PËR TY, MJERAN

Nga Av. Xhafer Sadiku

A u mërzite?! Kjo ishte pyetja që më bënë disa persona pas farsës zgjedhore të 25 prillit.
Po, u mërzita. Po jo për vete. Se nuk kam patur kurrë iluzione, pasi që e njoh këtë regjim. Madje e njoh në detaje dhe në të gjitha strukturat e tij.
U mërzita për ty; po po për ty. Se je kthyer në një lango dhe shkon pas mafiozëve për një kockë, që të përdorin si hafije kundër atyre që nuk të kanë bërë asgjë. Në fakt, mirë ta bëjnë se ti je i pabesë, ashtu ka qenë dhe babai tënd… një laro i regjimit. Ti nuk njeh shok e mik, se je rritur me urrejtje.
U mërzita për ty; nëpunës servil i administratës, që për një pagë të poshtëron dhe përdhunon në zyrë drejtori injorant dhe arrogant.
Për ty, mjeran; që të blejnë me çmimin e një keci, që çdo dy vjet shet shpirtin tek skllavopronari i cili të ka në listë vetëm si i shitur. Më vjen keq për vendin tim se ju nuk jeni pak; diku tek 200 mijë qe shiteni sa nje kec.
U mërzita për ju, gazetarë të kazanit. Për ju që u është nxirë përjetësisht fytyra se u shërbeni gangsterëve analfabetë dhe si qenër kafshoni nga ekrani ata që u ndjekin. Për ju, trutharë me shkollë, që pos kostumeve të shtrenja e fytyrave të kuruara, nuk kini as shpirt e as zemër.
Për ty, i shkolluar në Perëndim, që kur kthehesh në atdhe, pasi nuk ta varin shokët e idealit tënd, kërkon të na takosh ne, se nuk ke se çfarë të bisedosh me ta, se siç thua vet, janë injorantë. Por, sa fillojnë fushatat politike, ti leh nga larg kundër atyre që të kanë pritur në atdhe, duke harxhuar kohën e tyre të çmuar.
U mërzita për vendin tim që ju, maskarenj, po e boshatisni nga të rinjtë që kriminelët dhe kryekrimineli juaj i la të varfër e pashpresë në atdheun e tyre.
Nuk mërzitem për vete, se kohën që më ka mbetur do ta kaloj në atdhe dhe aty do të prehem, pranë gjyshit dhe të parëve të mij. Më vjen keq për ju dhe për të tjerët që kryekrimineli u la pa atdhe.