Përrallat me “leksion demokracie”

Nga Indrit Vokshi

Ta ilustroj. Po dëgjoja një ditë Ardian Gjinin. Kryetar i Gjakovës dhe eksponent i AAK. E pyeti gazetari, a do kandidosh për kryetar partie kundër Ramush Haradinajt?
Ardiani iu përgjigj se të kandidosh kundër “themeluesit principal” të partisë është e vështirë, sado i mirë e brilant të jesh. Po të ishte Rugova gjallë, si “themelues principal” i LDK dhe Lumiri të kandidonte përballë tij, nuk do të fitonte. Po të ishte Thaçi në garë në PDK, sado i mirë Memli Krasniqi, nuk do të fitonte. Njejtë edhe tek Vetëvendosja. Sepse ata janë “themelues principal” të partisë. Ndaj edhe me Ramushin i bie është e vështirë në atë parti.
Tani le të dalim tek Partia Demokratike. U larguan mocionistët, PDR, Bamir Topi, u larguan edhe Bode, Ruli, Patozi, Jozi etj. Por nuk u bë aq rrëmujë. Rrëmuja ndodh me “themeluesin principal” i cili edhe pse nuk e ka themeluar vetem, duke hipur në pushtet në 1992 e ka qepur kostumin e partisë në funksion të vetes. E ka sunduar gjatë.
Ai mundet të thërrasë votim pa ndjekur statutin, mundet të lëshojë akuza të ndryshme dhe gjithmonë janë 5 mijë vetë në parti që i binden dhe 5 mijë të tjerë që shkojnë për inerci me këta të tjerët, madje edhe disa qindra shkojnë për ta përdorur aksionin e tij. Sepse e para shihet si “themelues principal” dhe e dyta ka ndejtur 13 vjet në pushtet të lartë ku ka ndarë paratë, karrierat, favoret, si çdo pushtet.
Ndaj beteja me “themeluesin principal” ose e fundos lidershipin e partisë ose e çliron dhe e ngre lart. Është bixhoz.
Është e gjitha kjo logjikë. Leksionet e demokracisë, rregullat, respekti, janë erëzat që i hidhen përsipër zhvillimeve, asgjë tjetër. Themeluesi principal nuk është bërë i madh as duke dhënë leksione demokracie, as duke ndjekur rregulla as duke pasur respekt. Ndaj ska si të jetë kjo. Më e pakta duhet të dimë t’i lexojmë qartë zhvillimet tona.