Përplasja me Talo Çelën dhe arrestimi i Dumanit, Gledis Nano takim në SPAK me Krajën

Për rreth një orë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka zhvilluar një takim në SPAK me kreun e Prokurorisë së Posaçme Arben Kraja.

Takimi vjen pas zhvillimeve të rëndësishme që kanë ndodhur ditët e fundit, duke nisur që nga arrestimi i të shumëkërkuarit Nuredin Dimani në Fier e deri te arrestimi i ish-deputetit të PS Alqi Bllako për inceneratorët.

Abc mëson se në takim ka qenë edhe Drejtori i Policisë Kriminale Tonin Vocaj dhe prokurorë të Elbasanit. Në fokus ka qenë përplasja me armë në fshatin Papër të Elbasanit që solli më pas arrestimin e Nuredin Dumanit.

Gjykata e Posaçme i ka komunikuar masën e sigurisë arrest në burg Nuredin Dumanit për dy ngjarje të rëndë kriminale të ndodhura në Durrës. Seanca është zhvilluar në ambientin e spitalit të Traumës, atje ku Dumani po merr mjekim pasi mbeti i plagosur 3 ditë më parë. Dumani është dërguar si i pandehur për vrasjen e Dorian Shkozës, e Anxhelo Avdisë dhe Besmir e Viktor Haxhia, ngjarje të ndodhura në vitin 2020, në Durrës. Ai akuzohet edhe për një tjetër vrasje. Bëhet fjalë për ekzekutimin e Bujar Çelës, ngjarje kjo e ndodhur në shtator të 2020-tës. Pikërisht për këtë ngjarje dyshohet se përplasja me armë në Papër ka ndodhur mes Dumanit dhe Talo Çelës.