Policë të lënduar, granata dore e molotov, të shtëna në Veri të Kosovës

Aksioni i Policisë së Kosovës kundër kontrabandës në katër rajone të vendit, u përcoll me tensione në veri. Nga atje raportohet për sulme ndaj policëve e gazetarëve, gjuajtje me gurë e molotov, të shtëna armësh, thyerje e diegie të veturave dhe bllokim të rrugëve.

Policia e Kosovës nisi sot një aksion kundër kontrabandës në disa qytete, përfshirë pjesen veriore të vendit. Aty hasi edhe në probleme. Situata u tensionua shpejt. Si pasojë e rezistimit të serbëve, duke gjuajtur me sende e duke sulmuar me grushte policët, disa pjesëtarë të policisë kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor në spitalin e Mitrovicës.

Policia njoftoi për gjashtë zyrtarë policorë të lënduar, prej tyre pesë zyrtarë të nacionalitetit shqiptar dhe një i nacionalitetit serb. Gjithashtu, një nga personat e përfshirë në sulm ndaj zyrtarëve policorë, është lënduar. Gjatë këtij aksioni janë sulmuar edhe gazetarët dhe kameramanët që kanë shkuar për të raportuar për zhvillimet atje. Gazetari i T7, Çlirimtar Morina, raporton se në drejtim të tyre janë hedhur tre bomba dore.

Se janë përdorur mjete të tilla ka njoftuar edhe Policia e Kosovës, përmes një njoftimi drejtuar mediave. Sipas policisë, qytetarët atje janë grumbulluar, kanë krijuar bllokime të rrugëve me mjete të ndryshme transportuese, kanë përdorur bombola gazi, shok bomba, të shtëna me armë zjarri e granata dore.

Momenti kur policët sulmohen nga qytetarët serbë, para barnatores në veri.