Plehrë si Genta Sula!

nga Agim Popoci
Kaluan 24 orë nga publikimi i një mesazhi të frikshëm në Grupin e Komisionit Ligjeve në Whats App, ku Kryetarja e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Genta Sula, cilësohet nga Prokurori i Diktaturës dhe anëtari i këtij Komisioni “plehrë” dhe ende nuk ka reaguar partia e tij kriminale, PSSH; Nuk ka reaguar as ndonjë nga Shoqatat e Grave; As spartanët e fjalës së lirë që na hapën barkun ditëve të fundit për largimin nga puna të dy gazetarëve. As gëk dhe as mëk!
Asnjë reagim! Dhe meqë është rast i përsëritur, ky fenomen, kur kriminelët dalin hapur për të treguar se edhe rrjetet sociale kontrollohen nga Sigurimi i Shtetit, Genta Sula nuk duhet lënë në mëshirën e kriminelëve komunistë, meqë këtë nuk e kishte parashikuar as Mark Elliot Zuckerberg kur vendosi ti jap njerëzimit një rrjet social që u pagëzua Facebook.
Duhet pranuar që në fillim se Unë i takoj atij grupi që me krijimin e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, isha skeptik në punën e këtij institucioni, si për faktin që Sigurimi i Shtetit ka shkatërruar dosje kriminale, ashtu dhe faktin që në krye të këtij institucioni u emërua Gentiana Sula, që ishte Zv/ministre e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, e kësaj mazhorance.
Fillimi i punës së këtij institucioni i cili është përgjegjës për zbatimin e Ligji nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-sigurimit të Shtetit të RPSSH-së”, lidhur me mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe informimin në lidhje me to, tregoi se jo gjithçka kishin shkatërruar kriminelët komunistë, dhe ka dosje që shqetësojnë këtë mazhorancë të stërmbushur me sigurimsa dhe vrasës pa pagesë.
Ndonëse qindra mijëra të përndjekur politikë janë të interesuar për rrugëtimin e zi të fatit të tyre drejtë birucave famëkeqe, dihej që ky Autoritet do të shërbej edhe për lustracion, pa harruar se kjo është e lejueshme deri në masën që lejon Kushtetuta dhe jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese.
Për shtresën e të përndjekurve politikë dhe punën e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Genta Sula, po jepte një kontribut të veçantë por asgjë nuk ra në sy deri në rastin e sigurimsit Bujar Sheshi. Duke qenë se gjyqësori kurrë nuk u bë dot as i Doktorit dhe as i Ramës, rasti i prokurorit të diktaturës, Bujar Sheshi, tregoi se në këtë vend mund të bëhen miliona Reforma në Drejtësi, por nëse nuk largohet Sigurimi i Shtetit nga institucionet, kot e kanë! Pra, me ose pa Reformë, Drejtësia ishte dhe mbeti nën kontrollin e Sigurimit të Shtetit!
Ti kthehemi rastit në fjalë! Kur Autoriteti i Dosjeve konfirmoi se Bujar Sheshi është sigurims, ai kishte arritur në majat e Prokurorisë së Shtetit, që sipas Reformës në Drejtësi quhet Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP.
Sigurimi i Shtetit ndezi mediat dhe rrjetet sociale që pa dyshim i ka nën kontroll, dhe në shënjestër ishte Genta Sula e cila mbronte me devotshmëri dokumentin të cilin e kishte lëshuar Autoriteti i Dosjeve, dhe i cili konfirmonte se Bujar Sheshi kishte qenë bashkëpunëtor i Sigurimi të Shtetit. Rasti përfundoi në Gjykatë, dhe ky kriminel komunist nuk paditi veten për krimet që kishte bërë, por, Genta Sulën.
Edhe pse nuk fliste Genta Sula por dokumenti që kishte në dispozicion Autoriteti i Dosjeve, në këtë Shqipëri të përçudnuar të Edi Ramës, që kontrollohet nga Sigurimi i Shtetit, iu la në dorë Gjykatës që të vendos nëse “Bujar Sheshi është apo jo bashkëpunëtor”.
Këtu Autoriteti i Dosjeve më në fund u kuotua në masën që duhej të vlerësohej që në ditën e parë të punës, dhe Genta Sula mbrojti vetëm një të vërtetë, që faktohej me dokument, gjë që trazoi shumë shpirtra. E para, kishim një dokument që u kishte shpëtuar sigurimsave dhe nuk e kishin shkatërruar; Dhe, e dyta, po cënohej prezenca e Sigurimit të Shtetit në KLP.
Por Sigurimi i Shtetit, ashtu siç ndezë rrjetet sociale dhe delirin shqiptar, ashtu dhe i shuan! Kur arriti ti çoj në harresë dy kandidatët për president që dolën bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit, Xhezair Zaganjorin dhe Artan Hoxhën, dhe u rikthyen pa një të keqe në përpunimin e opinionit publik, pse nuk do ta çojnë në harresë një Bujar Shesh, i cili është po i asaj ndërmarrje.
Kështu dhe ndodhi, por Sigurimi i Shtetit nuk harroi Genta Sulën. Autoriteti vazhdoi punën, në opinion filluan të dalin ca pseudonime sa për t’u krijuar bindja se rrjetet sociale, Sigurimi i Shtetit nuk i kontrollon dot. Fatkeqësisht, këtu nuk u përfill një detaj! Mirë rrjetet sociale, por si përfundojnë nga rrjetet sociale në media, dhe jo dosido, por mediat më të mëdha shqiptare, tmerrësisht komuniste dhe me pronar më të kuq se gjaku!
Dhe, deri sa Genta Sula vazhdonte punën e saj, radha i erdhi një aktiviteti që zhvillohet sot në Presidencë në nderim të familjes së persekutuar Petrela gjatë regjimit komunist.
Kryetarja e Autoritetit të Dosjeve, Genta Sula, duke menduar se i drejtohet një Komisioni normal të Ligjeve pranë Parlamentit të Shqipërisë, përmes një shkrese informon përmes Whats App anëtarët e këtij Komisioni për aktivitetin që zhvillohet sot në Presidencë, dhe ku pritet të dekorohen familje e individ të persekutuar gjatë regjimit komunist.
Por jo vetëm KLP kontrollohet nga Sigurimi i Shtetit. Anëtari i Komisionit të Ligjeve, Ish-Prokuroi i regjimit komunist dhe pronari i “Çantës së Zezë”, Spartak Braho, shprehet publikisht: “Kjo është plehrë!”
Në pritje të shpërthimit të një skandali të ri nga Sigurimi i Shtetit, në mënyrë që të harrohet sulmi ndaj Genta Sulës, e cila për fat të keq është në minorancë, në shoqërinë shqiptare së cilës i duhet shumë kohë për tu pastruar, aktualisht, më së miri është të jesh plehrë, siç është Kryetarja e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Genta Sula.