Plaku i Detit Edi Rama!

Enver Bytyçi
Sipas gazetës greke, “Protothema“, duke u nisur nga përplasja me Turqinë për shelfin kontinental të ishullit Kastelorizo, Mitsotakis u shpreh: “Ne po e rrisim Greqinë! Do të sigurojnë 12 milje edhe në detin Jon sipas të gjitha konventave ndërkombëtare. Asgjë s’na pengon neve që të arrijmë këtë“. Ndërkaq parlamenti grek ratifikoi marrëveshjet tregtare me Italinë dhe Egjiptin, të cilat janë firmosur javët e fundit. Mesa duket Mitstakis donte t’u thoshte deputetëve grekë se “Atë që nuk na e lëshin Turqia, do ta kompensojmë në detin Jon në kufirin me Shqipërinë”!
Kësisoj Mitsotakis kërkon një fije kashte ku të kapet, me qëllim që t’i shpëtojë presionit turk në detin Egje. Por si ndjehet kryeministri i Shqipërisë mbas kësaj deklarate të kryeministrit grek? Çfarë fsheh ai në stilin e një lideri autoritar dhe çfarë ka premtuar ose firmosur mbas shpinës së opinionit publik dhe institucioneve të tjera shtetërore të vendit?! Sot ai shpalli, siç e thonë mediat, qëndrimin e tij për këtë çeshtje.
Në fakt ato që shkruante ai nuk kishin të bënin me marrëveshjen shqiptaro-greke për kufirin detar. Gjithçka ishte skenar për të sulmuar si “nacionalistë” kundër atyre që po flasin rreth kësaj teme. Rama foli për të drejtën e Greqisë që ta zgjerojë kufirin e saj detar në 12 milje dhe ndërkohë tha se kjo kërkesë është depozituar nga qeveria shqiptare në vitin 1990. Por nuk tha asnjë fjalë se pse ai ngriti një komision qeveritar për bisedime me palën greke, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje për kufirin detar midis dy vendeve tona.
Ndërkohë deklarata e Mitsotakis thotë shumë në këtë drejtim. Vendosmëria dhe bindja e tij është se kufiri detar grek do të shtrihet 12 milje në detin Jon dhe njëkohësisht na bën me dije se Shqipëria nuk do të ketë as dy milje det në jug të vendit. Ndërkaq Edi Rama flet, por nuk sqaron, nuk jep përgjigje për thelbin e debatit, thjesht hedh akuza kundër opozitës dhe kritikëve të tij, sikur të ishin këta që bisedojnë me Athinën e jo vetë kryeministri shqiptar, njëkohësisht edhe minister i Punëve të Jashtme!
Kryeministri ynë u shpreh se “Kufiri detar nuk është si gardhi mes dy shtëpive dhe kur autoritetet greke thonë do zgjerohemi nga 6 në 12 milje, kjo nuk nënkupton se Greqia do gllabërojë ujrat territoriale shqiptare”. Mjafton kjo fjali për të kuptuar falsitetin dhe mashtrimin e zotit Rama. Atëherë lind pyetja, nëse Greqia nuk gllabëron ujrat territoriale shqiptare, cilat ujra të ndonjë shteti tjetër gllabëron ajo, të Italisë? Sepse vetëm Shqipëria dhe Italia ndajnë detin Jon me Greqinë. Duhet të jesh idiot të besosh se Greqia do të zgjerohet në hapësirën detare në drejtim të Italisë, me të cilën tashmë e ka mbyll marrëveshjen e Detit. Atëherë duhet thënë se Mtsotakis i referohet Shqipërisë. Ndaj dhe vjen në Tiranë ministri i Jashtëm grek.
Nga e gjitha kjo dalim te deduksioni se Edi Rama, sa here fsheh diçka në dëm të interesave kombëtare, përdor kundërakuzat ndaj kritikëve të tij. Sulmi ndaj kritikëve nuk i shërben thjesht për mbrojtje, por edhe për fshehjen e shumë të vërtetave të dhimbshme në dëm të kombit shqiptar. Sipas kryeministrit sulmet kundër marrëveshjes me Greqinë, janë nxitur për shkak të luftës për pushtet. Dhe shton se “Padituria nuk është argument”. E si gjithnjë, në artikulimin e tij, Edi Rama sfumon me përmbylljen e statusit të tij në formën patetike, kur shkruan se “Unë dhe Partia Socialiste… kurrën e kurrës nuk e përdorim pushtetin në dëm të interesit kombëtar! ”,
Rasti i debatit për ndarjen e Kosovës dëshmon se Edi Rama punoi për projektin serb në fjalë, jo duke u deklaruar publikisht kundër ndarjes së Kosovës, por duke sulmuar ashpër me fyerje e sharje të kritikëve, të cilët kundërshtuan e kundërshtojnë përpjekjet e Hashim Thaçit dhe të Vuçiç për këtë qëllim. E njëjta metodë dhe i njëjti stil shihet edhe në rastin e kundërshtive të tij për marrëveshjen detare me Greqinë. Për të mos folur për faktin se shpopullimi i Shqipërisë permes varfërimit dhe dhunës shtetërore të Edi Ramës, është një akt anti-kombëtar i papërsëritshëm edhe në kushtet e pushtimeve të huaja.
Ka kritikë, të cilët flasin për një marrëveshje tashmë të përfunduar. Këtë përshtypje ta jep gjithashtu deklarata e kryeministrit të Greqisë. Ka të tjerë, të cilët thonë se projekti i 12 miljeve det për Greqinë është i gatshëm për firmë. Të gjitha këto hamendje, nëse do ishin të tilla, vetëm sa i vërtetoi kryeministri i vendit në statusin e sotëm.
Dhe në këtë rast, si në çdo fushë tjetër, na del një Edi Ramë me disa fytyra. Rama opozitar, i cili denoncoi marrëveshjen e qeverisë së demokratëve për vënien e kufirit detar në largësinë e 6 miljeve. Ndërsa sot një Ramë tjetër në pushtet, i cili nuk e ka problem që t’i jape vendit fqinj edhe gjashtë milje të tjera, pra gjithsej 12 milje det. Në këtë rast ai ngjan si Plaku i Detit, jo si politikani shqiptar, që me kushtetutë e ka për detyrë të mbrojë territorin tokësor, detar dhe ajror të Shqipërisë!