Peticioni On Line / Të hiqet emërtimi ‘Rruga e Dëshmorëve të 15 Korrikut’

Ka nisur një peticion online, me anë të të cilit kërkohet heqja e emërtimit “Rruga e Dëshmorëve të 15 Korrikut”, heqjen e emërtimit “Parku i Demokracisë 15 Korriku” dhe heqjen e pllakës përkujtimore me emrat e të ashtuquajturve “dëshmorë të 15 korrikut”, të gjitha në Parkun e Liqenit.
Sipas organizatorëve, ngjarja dhe viktimat që Bashkia Tiranë ka vendosur të përjetësojë nuk kanë asnjë lidhje me popullin dhe kombin shqiptar, dhe aq më pak me qytetarët e Tiranës.
“Ne kërkojmë heqjen e emërtimit “Rruga e Dëshmorëve të 15 Korrikut”, heqjen e emërtimit “Parku i Demokracisë 15 Korriku” dhe heqjen e pllakës përkujtimore me emrat e të ashtuquajturve “dëshmorë të 15 korrikut”, të gjitha në Parkun e Liqenit”, thuhet ndër të tjera nga organizatorët e peticionit.
Ja çfarë shkruhet në peticionin online:
“Ne kërkojmë heqjen e emërtimit “Rruga e Dëshmorëve të 15 Korrikut”, heqjen e emërtimit “Parku i Demokracisë 15 Korriku” dhe heqjen e pllakës përkujtimore me emrat e të ashtuquajturve “dëshmorë të 15 korrikut”, të gjitha në Parkun e Liqenit.
Vendimi sekret për të përjetësuar një ngjarje të brendëshme turke është marrë në shkelje të ligjeve të Shqipërisë dhe të rregullave të Bashkisë Tiranë. Vendimi është marrë pa asnjë dëgjesë apo konsultim publik, duke u mohuar qytetarëve të Tiranës të drejtën për t’u shprehur për të.
Ngjarja dhe viktimat që Bashkia Tiranë ka vendosur të përjetësojë nuk kanë asnjë lidhje me popullin dhe kombin shqiptar, dhe aq më pak me qytetarët e Tiranës.
Ngjarja që Bashkia ka vendosur të përjetësojë:
nuk ka domethënie apo rëndësi historike, kulturore apo shpirtërore për qytetarët shqiptarë;
nuk ka vlerë përkujtimore apo simbolike për brezat e ardhshëm;
nuk ka rëndësi historike apo kulturore botërore dhe nuk ka domethënie për vlerat e lirisë, demokracisë dhe përparimit njerëzor botëror.
nuk ka mbështetje apo pranim të gjerë shoqëror mes qytetarëve të Tiranës.
Ne dyshojmë se veprimet e Bashkisë Tiranë janë shërbim personal ndaj presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, motivuar nga interesa të ngushta vetjake të Kryeministrit Edi Rama dhe Kryebashkiakut Erion Veliaj. Si të tilla, ato janë shkelje e sovranitetit të vendit dhe dhunim i krenarisë sonë kombëtare.
Nënshtrimi i qeveritarëve tanë ndaj një autokrati të njohur për persekutimin e kundërshtarëve politike, për burgosjen e gazetarëve dhe shtypjen e të drejtave të njeriut është, gjithashtu, shkelje e vlerave demokratike perëndimore, të cilat aspiron shoqëria shqiptare”.
Bashkia Tiranë ka ngritur memorial në Parkun e Liqenit, në nder të 251 qytetarëve turq të vrarë për mbrojtjen e presidentit Erdogan gjatë atij që u quajt grusht shteti i 15 korrikut 2016 në Turqi.
Ky lajm nuk është dhënë në asnjë njoftim zyrtar nga Bashkia Tiranë dhe është bërë i ditur nga mediat turke.
Mediat e huaja janë bazuar në postme e publikuara në faqen zyrtare të Ambasadës Turke në Tiranë ku shfaqet e gjtihë parade e zhvilluar në kryeqytet deri tek mbërritja e memorialit në Parkun e Liqenit.
Bashkia Tiranë ka mbjellë aty 251 rrape të sjella nga Turqia, dhe rruga aty pranë tashmë “Dëshmorët e 15 Korrikut”.