Pika e parë dhe e fundit e Kuvendit nesër-Alibeaj: Të shkëputemi nga metodat komuniste të Berishës.

Zhvillimet e nesërme në Partinë Demokratike, ky nga njëra anë kryedemokrati Lulzim Basha do të mbledhë Kuvendin Kombëtar të partisë, dhe nga ana tjetër ish-kryeministri Sali Berisha do të zhvillojë një referendum, janë bërë temë diskutimi në emisionin e sotëm “Pikat mbi i”, në News24.

Nënkryetari i PD, Enkelejd Alibeaj, u shpreh në studio se pika e parë dhe e fundit e Kuvendit Kombëtar të mbledhur nesër është kaosi që ka përfshirë partinë, që nga muaji shtator, kur Basha vendosi të përjashtojë Berishën nga grupi parlamentar, pas shpalljes së tij “non grata” nga SHBA.

Sipas tij, ajo që po ndodh tani në PD është e vonuar, pasi duhej të kishte ndodhur kohë më parë, që partia të transformonte metodat komuniste. Një gjë e tillë është kundërshtuar nga analisti Artur Zheji, i cili u shpreh se ditë më të këqija se këto PD nuk ka kaluar ndonjëherë, ndërsa shtoi se nuk është e vërtetë që metodat e Berishës ishin komuniste, pasi pikërisht kjo parti rrëzoi komunizmin.

 

Diskutimet në studio:
Nënkryetari i PD, Enkelejd Alibeaj: Nesër është thirrur Kuvendi Kombëtar i PD nga Kryesia, me kërkesë të kryetarit, me një rend dite, me shqetësimin e krijuar nga shtatori, të jemi të sinqertë. Ka pasur një procedurë për kërkimin e një Kuvendi, ndaj Kuvend u desh, Kuvend ka, dhe do të zhvillohet nesër. Kuvendi do të jetë për situatën kaotike në PD, por nuk do të them për ditët më të këqija të partisë. Në fakt kjo duhej të ndodhte kohë më parë me PD, me transformimin e kërkuar. Do duhet të kishte ndodhur më parë, ndoshta vonë që ndodh tani. Por ajo çfarë realisht ka pasur nevojë PD, ka qenë pikërisht fakti që do duhej të shkëputet, të transformonte ca metoda të vjetra të mënyrës së operimit, metoda komuniste. Kjo është sfida që kemi ne, që ka PD. Nesër kemi pikë të parë dhe pikë të fundit situatën në PD.

Artur Zheji: Së pari, nuk mund të thuash metoda komuniste për Sali Berishën e PD, pasi është partia që përmbysni komunizmin në Shqipëri. Janë metoda të vjetra, që duhen apdeituar, duhen bërë moderne. Së dyti, sa i përket Kuvendit të datës 18, mendoj që objekt tjetër, përveç jashtëzakonshmërisë së thirrjes së tij, dhe antagonizmit me atë të 11 dhjetorit, nuk shoh. Nuk kemi një objekt të qartë. Për sa i përket ditëve të këqija, mendoj se ditë më të këqija se këto PD zor se do ketë kaluar.

Alibeaj: E vërtetë që PD lindi si parti komuniste, por ajo që u dëshmua më vonë ishte kopjimi i metodave komuniste. Duhet ta pranojmë që kjo parti ka ngelur tek idhujtaria, pasi e dëgjoj shpesh “Partia e Sali Berishës”. Së dyti, pro amerikanizmi është një nga betimet që duhet rifreskuar. Më 1990 ka qenë thelbi, ADN, e kësaj partie. Është e paimagjinueshme që pas 30 vitesh të jemi vendosur kundër SHBA. Ata që më ’90 ishin pjesa kundër amerikanëve, sot i sheh që janë krah për krah tyre. Pra, ka diçka që nuk shkon me pjesën e PD. Këto përcaktojnë qartë dhe saktë të sotmen dhe të ardhmen e partisë. Do duhet që PD të bëjë çmos për t’i dhënë fund këtij tranzicioni, pra të shkëputur nga metodat e përdorura deri më tani.

Zheji: Por duket se po krijohen dy PD. Nuk e shmangët dot përçarjen e partisë.
Alibeaj: Kuvendi i vetëm është ky i nesërmi i përcaktuar nga Kryesia e PD, ku janë të ftuar të gjithë.
Zheji: Statuti nuk e ndalon mbajtjen e një referendumi.
Alibeaj: Statuti zyrtar nuk e ka një mënyrë të tillë referendare. Ajo që pretendohet të bëhet, bëhet me rregulla ‘ad hoc’, rregulla që askush nuk i ka parë, nuk i di.