Përgjimet La Verita/ “Salvini fashist”, Pendarovski: Jo, është një mik i mirë i vendit tonë!

“Revolta tek qytetarët është e madhe. Edhe unë si president por edhe si qytetar i këtij shteti jam i dëshpëruar dhe kërkoj zbardhje të plotë të rastit.” Kështu u shpreh Presidenti i Maqedonisë, Stevo Pendarovski pas shpërthimit të skandalit me rastin “Reket” dhe mohimit të Kryeministrit Zoran Zaev të jetë përfshirë në skandal ndonëse në përgjigjet e publikuara nga gazeta italiane “La Verita” lakohet emri i tij.
Sidoqoftë, Pendarovski kërkoi padi për të gjithë ata që janë të përfshirë në këtë rast, përfshi këtu edhe zyrtarët më të lartë shtetëror, pavarësisht nëse janë të pushtetit apo opozitës ndërsa mbështeti dhe inkurajoi institucionet përkatëse për një epilog të drejtë gjyqësorë.
“Ju jap mbështetje të plotë institucioneve përkatëse që rasti në fjalë të merr epilogun e duhur gjyqësor. Institucioni i Presidentit do të bëj çmos që këto institucione t’i mbroj nga presionet eventuale. Vetëm përmes një epilogu të drejtë mund të kthejmë besimin tek qytetarët,” tha Stevo Pendarovski duke shtuar se nuk ka shtet të se drejtës në rast se pushteti i ndjek vetëm kriminelët e pushtetit të kaluar duke anashkaluar kriminelët e këtij pushteti.
Rasti “Reket”, vlerësoi Pendarovski nuk do të ndikoj për integrimin në NATO, por nuk përjashtohet mundësia që të ndikoj negativisht në integrimin e vendit në BE.
I pyetur nëse politika italiane, kryesisht ajo e krahut të djathtë, është e përfshirë në aferën “Reket”, Stevo Pendarovski, tha se nuk beson se politika italiane është përfshirë dhe se Salvini është një mik i mirë i vendit tonë dhe jo siç e kanë cilësuar disa media dhe jo vetëm, fashist.
“Për mua Salvini nuk është fashist, e kundërta, është një politikan demokrat, i një vendi demokratik si Italia, që është një nga vendet më mike të Maqedonisë së Veriut për integrimet në NATO e BE,” tha Pendarovski.
Në fund Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ishte i prerë kundër zgjedhjeve të parakohshme, pasi përpara janë integrimet në NATO dhe BE, dhe, pa u krye procesi i regjistrimit të popullsisë, tha ai nuk mund të ketë zgjedhje.
“Vendi nuk duhet të shkoj në zgjedhje të parakohshme mbyllur integrimin e plotë të vendit në NATO e BE, dhe pa mos kryer regjistrimin e popullsisë, proces shumë i rëndësishëm për vendin tonë.”
Ndryshe, më 8 Gusht, Maqedonia e Veriut pësoi tronditje pas publikimit të pamjeve nga gazeta italiane “La Verita” ku tregohet skema e zhvatjes së miliona eurove ku implikohen zyrtarët e lartë shtetëror deri tek Prokuroja Speciale, Katica Janeva. “Një sistem mafioz që funksionon drejtpërdrejt nën kontrollin e politikanëve të rangut të lartë! Politikanë, të preferuar nga BE-ja dhe Sorosi,” thekson gazeta italiane “La Verita” në videon e së cilës shihet se si të akuzuarit në rastin “Reket”, Boki 13 dhe Zoki Kiçeec marrin para nga biznesmeni Orce Kamçev për të ndërhyrë tek Prokurorja Speciale Katica Janeva, në rastin “Perandoria”.
Videoja, e cila, sipas “La Verita”, është dorëzuar në zyrën e Prokurorisë për Krimin e Organizuar në Maqedoninë e Veriut nga ana e avokatëve të viktimës, tregon përgatitjen e ryshfetit dhe Boki 13 që del bashkë me një koleg nga shtëpia e Kamçevit ndërsa përgjimi ambiental, me datë 20 shkurt 2019, tregon se si showmani i premton viktimës lirimin nga arresti shtëpiak, liri tëcilën e fitoi në ditën e premtuar.