Përfundimisht mund të thuhet se LDK-ja nga parti e Rugovës duhet të pagëzohet si parti e Hashim Thaçit!

Nga Enver Bytyçi

Sot në Kosovë kanë ndodhur disa ngjarje politike dramatike. Kronologjia e tyre na ndihmon të gjykojmë për atë çfarë ndodh në këtë vend.

Krizën e gatoi Hashim Thaçi. Ai mbodhi këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe dekretoi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Pastaj rekomandoi që dekreti i tij të votohet në parlament. Presidenti shfrytëzoi një të drejtë kushtetuese për të mbjell përçarjen në koalicionin e qeverisjes. Kjo sepse çdo dekret i tillë i presidentit duhej të ishte projekt dhe propozim i qeverisë, e cila ka përgjegjësinë e saj të plotë për të analizuar situata të tilla emergjente. Presidenti nuk e bëri këtë me kryeministrin, por me Isa Mustafën, kreun e partisë në koalicion, LDK-në, i cili para se Thaçi të mblidhte Këshillin paralajmëroi publikisht se donte shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Por Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi e kishin llogarit hapin tjetër. Nxitën ministrin e Brendshëm, Agim Veliu, që ky të bënte deklarata në kundërshtim me qëndrimet e kryeministrit Albin Kurti. I kam ndjekur me vëmendje zhvillimet në koalicionin qeverisës dhe më ka rezultuar se dy anëtarë të kabinetit Kurti nga LDK, Agim veliu dhe Abdullah Hoti, i kanë atakuar publikisht e në vazhdimësi qëndrimet e shefit të ekzekutivit, çka nuk ndodh në asnjë rast e në asnjë rrethanë në qeverisjet e tjera. Kjo LDK, e cila i është përbetuar Thaçit për besnikëri pa kushte, iu kundërvu Vetëvendosjes ende pa filluar punën në qeverisjen e përbashkët me LDK-në.

Interesant është se sherri në qeveri erdhi nga dy anëtarë të kabinetit, të cilët morën pjesë në një takim me Grenell në Berlin pak ditë para se të krijohej qeveria e post 6 tetorit.
Albin Kurti, nga ana e tij, nuk dëshmoi lidership të vendosur. Në raste të tilla vetëm një qëndrim i rreptë dhe i prerë në modelin e Ramush Haradinajt mund t’i shkëpuste lidhjet midis Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit. Ai shkarkoi ministrin e Brendshëm dhe kreu i LDK-së mblodhi kryesinë e e partisë së tij, në të cilën u vendos që të kërkohet votëbesim për kryeministrin, Albin Kurti. Dhe kur? Në kohën më të vështirë për Kosovën, pas çlirimit të saj nga sundimi dhe pushtimi i Serbisë.

Përfundimisht mund të thuhet se Lidhja Demokratike e Kosovës nga parti e Ibrahim Rugovës duhet të pagëzohet si partia e Hashim Thaçit! Eshtë fjala për lidershipin e saj dhe jo për anëtarësinë. Anëtarët e LDK-së, të cilët vazhdojnë të besojnë te Isa Mustafa, Agim Veliu e dy-tre fosile tjera hashimiste, duhet të me falin për këto rreshta që po i hedh me dhimbje të madhe. Me dhimbje, sepse një parti, e cila me pretekstin e të qenit parti institucionale ka përligjur çdo interes politik të Hashim Thaçit, kur bashkëqeverisnin bashke, nuk mund të mburret më as për institucionalizimin e trashëguar nga Ibrahim Rugova. Përkundrazi LDK duhet ta ndalojë paudhësinë e pabesisë së të tipit të Zanzibarit, të kurdisur po nga Hashim Thaçi.