Përfundon takimi  Thaçi Vuçiç 

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, theksoi nevojën që Kosova dhe Serbia të sigurojnë një mjedis të përshtatshëm për bisedime dhe të përmbahen nga fjalët, veprimet dhe masat që janë në kundërshtim me frymën e normalizimit,

Pas më shumë se tre muajsh, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u takuan të enjten mbrëma në Bruksel në një raund të ri bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

Së shpejti më hollësisht

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, pret që, siç thuhet, të dy presidentët “të konfirmojnë gatishmërinë e tyre për intensifikimin e punës për të arritur një marrëveshje të detyrueshme ligjore për normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve, që është thelbësore për rrugën e tyre evropiane”.

 

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, gjatë verës kërkuan mbështetje ndërkombëtare për një marrëveshje normalizimi ndërmjet të dyja vendeve, përfshirë edhe mundësinë e prekjes së kufijve.

Këto ide nxitën reagime të shumta në Kosovë dhe në Serbi, por edhe ndarje në skenën ndërkombëtare, ndërmjet atyre që do ta pranonin një marrëveshje që arrihet mes palëve dhe atyre që druajnë se prekja e kufijve, mund të nxisë lëvizje të ngjashme edhe në pjesët tjera të rajonit, që ende nuk është rimëkëmbur nga luftërat e përgjakshme të fundit të shekullit të kaluar.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha para takimit se arritja e marrëveshjes është mundësia më e mirë për të lëvizë përpara drejt ardhmërisë evropiane, për të dyja vendet. “Prandaj do të bëjmë përpjekje maksimale që të përafrojmë qëndrimet në interesin e arritjes së marrëveshjes”.

Javën që që lamë pas në Minsk të Bjellorusisë, ai tha se janë duke u shqyrtuar të gjitha idetë, por ende nuk ka asnjë marrëveshje. Ai tha se nuk do të ketë kufij përgjatë vijave etnike, nuk do të ketë shkëmbim të popullatës në mes të dy vendeve dhe do të ruhet shpirti shumetnik dhe realiteti i Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti Thaçi ka përsëritur për muaj të tërë se angazhohet për korrigjim kufiri që nënkupton bashkimin e luginës së Preshevës, një rajon me shumicë shqiptarë në jug të Serbisë, me Kosovën.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, theksoi javën e kaluar se ideja e tij për vënien e kufirit ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, nuk është pritur mirë në Serbi dhe se për këtë arsye nuk ka dhënë hollësi rreth kësaj ideje duke e ditur reagimin e opinionit serb. Kufizimi ndërmjet dy popujve nënkupton ndarjen tokësore të Kosovës, përkatësisht që veriu i saj me shumicë serbe t’i bashkohet Serbisë.

Edhe ai tha se pret takim të vështirë në Bruksel, por “më mirë të bisedojmë njëqind vjet sesa të luftojmë një ditë. Kjo është puna ime. Paqja është e rëndësishme”.

Takimi i së enjtes, sipas zyrtarëve të Bashkimit Evropian, pritet të hap një periudhë takimesh të ngjeshura ndërmjet të dyja palëve.

Të dy presidentët do të marrin pjesë në manifestimet me rastin e përvjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, të dielën në Paris. Presidenti Thaçi e ka hedhur poshtë çdo mundësi që të bisedohet atje, ndërsa presidenti serb, Vuçiç, ka thënë se mund të ketë një takim me praninë e zyrtarëve të lartë perëndimorë, por nuk pritet të ketë asgjë me peshë në Francë.