POEZIA LINDI NGA MUZA FRYMËZUESE, JO NGA LYRA INSTRUMENTALE GREKE

Nga Sulejman Mehazi

(provokime teorike letrare), Lyra lindi prej Poezisë e jo Poezia prej Lyrës )

Çfarë padrejtësie ndaj POEZISË, çfarë gënjeshtre teorike e estetike i kanë sajuar kësaj mbretëreshe të artit letrar, se origjina e saj është nga instrumenti vjetër grek Lyra? Çfarë instrumenti o dashamirë të poezisë, jo, jo origjina e saj s’është instrumentale materiale e ndërtuar prej drurëve Lyra greke, por është ritëm shpirtëror, metafizike mistike imagjinare, origjina e poezisë është imagjinata, gjerësa imagjinata rrjedhën e ka nga Muzat. Pra, POEZIA lindi nga Muzat frymëzuese, jo nga Lyrat greke që mund t’i konsiderojmë si ndërmjetësues, interpretues, apo përçues të Poezisë ndaj Muzës frymëzuese.

Logjika e shëndoshë thotë:
Lyra lindi prej këngës, kënga prej poezisë, poezia prej Muzës frymëzuese.
Lyra lindi prej Poezisë jo Poezia prej Lyrës.
Po origjina e epikës, origjina e saj mos është nga ndonjë instrument i vjetër grekë epos…???

1.1. Pyetje poezisë

E pyetën poezinë: “Ku është banesa juaj?
Ajo përgjigjet: “Në zemrat e pastërta.”
Me se ushqeheni?
“Me frymëzime të zjarrta.”
Prej nga e merrni forcën tuaj poetike?
“Nga përjetësia”, përgjigjet poezia.”

1.1.1.Poezia është pemë shpirtërore që rritet në zemër, e frytet i jep me shprehje të ëmbla e të shijshme gojore.

1.1.2.Kujdes, o ju që merreni me poezi, nëse si keni keto elemente poetike, ju lutemi ikni sa më shpejtë prej poezisë!

2. Justifikimi apo kodi i frymëzimeve poetike

Justifikimi apo kodi poetik i frymëzimeve është çmenduaria. Fatkeqesisht duan apo s’duan ta pranojnë, gjithë poetët kanë sëmundje të pashërueshme psikike. Prandaj miq të dashur, lexoni poezitë e poetëve me kënaqësi, por mos i ndjekni e mos shkoni rrugëve të tyre se do çmendeni dhe ju!

2.1. Për Ditën Botërore të Poezisë, 21 Marsi

Poezia se duron ditën e 21 marsit, s’është njëditëshe, por e përjetëshme, vendbanimi i poezisë është në shpirt jo në tubimet manifestuese klanore të përkohëshme. Poezia s’i duron elozhet lavdëruese poetike ajo vetëvetiu nderohet e respektohet, ajo se duron lavdin, pasi vetëvetiu është e lavdëruar.

2.2. Për shkencën e artin poetik

Çështë shkenca?:

-Thelbi i diturisë është truri, thelbi i trurit është mendja, thelbi i mendjes është studimi, thelbi i studimit është shkenca, thelbi i shkencës është argumenti shkencor;

Çështë arti poetik?:

-Thelbi i poezisë është frymëzimi, thelbi i frymëzimit është inspirimi, thelbi i inspirimit është zemra, thelbi i zemrës është dashuria, thelbi i dashurisë është bukuria, thelbi i bukurisë është shpirti, thelbi i shpirtit është përjetësia, thelbi i përjetësisë është Zoti.

Frikohem se keto thënie teorike për poezinë, shkencëtarët bashkekohorë do t’i përvetësojnë për vete.
25 mars 2018