuar atij fatin tragjik të tradhtarëve të këtij vendi. Akte të tilla i fusin frikën qenve të tij besnikë. Sepse një akt i tillë heroik dhe sfidues , i cili ndërmerret nga njerëz të thjeshtë dhe të pambrojtur , është ose fundi i popullit ose fundi i regjimit.
Pikërisht ,për këtë arsye regjimi ndërmerr masa represive të dhunshme dhe të paimagjinueshme për të shuar zjarrin dhe revoltën ,që buron nga zemrat e lira dhe të cilat nuk i durojnë kamzhikun dhe darët e pushtetit.
Ndëshkimi i kalon kufijtë e terrorit i sepse shërben si mesazh presioni dhe paralajmërimi për cilindo që e çon në mendje një rebelim të tillë të bukur.
Një fenomen të tillë të “çmendurisë sublime “, e gjejmë të trajtuar bukur në trilogjinë e Aleksandër Solzhentisyn tek “ Arkipelagu Gulag,” .
Në një rast ai na rrëfen historinë e një ish-ushtari të dënuar , i cili po transportohej bashkë me disa të burgosur të tjerë drejt burgut dhe që në një çast të vetëm arriti të çarmatoste dhe të eliminonte dy rojet ,të cilët po i shoqëronin.
Pas kësaj , ai iu kthye të burgosurve , duke i thënë se tashmë ata ishin të lirë .Por të burgosurit në vend që të gëzoheshin që kishin një mundësi për tu arratisur , i pushtoi menjëherë një frikë dhe panik.
Duke treguar hapur mosaprovimin për veprimin që kishte bërë ushtari trim ,të gjithë u ulën dhe pritën pjesën tjetër të kolonës së të dënuarve . Më kot ushtari i shkretë u mundua që ti bindte që ajo ishte e vetmja rrugë drejt lirisë, askush nuk ia vuri veshin.
I befasuar nga mosreagimi i të dënuarve, ai i rrëmbeu armët e rojeve të vrara bashkë me fishekët dhe u largua i vetëm . Rojet e që erdhën më pas , pasi panë ç’kishte ndodhur e ndoqën atë .
Ai vrau shumë prej tyre ndërsa me fishekun e fundit ai vrau edhe veten. I gjithë Arkipelagu mund të ishte shembur nëse edhe të burgosurit e tjerë do të vepronin në të njëjtën mënyrë.
Nëse të gjithë dënuarit do të bënin të njëjtën gjë , sigurisht regjimi do të rrëzohej në çast , por askush nuk reagoi askush nuk iu bashkua aktit heroik të ushtarit, të gjithë ulën kokën dhe pranuan që ashtu si delet të niseshin drejt thertores.
Është e pashpjegueshme, dhe logjikisht e papranueshme, që edhe pse të gjithë të dënuarit ishin me një këmbë në varr, edhe pse po shkonin drejt vdekjes , askush nuk gjeti forca dhe kurajo për t’iu kundërvënë regjimit dhe për të rezistuar.
Të mbijetuarit e regjimit e njohin mirë këtë efekt , ashtu siç njohin raste pafund që iu kundërvunë regjimit më të egër ,që ka njohur bota në ditët e tij më të lavdishme. Edhe pse dhuna, terrori,represioni shtëtëror derdheshin pakursyer mbi ta dhe familjet e tyre, ata kurrë nuk u dorëzuan .
Ata e njohin mirë efektin mpirës dhe shkatërrues që ka tek njerëzit kombinimi i frikës me mungesën e shpresës. Sa më tiranik rregjimi , aq më i egër, i dhunshëm dhe i pandjeshëm bëhet, dhe po aq frikë injekton , dhunë e cila më pas transformohet në terror.
Sepse sa më shumë diskreditohet, aq më e rrezikshme dhe e dhunshme bëhet kjo lukuni injorantësh proto-bolshevikë. Dhe kjo nuk përbën më një anomali, ajo është thjesht një simptomë e sëmundjes së një vendi, i cili po shkon me rrapullimë, drejt një kolapsi të plotë shpirtëror dhe ekonomik.
Një revoltë e tillë është shenjë e fillimit të rënies, dorëzimit dhe kapitullimit të plotë të një regjimi. Si një përpjekje e fundit për ti bërë ballë arrogancës helmuese të tradhtarëve dhe një përpjekje e fundit për të ndalur duart e oligarkëve nga pasuria publike .
Njerëz të tillë konsiderohen “halabakë”, “vandalë” ,“barbarë”, “malokë”, “të palarë” , “të pakrehur”, të paaftë për të kuptuar “dashurinë e madhe” që regjimi ka për ta, si dhe të padenjë për “sakrificën e madhe” që qeveria bën për ta .
Ata shikohen me tallje dhe përbuzje nga regjimi dhe ithtarët e regjimit, vetëm sepse ata guxuan të thyejnë frikën. Por harrojnë që vjen një moment që vetëm një pikë e derdh kupën e mbushur plot me zemërim, vetëm një shkëndijë i vë flakën revoltës popullore.
Nëse përpiqesh ta shtypësh këtë zemërim me dhunë , terror dhe represion , zjarri i saj do të shumëzohet në mënyrë të shpejtë dhe të paimagjinueshme anekënd Shqipërisë, sepse siç thotë një fjalë e urtë latine, “ populli është si pasqyra , sa më shumë e thyen aq më shumë ndriçon.”